Nga: Vasil Kureta*
Kriza aktuale greke nuk mund të mendohet e izoluar, as thjesht një aventurizëm e papërgjegjshmëri qeverisjeje e atyre …… që e kanë drejtuar dhe e drejtojnë sot këtë shtet. Kriza greke është, natyrisht, pjesë integrale e krizës së zgjatur të Eurozonës, por në thelb është një shfaqje konkrete dhe e mprehtë e krizës së modelit të ekonomisë së tregut. Në fakt, kriza e zgjatur e Eurozonës, bashkë me formën më të acaruar të saj, atë greke, janë dëshmi e sfidave të vështira dhe e problematikës së mprehtë të akumuluar, të modelit të ekonomisë së tregut. Vetëm duke e vështruar kështu do të krijohet një perceptim e vizion më i plotë për problematikën e mprehtë dhe sfidat tepër të vështira që shfaq aktualisht modeli i ekonomisë së tregut në kushtet e sotme, kur globalizimi ka marrë përmasa tepër të mëdha.
Është sot koha dhe nevoja për një reformim rrënjësor të këtij modeli, ose mund të mendohet, se po troket nevoja historike për një model të ri ekonomik e social. Që kur shpërtheu kriza e fundit botërore e financiare në vitin 2008, u shfaqën shqetësime të ligjshme për një krizë reale të vetë modelit aktual të ekonomisë së tregut, ku mjaft studiues seriozë iu referuan mendimit ekonomik e social të tre mendimtarëve të mëdhenj, Marks, Kejns dhe Fridman. Dhe kjo jo rastësisht! Pas baballarëve të teorisë së ekonomisë së tregut, A.Smith dhe D.Rikardo, këta tre mendimtarë, kanë përpunuar opsione e argumente, që mundësojnë të njohësh më mirë thelbin dhe mekanizmin e funksionimit të ekonomisë së tregut edhe në stadin aktual të evoluimit të saj. Smith dhe Rikardo definuan rëndësinë dhe përmbajtjen e raportit shtet-treg, duke nënvizuar rolin e madh të tregut në procesin e kalimit nga ekuilibri në çekuilibër dhe rivendosjen e ekuilibrit ekonomik e financiar.
Marksi, duke analizuar modelin e ekonomisë së tregut në kohën e tij, mendoi se raporti treg-shtet kërkon një modelim të ri, ku shteti merr rol organizues e menaxhues në një periudhë të caktuar. Ai, mbështetur në metodën dialektike mbi zhvillimin dhe i udhëhequr nga koncepti i tjetërsimit, mendoi se kalimi nga sundimi i sendeve mbi njerëzit te sundimi i njerëzve mbi sendet, mundësohet nga shoqërizimi i prodhimit dhe në një shoqëri ku shteti vjen e shuhet, por që siguron bollëkun material dhe shpërndarje sipas nevojave. Ai i pa krizat si bashkudhëtare të ekonomisë së tregut, që shfaqen në mënyrë ciklike dhe e gërryejnë modelin ekonomik e social nga brenda. Koncepti i Marksit, apo mënyra e modeli që u aplikua, rezultoi një dështim i plotë në fund të viteve ‘90, në gjithë hapësirën ku u zbatua. Depresioni i madh i viteve ‘30 të shekullit të kaluar e vuri mendimin shkencor në një provë të vërtetë. Kejns, duke iu referuar raportit shtet-treg, nënvizoi si rrugë për kapërcimin e krizës rritjen e rolit të shtetit për të rivendosur ekuilibrat ekonomikë e financiarë, ide që realisht funksionoi. Më pas, Fridman dhe shkolla e tij, duke vlerësuar shumë mendimin e Smith dhe Rikardo, hodhi idenë që, në rivendosjen e ekuilibrave dhe ruajtjen e tyre nevojitet më shumë treg sesa shtet. Edhe kjo ide u provua si efektive, por përsëri krizat vazhduan me ciklet e tyre.
Shpërthimi i krizës botërore në vitin 2008 nuk mund të mos i sillte në vëmendje këto ide. Pavarësisht se u kryen analiza shkencore e u bënë rekomandime konkrete, përsëri nuk shkuan më tej se një përballim emergjent i krizës, duke luajtur rol në përsosjen e marrëdhënieve mes tregut dhe shtetit dhe në thirrjet për më shumë moral. Më shumë u mblodhën dhe vendosën politikanët me këshilltarët e tyre sesa shkencëtarët. Me sa duket, ka ardhur koha për një reformim të rëndësishëm të modelit aktual, mbështetur në studime serioze shkencore e në një aleancë të ekonomistëve, sociologëve e filozofëve dhe jo thjesht kryerja e disa meremetimeve.
Modeli aktual i ekonomisë së tregut në evoluimin e tij, përfaqësohet, si me formën më të zhvilluar e të stabilizuar në SHBA, Kanada, Gjermani, Francë, Britani e vende të tjera europiane e përtej Europës, ashtu dhe me forma eklektike të kapitalizmit shtetëror, të përziera edhe me koncepte e praktika ish-komuniste, si Rusia dhe Kina, si dhe forma të pastra të ekonomisë së tregut, si Japonia, India, Brazili, Afrika e Jugut etj. Natyrisht, janë edhe format e tjera, si dhe ato të dështuara e të rrënuara të ekonomisë së tregut në Afrikë, Azi e Amerikën Latine. Pavarësisht dallimeve mes këtyre formave, modeli i sotëm i ekonomisë së tregut po shfaq probleme serioze. Kriza ekonomike botërore e vitit 2008 ishte realisht një goditje e rëndë, e ngjashme me depresionin e madh të viteve ‘30 të shekullit XX, që ka evidentuar probleme e sfida të vështira të thelbit, mekanizmit, strukturës, përmbajtjes e funksionimit të modelit të ekonomisë së tregut. Bazamentin e përmbajtjes së ekonomisë së tregut e përbën marrëdhënia mes tregut dhe shtetit. Cilësia e kësaj marrëdhënieje, proporcionet e rolit ndaj njëri-tjetrit, kanë një rol të veçantë, si në rastin kur ekonomia funksionon, ashtu dhe në rastin kur futet në ciklin e krizave. Lëvizjet e mundshme në këtë raport kanë ndihmuar realisht në rikthimin e ekuilibrave ekonomikë e socialë. Hapësira e manovrimit, është tashmë e njohur që lëviz nga më shumë treg e më pak shtet, në më shumë shtet e më pak treg, kuptohet në hapësirë e kohë të caktuar. SHBA punoi në këtë linjë përmes reagimit të shtetit dhe siguroi një dalje më të shpejtë nga kriza apo në rivendosjen e ekuilibrave kryesorë.
Kriza e zgjatur e Eurozonës ka domethënien e saj, siç ka dhe një problematikë që lidhet me mosmbylljen plotësisht të formësimit e të drejtimit të saj si BE, në përputhje me doktrinat e njohura mbi shtetin dhe të drejtën. Brenda kësaj veçorie përfshihet dhe koncepti i definuar për nxjerrjen nga kriza të Eurozonës, që u mendua të kapërcehej me programin e ndihmave ekonomike në miliarda euro e masat shtrënguese përkatëse, si dhe përmes reformave strukturore e financiare, për të rivendosur ekuilibrat ekonomikë e financiarë dhe për të evituar dridhjet e rënda sociale. Po kështu, ekonomia greke vlerësohet si një xhuxh ekonomik, por kjo nuk mund të zvogëlojë shqetësimin për një problematikë komplekse të modelit të ekonomisë së tregut në gjithë hapësirën e madhe europiane. Nuk është e sëmurë vetëm Greqia, por ajo bën thirrje për të shqyrtuar gjithë përmbajtjen, mekanizmin e funksionimit të modelit ekonomik e social të të gjithë hapësirës europiane, për të kryer reformimet e domosdoshme.
Në kushtet aktuale të thellimit të procesit të globalizimit, goditjet e krizave ekonomike dhe dështimet e programeve të zhvillimit ekonomik e social në vende e rajone të veçanta ndihen shumë edhe në nivel global. Ky proces globalizimi ka pasur pjesë të tij organike edhe fenomenin e deglobalizimit, që në momente krizash bëhet më i dukshëm. Edhe procesi i bashkimit europian, krahas avancimit, ka pasur prezent edhe goditjet nga brenda, nga diferencat e interesave të shteteve kombe, që kanë nxitur opsione për ngadalësim apo stopim të zgjerimit, koncepte mbi dy shpejtësitë apo dy klasat. Po kështu janë shfaqur vështirësi të mëdha në nxjerrjen nga kriza të Eurozonës, siç u pa më qartë në rastin e krizës greke. Mosgjetja e dakordësisë mes trojkës europiane e Greqisë është shprehje e qartë e krizës që kalon Eurozona, krizë që ka tronditur tashmë gjithë sistemin financiar në botë.
Megjithatë, nuk mund të mos e tërheqë vëmendjen aktualisht fenomeni i rënies së tregtisë botërore. Kështu, nëse para vitit 2008 ndodhte që çdo rritje e GDB-së globale prej 1% regjistronte rritje të tregtisë botërore me 2%, sot të dhënat flasin për një raport 1 me 1. Ekspertë të ndryshëm për tregtinë botërore mendojnë se kjo rënie e tregtisë botërore ndikon mbi eksportin, që është motori i rritjes. Po kështu, sektori i financave botërore ka një tkurrje të ndjeshme të flukseve financiare botërore, siç konstatohen edhe dukuri të mbylljes së operacioneve financiare bankare, që nënkupton rritje të papunësisë. Nuk mungojnë sot edhe ata që mendojnë se rrënimi i sistemit monetar ndërkombëtar është i pashmangshëm.
Natyrisht që ky mendim është i diskutueshëm, por nuk mund të mos merret në konsideratë fakti, që po evidenton edhe kriza greke, se një problem kritik për fatet e ekonomisë botërore, janë bërë borxhet alarmante apo sistemi i ndërlikuar i borxheve shtetërore. Natyrisht që, vlerësimi i problemit bëhet më i plotë kur merr në analizë edhe krizat ciklike, që disa po shfaqen me depresione të ndjeshme, falimentimet e bankave, nivelet e larta të inflacionit, rritjen tronditëse të borxheve, përqendrimin tepër të lartë të ekonomisë, financave e të pushtetit në disa banka etj. Kjo situatë, parë në mënyrë komplekse, nuk mund të mos shqetësojë seriozisht apo të mos e shohë sistemin monetar ndërkombëtar shumë problematik e, siç mendojnë disa, të rrënuar.
Numri i shteteve me borxhe tepër të larta tashmë është bërë alarmant, aq më tepër që nuk bëhet fjalë për shtete të vogla por për shtete e ekonomi me peshë të madhe në ekonominë e financat botërore. Ekonomia amerikane ka një rol tepër të madh në zhvillimet botërore. Por nuk mund të mos merret në konsideratë problemi që ekziston lidhur me raportin mes GDP-së dhe borxhit të përgjithshëm të SHBA, që përfshin borxhin shtetëror dhe ato të buxheteve private. Ky borxh në SHBA, sipas disa analistëve, llogaritet të jetë në nivelin e 60 miliardë dollarëve, kur GDP e SHBA përfshin 17 miliardë dollarë. Historia e këtij raporti e ka zanafillën nga vitet ‘70-‘80, i lidhur ngushtë me raportin e arit me dollarin. Kjo situatë, mendojnë disa analistë, i hapi rrugën ngritjes së një sistemi monetar disi të shfrenuar, që mundësoi rritjen e lartë të borxheve. Në këtë periudhë, në fakt, përvijohet në ekonominë e financat botërore, që prirja e marrjes së borxheve të shfrytëzohej në një rreth të gjerë në sistemin monetar botëror. Prirja ka qenë marrja e borxheve për të përballuar situatën, pa menduar shumë për nesër, për pasojat që shoqëron kjo prirje e shfrenuar dhe në shkallë tepër të gjerë. Është zhvilluar shumë aftësia, dimensioni, profesioni i marrjes së borxhit e janë perfeksionuar format, mekanizmat dhe metodologjia e marrjes dhe e dhënies së borxhit. Krahas niveleve të larta të borxhit, konstatohen struktura institucionale të dobëta në mjaft shtete, madje të korruptuara, evazion i lartë fiskal, nivele të larta të deficiteve, sistem drejtësie i korruptuar dhe mungesë e theksuar e shtetit juridik e sundim të ligjit, dallime tepër të larta mes një grupi të vogël, që ka përqendruar pasuri të madhe, dhe pjesës tjetër të varfër e në kërcënim të së ardhmes. Grupet dhe qendrat që kanë përqendruar pasuri të lartë kanë peshë të madhe në vendimmarrjet e institucioneve, duke dëmtuar rëndë demokracinë dhe institucionet e saj, stabilitetin ekonomik, social e politik.
Marrja e borxheve ka lehtësuar e ndihmuar mjaft ekonomi e vende të përballojnë vështirësi e kriza, por jo gjithnjë janë llogaritur kostot afatgjata e sidomos problemet dhe pasojat sociale. Aktualisht, nuk mund të mos tërheqin vëmendjen nivelet alarmante sidomos të borxheve shtetërore, sepse ka krijuar një status ku bankat e mëdha kanë marrë më tepër pushtet, të cilat janë bërë edhe më të mëdha e më të fuqishme. Kjo situatë nuk mund të mos llogarisë fenomenin e spekulimit, që kështu ka terren mjaft të gjerë, që do të thotë se ka rrezik edhe më të madh në drejtim të qëndrueshmërisë ekonomike e financiare.
Në këto kushte duhet llogaritur edhe rreziku që mundësohet nga tregjet e obligacioneve, që janë vënë në qendër të ekseseve, në raport me ato të aksioneve dhe ato imobiliare. Megjithatë, këtu rreziku i madh, që duhet llogaritur, është dobësimi i rolit të bankave qendrore, që do të ndikojë negativisht në vazhdim, por sidomos nëse fillon një krizë tjetër e ngjashme me atë të vitit 2008. Marrëdhëniet e parasë me ekonominë janë aktualisht tepër të brishta, problematike dhe që paraqesin një rrezik të madh për stabilitetin dhe të ardhmen e sistemit ekonomik e monetar botëror.
Në kushtet e sotme është evidentuar si problem i rëndësishëm se si të rritet më tej prodhimi shoqëror, në sasi e cilësi, në çdo vend e në shkallë botërore, kur popullsia në nivel botëror ka arritur në nivele tepër të larta dhe burimet e rezervat ushqimore janë pakësuar, kur niveli i papunësisë e varfërisë ka arritur përmasa alarmante, kur ndotja e ambientit dhe problemet globale kanë rritur kërcënimin ndaj jetës dhe njerëzimit. Të gjitha këto e kanë bërë shumë të mprehtë problemin e rritjes së prodhimit shoqëror. Në vitet ‘60, automatizimi, kibernetika, arritjet shkencore e teknologjia moderne mundësuan rritjen e lartë të prodhimit. Me sa duket, po rritet nevoja dhe trysnia për arritje të reja shkencore për ta përballuar këtë problem tepër të rëndësishëm që ka përballë njerëzimi.
Krahas problemeve të mprehta ekonomike e financiare, gëlojnë dhe bëjnë presion të madh edhe mbi zhvillimet ekonomike, problemet sociale. Në kushtet e sotme ka një ushtri tepër të madhe e në rritje të të papunëve e sidomos në radhët e brezit të ri, rritje të tensioneve sociale e politike, ashpërsim të problemeve etnike e ndërfetare, rritje të ekstremizmit politik e social dhe dobësim të rolit të forcave politike tradicionale, ka qeverisje të dështuara, rritje të aventurizmit politik e social, të papërgjegjshmërisë politike qeverisëse, por dhe të fenomeneve gërryese të ngushtimit të hapësirës së demokracisë e të lirive e të drejtave të njeriut, të protestave sociale, por dhe të krimit, korrupsionit, trafiqeve etj. Emigracioni i pakontrolluar dhe terrorizmi në shfaqjet e tij të ndryshme janë sot fenomene tepër shqetësuese. Janë thelluar ndjeshëm hendeqet në zhvillime mes rajoneve të ndryshme në botë, ku Afrika zë një vend të vecantë. Ka rritje alarmante të varfërisë në shtete të veçanta, rajone të caktuara e të gjera dhe në shkallë botërore.
Natyrisht që, shoqëria njerëzore ka avancuar e është zhvilluar, përmes rritjes së prodhimit shoqëror, që ka mundësuar edhe nivele më të larta sociale e të jetesës së njerëzve, ka evoluuar duke zgjidhur kontradiktat dhe problemet që e shoqërojnë rrugëtimin e saj, ka përballuar rreziqe tepër të mëdha që i janë kanosur, asaj natyrore e sociale, duke përfituar një përvojë të pasur, që i ka dhënë shtysë e nivele të reja më të larta zhvillimeve ekonomike e sociale. Megjithatë, sot është grumbulluar e po zgjerohet një problematikë komplekse, që me sa duket, ka shtruar dhe po zhvillon nevojën, jo thjesht për disa meremetime e korrigjime të caktuara, po për të reformuar më tej modelin ekonomik e social, për të formatuar një thelb të ri të modelit të zhvillimit ekonomik e social, që të japë më shumë garanci e të sigurojë mundësi për ta zhvilluar më tej shoqërinë njerëzore, për ta bërë atë njëkohësisht më të drejtë, të harmonizuar në shkallë botërore, më të stabilizuar e më të sigurt për të sotmen e të ardhmen. Përmbajtja e nevojës historike përfshin edhe zbulime të reja e të mëdha të shkencës, por edhe reformim rrënjësor të modelit aktual të ekonomisë së tregut; kuptohet, nëse ai e përmban këtë mundësi. Koha ka treguar që, kur është pjekur nevoja, edhe zgjidhjet kanë ardhur.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: