Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, do të udhëtojë sot drejt Nuuk, kryeqytetit të Groenlandës, ku pritet të zhvillojë një takim me homologun e saj groenlandez, Jens-Frederik Nielsen. Vizita vjen në një moment delikat për sigurinë e Arktikut, ndërsa Kopenhaga ka paralajmëruar se bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi çështjet e sigurisë së ishullit do të nisin “shumë shpejt”. Frederiksen do të mbërrijë në Nuuk direkt nga Brukseli, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ky i fundit theksoi në një postim në rrjetin X se po punon ngushtë me kryeministren daneze për forcimin e mbrojtjes dhe parandalimit në rajonin e Arktikut.
“Ne biem dakord se NATO duhet të forcojë angazhimin e saj në Arktik. Mbrojtja dhe siguria në Arktik janë çështje që i përkasin gjithë Aleancës,” shkroi Frederiksen në X, duke publikuar edhe një foto nga takimi me Rutte-n në Bruksel. Vizita e saj në Groenlandë vjen pas tërheqjes së Presidentit amerikan Donald Trump nga kërcënimet për të marrë ishullin me forcë, pas një takimi me Rutte-n në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Sipas burimeve, gjatë bisedimeve u arrit një “marrëveshje kornizë” mbi Groenlandën, megjithëse detajet e saj mbeten ende të paqarta.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, konfirmoi se Danimarka, Groenlanda dhe SHBA-ja do të zhvillojnë së shpejti takime lidhur me sigurinë e ishullit Arktik. “Do t’i organizojmë këto takime relativisht shpejt, por pa shpallur data, sepse ajo që nevojitet tani është një proces i qetë, pa dramë,” u shpreh Rasmussen për gazetarët në Kopenhagen. Ai theksoi se bisedimet do të fokusohen në “sigurinë, mbrojtjen dhe parandalimin”.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, njoftoi se do të udhëtojë në Groenlandë “në ditët në vijim”, me ftesë të autoriteteve lokale, duke ritheksuar mbështetjen e Francës për Danimarkën. Ai sqaroi se data e vizitës nuk është përcaktuar ende, por ajo mund të përkojë me inaugurimin e konsullatës franceze në Groenlandë, të planifikuar për 6 shkurt. Barrot vlerësoi gjithashtu qëndrimin e liderëve evropianë ndaj krizës, duke theksuar se mesazhet e dhëna “me qetësi dhe rigorozitet” kanë kontribuar në ndryshimin e qëndrimit të Uashingtonit.
