Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki tha se rënia e raketave në fshatin Przewodow dëshmon se nëse Ukraina nuk merr më shumë mbështetje, lufta do të përhapet në territorin polak, raporton Ukrainska Pravda.

Kryeministri polak i kujtoi publikut se incidenti në Przewodow nuk është situata e parë kritike, duke përmendur si shembull emigrantët që u përpoqën të kalonin kufirin polako-bjellorusi vitin e kaluar.

“Ne nuk i dimë me siguri rrethanat apo arsyet e sakta për incidentin në Przewodow, por ne e dimë shkakun rrënjësor, shkakun kryesor, që është agresioni rus kundër Ukrainës”, theksoi Morawiecki, raporton gov.pl.

Ai shtoi se “sot ka vetëm një mënyrë që Polonia të hyjë në luftë, domethënë t’i kthejë shpinën Ukrainës”, sepse në atë rast Ukraina herët a vonë “do të bëhet e varur në mënyrë kritike nga Rusia”.

“Nëse Ukraina bëhet e varur, ne as nuk do të duhet të bëjmë asgjë për të shkaktuar një luftë – ajo do të vijë tek ne vetë. Putini nuk do të ndalet, Kremlini do të vazhdojë përpara. Të jesh pasiv është vetëvrasje për ne”, tha Morawiecki.

Ai vuri në dukje se Polonia është e përgatitur për incidente si ai në Przewodow dhe se “ka përgjigje” për mundësitë e ndryshme të një lufte hibride që Rusia mund të zhvillojë kundër Polonisë.

Ndryshe, kujtojmë se ditë më parë një raketë që besohet se ishte ruse, ka rënë në fshatin e lartcekur dhe ka vrarë dy persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: