Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka marrë urime dhe vlerësime nga primatë të Kishave Orthodhokse simotra dhe nga Papa Leoni XIV me rastin e ditës së emrit.
Festimi i ditës së emrit të Kryepiskopit Joan u zhvillua më 26 shtator 2026 në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Me këtë rast, krerë të Kishave nga vende të ndryshme të botës i kanë përcjellë mesazhe urimi dhe vlerësimi për shërbesën e tij në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Patriarku Ekumenik Bartholomeu, në letrën e tij, vlerëson kontributin e Kryepiskopit Joan, duke e cilësuar atë si “atin e dhembshur shpirtëror” dhe “timonierin e urtë” në udhëtimin e Kishës. Patriarku i përcjell gjithashtu urime për shëndet, jetë të gjatë, gëzim shpirtëror dhe bekime në shërbesën e tij.
Urime Kryepiskopit Joan i kanë përcjellë edhe Patriarku i Jerusalemit Theofili III, Patriarku i Moskës Kirilli, Patriarku i Rumanisë Danieli, përfaqësues të Patriarkanës së Gjeorgjisë, Kryepiskopi i Qipros dhe Kryepiskopi i Athinës dhe i Gjithë Greqisë, Jeronimi II, ndër të tjerë.
Një mesazh të veçantë ka dërguar edhe Papa Leoni XIV, i cili i uroi Kryepiskopit Joan shëndet, paqe dhe gëzim shpirtëror. Në mesazhin e tij, Papa theksoi rëndësinë e vazhdimit të respektit reciprok, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore mes katolikëve dhe orthodhoksëve në Shqipëri.
“Shpresoj që katolikët dhe orthodhoksët në Shqipëri do të vazhdojnë në rrugën e respektit reciprok, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore, duke ndërmarrë projekte bashkëpunimi në fushat ku tani është e mundur të punohet bashkë”, thuhet në mesazhin e Papës.
Mesazhi i Shenjtërisë së Tij iu përcoll Kryepiskopit Joan nga Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, arqipeshkvi Miroslaw Adamczy, i cili shprehu gjithashtu urimet dhe vlerësimet e tij personale.
Sipas njoftimit, letra urimi kanë dërguar edhe mitropolitë dhe personalitete të ndryshme nga bota Orthodhokse. Në to vlerësohet shërbesa e Kryepiskopit Joan në drejtimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërsa theksohen dashuria dhe uniteti ndërmjet Kishave simotra.
Mesazhet mbyllen me urime për paqe, shëndet dhe bekime në shërbesën e Kryepiskopit Joan.
Për shumë vjet, o Kryezot!
