Policia ukrainase njoftoi sot se zyrtarët kishin zbuluar disa vende ku ishin kryer tortura në qytete të çliruara së fundmi nga pushtimi rus nga forcat ukrainase në rajonin e Kharkiv.

“Duke ardhur në Balakliya apo Izyum, ne zbuluam një numër të madh krimesh të kryera kundër popullatës civile”, tha shefi i policisë, Ihor Klymenk në një deklaratë, duke shtuar se ishin identifikuar 10 vende ku ishin kryer tortura.

Në qytetin e Balakliya, thuhet se u arrestuan deri në 40 persona, te cilët u poshtëruan dhe torturuan në stacionin e policisë gjatë pushtimit rus.

“Kishte tortura, ne pamë gjurmë të telave elektrike në duart e banorëve përmes të cilave dërgohej energji elektrike gjatë marrjes në pyetje”, tha Klymenko, duke shtuar se gjashtë vende të tjera ishin zbuluar në qytetin e afërt të Izyumit.

Klymenko tha se 1000 oficerë të tjerë policie nga vende të tjera të vendit ishin dërguar në rajonin e Kharkivit për të hetuar dhe aktualisht po kryheshin mbi 200 hetime individuale të krimeve të mundshme të luftës ruse.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se kishte planifikuar të dërgonte hetues në Izyum, ndërsa zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i përshkroi raportet si “të neveritshme”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: