Nga Agron Gjekmarkaj

“Qyqja, mi nënë, qyqja, mi nënë”, u dëgjua mërmërima e Ekonomit kur pa Klodi Spaqin të veshur si vajzat me kordele të kuqe! Kësaj i thonë: Babo digjet e Klodi krihet, i pëshpëriti Evisi te veshi, duke ia kapur xanxën.

Në fillim Zoti të merr mendjen, pastaj të tjerat avash-avash! Gaz Bardhi, ti merr të gjitha njëherësh! Erzin të parin. Është bërë si xhebraili, nga dosja del, në dosje hyn!

Tezja, qerratesha plakë, nuk bëri ish pa patur pula, u bë def, ç’më duhet mua, mendoi, Vlora me Gysin. Ky i fundit, thonë që e paskësh thirrur për ta qortuar në zyrë për disa leje e gjëra në Jug dhe ajo ishte përlotur! Aty i ka thyer zemrën. Ditmari bën be që ajo është e ndjeshme, se ia di hukamat e fshehtësisë dhe e ka vuajtur.

Sypetrit Malaj lëshonte vetëm krisma nga pas: bam-bum, bum-bam, prej stresit e frikës, aq sa Niko i tha: “Hallall bataretë e Opozitës, se nuk mbajnë erë, po ti paske ngrënë kërmë, more jezit, he të shplafte mortja, nuk paske patur një pikë mëshire!” Stomaku i bënte zhurma si makinë korrëse!

Delina mbante një shami të lagur me uthull molle, si në protesta kur hedhin gaz lotsjellës! Sa e hiqte, lëshonte një pasthirrmë sekelldie.

Ministri i Brendshëm, Demo, hyri fshehurazi, siç i ka hije një trimi, dhe iku tinëz! Nuk lypte telashe! Thonë do të dalë vetë me dyfek mbi supe, fustanelle veshur, hipur mbi kalë si Osman Gazepi dikur në Berat, për të bërë terbiet krimin e organizuar.

Njeriu i trashë Gonxhe, (nga shëndeti më i gjerë se i gjatë, se nga mendja është birbo e allishverishexhi, edhe pse nuk di shkrim e këndim), bëri një xhiro me englendisje mamuthi sa për t’u dukur dhe iku! “Ç’më duhet mua”, i tha në korridor, “jam me zemër të ngrirë, se më ka thirrur gjashtë herë Gysi te vendi. I thuhej jo atij, he, i thuhej jo? Një ditë u rebelova, i bëra bisht: jam në Butrint. ‘Po mirë’, më tha, ‘të pres kurdo të kthehesh’. Ç’të bëja, i shkova në mesnatë, pimë nga një gotë nga ajo vera e përfolur! E mirë ishte, të lepije buzët.”

Ata që kanë shkuar në studion e tij për të bërë hajër, për të ndërruar pozicionet, rrinin kokëulur si zaif dhe kishin të hequra barkut!

Nëpër dhëmbë, njeri tha: “Të bëjmë shoqatën ‘evleterit e Gysit’ dhe të mbrojmë njeri-tjetrin nga telashet.” “Jo”, tha dikush, “ai ishte më i ri se ne. Qysh ne qenkemi bij, le ta quajmë ‘Besëlidhja e Shenjtë’.” Kështu u la! Ata që kanë ngrënë dacka abstenuan.

Vetëm Klosi doli të fliste si shyta (dhia që kërkonte brirët e humbi edhe veshët) e llomotiti mbyturazi nja dy-tre fjali, si ajo fërfërima nëpër poture! Pastaj, duke u tulatur dhe me marramendje, u ul në vend! Askush s’i tha “puna e mbarë”! Ca lëshuan llafe të liga: e ka nga pagjumësia, se vesi të punon qindin, helbete!

Seanca e të enjtes ishte surreale, gjithë namuzi i mazhorancës mbeti në dorë të Qefseres! “Fol”, i thanë Koçisë, “fol, beja fora, tregoje veten, ç’mund të bësh për Babon tonë në këto kohë zavallesh, se po të ishte Etilda këtu, e përmbyste bankën e drunjtë të qeverisë, si monumenti ‘Nënë Shqipëri’, do të na printe?!”

“Jepi, ndizë!”, i thanë Nufit. “Lëshoji raketat e tua, shtypi butonat, tunde, more i paudhë, shkrepe, digje, bëje zhari, falja dreqit gjithë ata edepsezër aty poshtë!!!”

“Jo more, jam njeri i paqtë, jam i kalemit, i mendimit, arma ime është kultura”, tha dhe u fsheh nën tavolinë!

Pirro Dëngu e pa me përbuzje. “Po të isha unë aty, si dikur, tani sillja ushtrinë dhe i bëja zap, i zinin me duar dhe kjo mesele mbyllej me ballin lart, se ne kemi ngritur prapanicat e ulur kokën”, sokëlliu! Një lot sa një arrë i ra mbi dysheme!

“Thërrisni Karakaçin!”, lëshuan kujen, “të vijë e të bëjë betejë, të luftojë si Oso Kuka”, këshilloi Bora, teksa vetë i frynte një pipeze!

“Eh”, tha Igli, “ku ta kapësh Enea Laraskën (sipas dialektit të jugut, Karakaçe = laraske)!! Këmbët e lehta, faqja e bardhë, ai pastaj e ka zët të folurën. Po mbase luan gishtin”, insistoi Bora.

“Eh, jo për këtë punë, bezani”, Igli, “po për atë tjetrën e vërtit!”

Në këtë mërzi e maraz, Shalsi, me lehtësinë e papërballueshme të qenies, nxori dy rriska bukë me gjalpë dhe me ca feta sallami brenda dhe i hëngri, si të ishte në një planet tjetër! Fërkoi edhe plëncin! Fatmir Xhafa, krejt si në këngën e Bregut, “thelleza që shkel mbi vese”, ashtu pa u ndier, si firaun, nuk u pa më.

Ju lutën Damos me lot në sy, motrani e shoqeni: “Fol, dil, se të bën Neta petulla ty, dil mbro Babon se pisk puna!”

“Me qejf”, tha, “do ta bëja, po kam orarin e palestrës. Babo ka thënë: mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. Pastaj ai ka besim te Zeniqeja, jo tek unë, nuk e zhgënjej dot, nuk ia kam prishur kurrë!!!”

I shihte Kostaqi qartë e më qartë dhe vuante thellë e më thellë. “Ah, të isha deputet aty, të shihnin ata zullupër, si i piqja në hell një nga një, si të ishin shelegë Lumë”, dhe një damar ishte gati t’i dilte nga balli e të merrte arat si nafta që plas nga toka!

“Bah, mezallah”, tha Koçia pas një hezitimi të gjatë!

Për këtë ditë të zezë kemi Qefseren, e cila, e dalë si nga legjendat, çapitej mbi një fjalim të bërë hazër nga të tjerët!

Disa të shastisur shqiptonin si në jerm një fjalë të çuditshme: “Kartela, kartela!” Kidi, gjoja për ta mbrojtur, po sikur i nguli një kamë, tha: “Se ju jeni të pashpirtë, i kujtoni edhe lëndimin e damarëve!”

Braçja trokiti, si edhe herë të tjera, në dyert e kronikës! Ai pyeti: “Qysh e dini që Mamica me Taon vanë në konak të Babos?”

“Na e ka thënë Babua vetë”, i thamë, “na e kërkoi si nder që të përhapim llafin që Mamica gjet rrugën e Perëndisë dhe ju trazovaçet e vegjël të hidhni nga dora biçakët. Boll bëtë lojëra luftërash!”

Braçja u skuq kur i konfiduam se ty do të presë Qefserja për të bërë autokritikën, i shoqëruar nga Erjo Mile si dëshmitar, pa lule, pa llokume, pa portret. Pastaj ajo i shpie koncentratin!

Ervin Hoxha pyeti Ogin: “Të ngrihem t’u bëj gjëmën?”

Ajo e ndali: “Rri, mbaj shënime e dorëzoji listën ‘Kronikës’, se nuk je ende gati pas traumave që ke pësuar! Ky është veprimi më i dobishëm.”

Erjon Malaj u binte tëmthave me grushte: “Ç’më gjeti, ç’më gjeti”, ia dha piskamës!!! “Nuk flet askush, fshihen more”, u ankua. “Fol ti.”

“S’dua”, thotë njeri, “se më ka vdekur gjyshi vjet, kam përvjetorin, nuk më bën zemra.”

“Fol ti”, i them tjetrit.

“Mos ma kthe, kam parë ëndërr mbrëmë, sikur këputa gjuhën me dhëmbë dhe jam si pa qejf.”

“Ti do llafosesh?”

“Ah, jo, më ka pjellë pela në fshat, kam gëzim, ejani t’ju qeras!”

S’do askush dhe qante: “Ah, axha Tao, axha Tao, si më le vetëm në ditë të kiametit! U bëfsha tullac, u bëfsha, po ndeja me fillikat”, lebetitej!!

Epo, Tao e vërtit llafin, qerratai i ka vënë syrin karriges së Nikollaqit! Pret tetorin. E pe edhe Babua, me gjithë dertet që e kanë kapluar, i kishte falur një buzëqeshje të madhe e bujare për të ilustruar diçiturën në Facebook, se ai paskësh çuar flamurin e Shqipërisë në selamet, edhe me radar të fikur!

Askush mos pastë hallin e Bledion Nallbase!

Kishte rënë në një të madhe ndërdyzje! Shihte Mamicën me fustan blu e frynte bulçinjtë, duke tërhequr një toskanelo, pako gjë, pako gjë e hajthme tepër, kerrthi i fliste vetes! “Sikur e ka tkurrur Rutja!” Në mos tjetër, tha, duhet fituar kjo betejë, ta kem atë fustan për ditën e gjykimit si qefin!

Termeja iu afrua e i tha: “Mbahu, vëlla, s’ia ka gjetur njeri fundin merakut. Është pyll i pambarim! Lis pas lisi thyhet sepata.”

Syri i keq i socialistëve që atë natë me Babon, që e keqyrën me babëzi, vështrimi i lig, kishte rënë mbi Jorushin e Tabakëve. Pantallonat e rinj, si kauboj, ishin çarë për fat afër këpucëve! Për e lëngata shkoi me aq dhe nuk ia ndali hovin!

Kryezëvendës Lideri, hyqymeti Flamur, komplimentoi “Kronikën” me fjalë të kursyera, pa yrysh, të gjitha të peshuara, që ajo të thellohet në autokritikë, pa rënë në pesimizëm!

Ndërkohë, Bernard Banushi, çiarçifi i Toskërisë, thur plane të mëdha, tymi i të cilave do të dalë shumë shpejt mbi oxhak!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb