Balkanweb  zbardh dinamikën e plagosjes së 27-vjeçarit Tauland Beqiri, në një dhomë hoteli tek kompleks “Gjilani” në Ksamil. Në dosjen hetimore autori i plagosjes Eidson Vyzaj, 28-vjeç  tregon se, plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte shokun e tij të ngushtë. Autori i plagosjes, Edison Vyzaj rezultonte me precedent të mëparshëm penal, pasi në Itali ishte kapur duke vjedhur me armë nëpër vila si dhe me lëndë narkotike.

I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, në prani të mbrojtësit, i dyshuari Edsison Vyzaj, ka sqaruar se, ka ardhur në Ksamil për pushime së bashku me një shok të quajtur Tauland Beqiri, si dhe disa shokë të tjerë emrat e të cilëve nuk i kujtohen. Gjithashtu, me të ka ardhur edhe një shtetas nga Sri Lanka i cili quhet  Perera. Në datë 13.08.2021, kanë dalë nga dhoma, rreth orës 10:00 dhe kanë shkuar në plazh ku kanë qëndruar deri rreth orës 20:00 dhe më pas janë kthyer në hotelin ku kishin zënë dhomën. Në dhomë me të ka qenë edhe Taulandi dhe shtetasi i huaj Perera.

I dyshuari sqaron se kur u kthyen nga plazhi, Taulandi ka shkuar i pari në dhomë, ndërsa ai vetë me disa shokë po rrinin në parkingun e hotelit. Pas pak minutash ka hipur në dhomë dhe sa ka hapur derën, ka parë Taulandin i cili kishte në dorë një armë zjarri – pistoletë të markës Glock të cilën e kishte lënë në dhomë. Menjëherë ka tentuar t’ia heqë nga dora dhe në momentin që ia ka marrë armën, ajo ka shkrepur. Në atë moment, Taulandi i tha se çfarë po bënte, por i dyshuari pa e kuptuar vazhdonte t’i bërtiste pse lozte me armën.

Në një moment i ka ngritur bluzën Taulandit për ta parë për merak dhe aty ka kuptuar që e kishte plagosur. Menjëherë e ka marrë Taulandin për krahu dhe e ka zbritur poshtë duke kërkuar ndihmën e personave që ishin në parkingun e lokalit dhe duke u thënë që të njoftonin ambulancën. Duke qenë se ambulanca po vonohej, me sa mban mend, e kanë hipur në një makinë dhe e kanë nisur drejt spitalit.

Duke qenë i tronditur, me sa mban mend, i ka dhënë armën shokut të tij. Perera dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas me armën. Në këtë moment, atje ka shkuar policia dhe e kanë shoqëruar në Komisariat. Në lidhje me armën e zjarrit, i dyshuari sqaron se e ka marrë nga Shkodra. Në përfundim, sqaron se me shtetasin Tauland nuk ka asnjë konflikt, përkundrazi, e ka shumë shok dhe shprehet se është shumë i tronditur nga ajo që ka ndodhur.

Lidhur me ngjarjen i është marrë deklarim fillimisht me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale edhe shtetasit nga Sri Lanka, Makaëitege Perera, i cili deklaron se është nisur nga Verona, Itali për në Shqipëri me shokun e tij. Ditën e ngjarjes, ka shkuar në plazh me shokët e tij dhe mbasdite që kanë hyrë në dhomë teksa po bënte dush ka dëgjuar një krismë dhe kur ka dalë nga dushi nuk ka parë asnjë person në dhomë. Është veshur dhe ka dalë pasi dhoma është në katin e dytë të hotelit, ka zbritur dhe ka parë dy shokët e tij që diçka kishin dhe në një moment, Edisoni i ka thënë: “Shko merr armën në dhomë dhe ik”. Sipas tij, ka shkuar në dhomë ku ka marrë armën dhe prej andej ka shkuar në parkimin e hotelit aty ku ishte një lulishte dhe ka hedhur pistoletën. Më pas ka hedhur gëzhojën, të cilat sqaron se i mori te dhoma dhe ka ikur.

Por, gjatë pyetjes me cilësinë e personit nën hetim, shtetasi. Perera nuk ka dhënë shpjegime, duke deklaruar se do t’i japë në një moment tjetër.

Gjykata ka lënë në arrest me burg Edison Vyzaj dhe shtetasin nga Sri Lanka, ndërkoh të plagosurin Tauland Beqiri në arrest shtëpie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb