Qeveria ka vendosur që duke nisur nga data 3 prill, e diela e parë e çdo muaji të nisi pa makina, në qytetet kryesore të çdo qarku.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, që tha se kjo bëhet jo thjesht për të kursyer çmimin e karburanteve në rritje, por edhe për të mirën e mjedisit.

“Krizën energjitike, si një kronikë të paralajmëruar jo shumë kohë më parë, fatkeqësisht po e ndjejmë pa dallim. Ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi të gjitha ekonomitë globale dhe xhepat e çdo familjeje, sigurisht që pasojat po ndihen edhe në vendin tonë. Reagimi ka qenë i shpejtë, ku qeveria me ngritjen e Bordit të Transparencës po luan rolin vendimtar në shmangien e abuzimit me çmimin e karburanteve dhe të produkteve të shportës, me qëllim mbrojtjen e çdo qytetari. Angazhim ky që do të vazhdojë pa rreshtur, por nga ana tjetër sa i takon krizës së karburanteve kërkon mirëkuptimin e tonë në reduktimin e lëvizjeve me automjete sa më shumë të kemi mundësi. Dhe nëse s’mund ta shmangim ndezjen e makinës çdo ditë, të paktën ta fillojmë nga ditët e pushimit. Prandaj e nisim planin e Ditës pa Makina nga e diela e parë e çdo muaji, duke filluar prej datës 3 prill.

Sot Udhëzimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për organizimin e Ditës pa Makina në koordinim me institucionet e tjera dhe në përputhje me të gjitha ligjet dhe parimet e Kodit Rrugor, u është shpërndarë pefektëve dhe kryetarëve të bashkive, në mënyrë që të jemi në kohë për një organizim sa më të mirë. Ftoj secilin prej jush që në qytetet tuaja të bëheni partnerë të kësaj nisme: për kursim, për mjedis më të pastër, për shëndet.

Janë angazhime konkrete që përmirësojnë jetën tonë këtu, për t’u lënë fëmijëve një qytet më të pastër, një mjedis prej të cilit mos të na vijë turp që nuk arritëm t’ua lëmë trashëgim më të mirë nga ç’e gjetëm ne”, tha Kumbaro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb