TIRANË- Kryeredaktorja e News24 Anila Jole ka komentuar situatën politike në studion e emisionit “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa.

Ajo ka folur për takimin e sotëm të dy liderëve të koalicionit si dhe protestën e opozitës në çadër por edhe protestën e paralajmëruar në Kavajë më 7 maj, ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryebashkiakun e ri.

Nisi-Jole

Ajo tha se mitingu mund të ketë provokime dhe përplasje, duke e parë si diçka jo pozitive që do të zhvillohet ditën e zgjedhjeve në këtë qytet.

“Më duket i frikshëm mitingu i opozitës në Kavajë. Mund të ketë provokime e përplasje”, tha Jole.
Për sa i përket takimit Rama-Meta, kryeredaktorja e News24 tha se kryeministri me sa duket e dinte se nuk do të kishte një vendim për koalicionin sot dhe këtë e tregonte edhe paraqitja e tij.
“Rama ishte i shkujdesur, me sa duket e dinte që nuk do kishte një vendim sot. Ndërsa zoti Meta ishte brenda staturës së tij”, u shpreh ajo, raporton “BalkanWeb”.

Jole

Lidhur me protestën e opozitës, Jole tha se është një test për jetën politike të kreut të PD-së Lulzim Basha ashtu si edhe zgjedhjet parlamentare. Ajo tha se nëse Basha nuk i fiton këto zgjedhje pas gjithë kësaj lufte atëherë do duhet të rishikojë pozicionin e tij.

“Zoti Basha ka një ndryshim të staturës së tij. Ishim mësuar me kostumin elegant, mjaft i qetë ndërsa sa vjen zoti Basha bëhet më agresiv, më luftarak, ka veshur xhinse, bën thirrje për arrestimin e Ramës dhe më pas tregohet më zemërgjerë. Gjithë kjo sipërmarrje e zotit Basha mendoj se është testi më i rëndësishëm për jetën e tij në politikë. Nëqoftëse zoti Basha nuk do t’i fitonte këto zgjedhje pas gjithë kësaj lufte duhet të rishikojë pozicionin e tij. Është një test i fortë për të. Mesa duket zoti Basha e di që këto zgjedhje janë testi i fundit për të dhe kërkon t’i shtyjë sa më shumë”, tha ajo, raporton “BalkanWeb”.

Nisi-Jole 2

Kryeredaktorja e News24 e quajti dekriminalizimin, kauzën më të mirë të opozitës që sipas saj tregoi se problemet në vend mund të zgjidhen në rrugë institucionale. Sulmin e Bashës ndaj diplomatëve të huaj, Jole e quajti të pakuptueshëm dhe tha se kreu i PD-së duhet të kishte mësuar nga precedentët e paraardhësit të tij.

Nëse do të ketë zgjedhje më 18 qershor, Jole tha se kjo është e paqartë pasi edhe vetë liderët politikë janë të paqartë.

“Nëse do kishim politikanë konseguentë edhe ne do të ishim më të qartë. Nuk ka deklarata të qarta nga palët. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë. E mira është që nesë ulen në tavolinë të gjejnë një zgjedhje për këtë popull shumë të lodhur nga politika. Uroj të mos jetë zgjidhje që të krijojë precedentë se nesër zoti Rama në vend të çadrës  të ngrejë një parashutë për rrëzimin e qeverisë”, u shpreh kryeredaktorja e News24 Anila Jole.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: