Krimet në familje ditët e fundit kanë tronditur të gjithë vendin. Pas krimit makabër të orëve të para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Korçës, ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha, si fajtor kryesor të këtyre krimeve vë politikën qeverisëse. Sipas tij, varfëria dhe dëshpërimi ku ka hyrë shoqëria shqiptare i shtyn njerëzit në këto akte. Basha në një postim në Facebook i bëri thirrje politikës që të pushojë së punuari për pakicën e t’i rikthehet halleve të njerëzve.

“Jam i tronditur nga krimet e tmerrshme në familje në Fier dhe në Korçë. Jam veçanërisht i hidhëruar që këto krime kanë marrë jetë të pafajshme fëmijësh dhe grash.
Këto ngjarje më shumë se krime individuale reflektojnë gjëndjen e varfërisë dhe dëshpërimit ku ka hyrë shoqëria jonë, si dhe rënien e mbështetjes shoqërore për njëri-tjetrin.
Shqipërisë duhet t’i kthehet shpresa, duhet t’i kthehen mundësitë në mënyrë që të gjithë të jetojnë të mirëqenë dhe të qetë. Politika ka rolin kryesor për këtë gjë: ajo duhet të pushojë së punuari për pakicën dhe duhet t’u rikthehet njerëzve dhe halleve të tyre.
Ne nuk mund të vrasim njëri tjetrin, duhet të vrasim politikën e keqe. Ne duhet të japim jetën për fëmijët tanë dhe jo të marrim jetë fëmijësh,” shkruan kreu i PD.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb