Kriza e strehimit ka dominuar debatin e fundit televiziv mes liderëve politikë në Spanjë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të së dielës.
Përplasjet u përqendruan te çmimet e larta të banesave dhe pamundësia e qytetarëve për të përballuar qiratë, një problem që ka nxitur protesta në qytete të ndryshme të vendit. Kryeministri socialist Pedro Sánchez, pas tetë vitesh në pushtet, rrezikon të mos sigurojë një mandat tjetër, ndërsa sondazhet favorizojnë Partinë Popullore konservatore të drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo.
Ky i fundit premtoi ndërtimin e një milion banesave të reja, ndërsa partia e tij pritet të dalë forcë e parë dhe mund të krijojë qeveri me të djathtën ekstreme Vox. Kreu i kësaj force, Santiago Abascal, deklaroi gjatë debatit se vetëm ai kujdeset për qytetarët që kanë më shumë nevojë për një strehë.
Nga ana tjetër, Ada Colau, përfaqësuese e një koalicioni të majtë, kërkoi taksimin e pronarëve të pasur dhe atyre që shfrytëzojnë qiramarrësit.
Zemërimi publik u shtua edhe pas rastit të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila u dëbua nga banesa në Madrid pasi qiraja iu trefishua dhe më pas ndërroi jetë në spital.
Në Valencia, qytetin e tretë më të madh të Spanjës, të rinjtë shprehen se, pavarësisht se kanë të ardhura nga puna, nuk arrijnë të përballojnë një apartament me qira dhe detyrohen të jetojnë ende me familjet e tyre.
