Kryediplomatët e Francës, Gjermanisë, Egjiptit dhe Jordanisë kanë diskutuar përpjekjet e mundshme të paqes për Palestinën dhe Izraelin para zgjedhjeve.

Në një konferencë të përbashkët për media në Paris, ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Yves Le Drian, tha se ata do të takohen me zyrtarët palestinezë dhe izraelitë për të diskutuar përpjekjet për ndërtimin e besimit.

“Kemi një orar shumë të veçantë para nesh, sepse janë planifikuar zgjedhje në Izrael dhe po ashtu edhe në Palestinë”, tha Le Drian.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Mass, tha se mbështetja e administratës së re të SHBA-së për një zgjidhje me dy shtete është një hap pozitiv.

“Administrata e re e SHBA-së po ashtu ka deklaruar se është në favor të një zgjidhjeje me dy shtete. Ajo po ashtu ka deklaruar se do të qëndrojë kundër gjithçkaje që pengon ekzistimin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe ky është, përsëri, një mesazh dhe sinjal shumë pozitiv që kemi arritur atje”, tha Mass.

Ai shtoi se është me rëndësi të rikthehet besimi dhe se duhet të ndërmerren hapa dhe masa për ta arritur këtë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Egjiptit, Sameh Hassan SHoukry, tha se është e rëndësishme të rifillojnë bisedimet e paqes, veçanërisht për popullin palestinez “që meriton t’i rikthehen të drejtat ose që është privuar mizorisht nga këto të drejta”.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Jordanisë, Ayman Safadi, tha se sinjalet pozitive nga administrata e re e SHBA-së “na tregon se do të kemi marrëdhënie të mira edhe me administratën amerikane dhe do të punojmë në këtë drejtim”.

“Paqja nuk do të jetë e mundur, përveç nëse hapat e paligjshme të ndërmarra nga Izraeli nuk korrigjohen. Kjo është veçanërisht çështja e ndërtimit të vendbanimeve të reja ose konfiskimi i tokës dhe shkatërrimi i strukturave ekzistuese”, shtoi Safadi.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb