VLORE – Pas mbledhjes së opozitës në qytetin e Vlorës, për organizimin si një front i përbashkët përballë qeverisë, Monika Kryemadhi ka organizuar një takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në fjalën e saj, kryetarja e kësaj partie e quajti ngjarjen e Jalës sjellje kriminale dhe abuzuese nga qeveria arrogante

Sipas Kryemadhit, qeveria i ka kthyer qytetarët në armiqtë e qeverisjes

“Jo më larg se dje kemi parë se çfarë ndodhi në Jalë të Himarës, apo Vunoit si të doni ju ta quani, një mënyrë sjellje kriminale, abuzuese dhe mund të themi që vjen si rezultat i arrogancës që qeveria ka krijuar me qytetarët e saj. Duke harruar që qytetarët janë votuesit e saj, duke harruar që qytetarët duhet të marrin shërbimin më të mirë nga qeveria, i ka kthyer qytetarët në armikun e qeverisjes.

Këtë gjë e kanë bërë edhe me biznesin. Biznesin nuk e shohin më si partner që mbush buxhetin e shtetit me taksat që paguajnë, por e shikojnë si një armik të hapur, këtë kanë me shkollat, me mësuesit, me arsimtarët që nuk i shikojnë si bashkë udhëtar për brezin e ri, për ti shkolluar dhe për ti edukuar që të ecin përpara në rrugën e jetës, por i kanë shpallur armiq dhe i kanë kthyer në jeniçerë të bindjeve të tyre politike.

Këtë gjë e kanë bërë edhe me minatorët, të cilët në vend që t’i japin Statusin e Minatorit, ajo që u takon me ligj dhe me të drejtë të Zotit, ua mohojnë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe me infermierët, me mjekët që çdo ditë e më shumë po largohen, po ngrenë plaçkat dhe po shkojnë drejt vendeve të tjera të BE-së, sepse kanë jo vetëm respektim më të mirë, jo vetëm pagesa më të mira, por kanë edhe dinjitetin i cili u mungon.

Mund të zgjatemi dhe mund ti marrim të gjitha profesionet në Shqipëri, të cilat për hir të së vërtetës jo vetëm janë shumë më pak të paguara, për hir të së vërtetës jo vetëm kemi rritje të çmimeve, për hir të së vërtetës kemi jo vetëm rritje të varfërisë, por shikojmë që çdo ditë e më shumë ne po na prezantohet një qeveri e kapur nga krimi ku koka e saj është Edi Rama.

Këtu Edi Rama është edhe deputet i qarkut të Vlorës dhe po të shikosh të gjitha investimet të ashtuquajtura, nuk kemi asnjë nga këta përfituesit që po vijnë nga Vlora. Të gjithë janë të importuar të sjellë nga jashtë. Pra do të thotë që papunësia në Vlorë është aq e madhe dhe vijnë njerëz që vijnë nga rrethe të tjera, për të ndërtuar Vlorën, që në fakt më mirë se ç’mund ta ndërtojnë vlonjatët, nuk mund ta ndërtojnë as FUSHA dhe as Monika që nuk jetojnë në Vlorë,” tha Kryemadhi.

e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: