MAQEDONI- Kryeministri Zoran Zaev mbanë qëndrim se ligji për përdorimin e gjuhëve është në suaza të Kushtetutës. Ai druan se VMRO-DPMNE-ja me dorëzimin e mbi 35 mijë amendamente do e bllokojë punën e parlamentit dhe reformat e rëndësishme, duke penguar kështu integrimin e vendit në proceset euro-atlantike. Shefi i Qeverisë Zaev shpreson se me anë të bisedimeve me opozitën, do gjejnë zgjidhje për zhbllokim të punës së Kuvendit.

“Opozita ka të drejtë që të sjellë amendamente dhe kjo e drejtë duhet të respektohet por duhet të kemi parasysh se me këtë gjë bllokohet puna e Parlamentit. Unë jam i shqetësuar për reformat të cilat janë të rëndësishme nga plani 3-6-9, nga procesi reformues”. 02:44 “Besoj se do të gjejmë mirëkuptim me opozitën duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit dhe në bisedime mes koordinatorëve dhe përfaqësuesve tjerë të opozitës dhe shumicës, do të gjejmë zgjidhje” -deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Pavarësisht kërkesave të kryeministrit, VMRO-DPMNE-ja nuk do të tërheq asnjë nga mbi 35 mijë amendamentet kundër miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Këtë e bëri të ditur Irena Popova e cila tha se kjo parti vazhdon të qëndroj në atë se ligji është anti-kushtetues dhe diskriminues për nacionalitet tjera në Maqedoni.

“Të gjithë amendamentet e dorëzuara janë përpiluar me vëmendje. Asnjë nga këto amendamente nuk do të tërhiqet për arsye ata janë bërë me qëllim që të intervenohet në këtë ligj i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”- deklaroi Irena Popova, VMRO-DPMNE.

Bashkimi Demokratik për Integrim kritikon ashpër vullnetin, siç e quajnë, negativ të VMRO-DPMNE-së dhe Presidentit Ivanov në lidhje me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Bujar Osmani thotë se ligji përmbush Marrëveshjen e Ohrit.

“Më vjen keq gjithashtu që edhe partia opozitare, VMRO-DPMNE nuk e shfrytëzoi këtë moment që t’i vërtetojë qëndrimet e tyre pas zgjedhjeve se kanë qenë të keqinterpretuar dhe se nuk janë të pozicionuar kundër shqiptarëve dhe se kanë gabuar me shqiptarët. Tani e kishin mundësinë që të jenë sensitiv me kalimin e kësaj çështje, pra që shqiptarët të kenë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre nëpër institucione. Kjo nuk do ta diskriminonte asnjë grup tjetër shoqëror në shtet e as Kushtetutën e RM-së “-tha Zv/kryeministërBujar Osmani.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela gjithashtu i bën thirrje VMRO-DPMNE-së që të tërheq amendamentet dhe që mos bëj obstruksione në miratimin e ligjit të gjuhëve. Sela kujtoi se VMRO-DPMNE në periudhën e kaluar lëshoi shumë çështjeve të rëndësishme duke mos u përfaqësuar me asnjë deputet në Parlament.

“VMRO-DPMNE është mobilizuar dhe me qëllimin kryesorë të kthimit në Parlament. Për shumë shkaqe të tjera është dashur të kthehen, por ata u kthyen fatkeqësisht vetëm për të dal kundër të drejtës, interesit të më shumë se 1/3 të popullatës këtu në Maqedoni që është popullata shqiptare” – tha Ziadin Sela – Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit kishin lëshuar ulëset në Parlament pas arrestimeve të disa anëtarëve të saj për ngjarjet e 27 prillit. Grupi i mbetur i deputetëve të kësaj partie u kthye në Parlament në prag të leximit të tretë të ligjit të përdorimin e gjuhëve. Ligji në Kuvend për lexim të tretë u kthye pasi Presidentit Ivanov hezitoi ta dekretojë atë duke thënë se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën/Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: