Dinamo do të nisë sot përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, me objektivin për t’u rikthyer te rezultatet pozitive pas dy humbjeve radhazi në Abissnet Superiore. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të zhvillojë seancën e parë të plotë stërvitore pas disfatës 0-2 ndaj Teutës, në një moment kur nevoja për reagim është e madhe.

Pas ndeshjes së së premtes, futbollistët blu zhvilluan të shtunën një seancë rikuperimi, ndërsa dita e djeshme ishte pushim i plotë për ekipin. Kështu, sot skuadra do t’u rikthehet punës në fushën e stërvitjes, duke nisur përgatitjet për sfidën e ardhshme dhe duke synuar të korrigjojë gabimet e shfaqura në dy takimet e fundit.

Humbjet ndaj Vllaznisë dhe Teutës kanë ndërprerë ecurinë pozitive të Dinamos, e cila më parë kishte regjistruar katër fitore radhazi në kampionat. Për këtë arsye, sfida e radhës merr rëndësi të veçantë për kryeqytetasit, që kërkojnë të reagojnë sa më shpejt dhe të mos humbasin më shumë terren në garën e Superiores.

Në kampin blu, objektivi është i qartë: rikthimi te fitorja dhe konfirmimi i potencialit të skuadrës, pas një periudhe ku rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb