TIRANË
Këshilli i ambasadorëve shqiptarë ka komentuar marrjen e kryesisë së OSBE nga Shqipëria për vitin 2020.
Këshilli shprehet se marrja e kryesisë së OSBE është një arritje e madhe për vendin tonë si dhe një besim ndaj Shqipërisë për transformimet e saj demokratike, besim i cili sipas tyre duhet të justifikohet nga qeveria duke angazhuar kapacitetet më të mira të stafit diplomatik.
Po ashtu thotë se kjo është një mundësi për të thelluar bashkëpunimin rajonal, nga forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë, pajtimi ndëretnik si dhe pjesëmarrja dhe angazhimi i Kosovës në nismat për forcimin e paqes në rajon. Gjithashtu në fund të statusit nuk mungon dhe një urim.
NJOFTIMI I KËSHILLIT TË AMBASADORËVE SHQIPTARË
Tiranë, 6 Janar 2020
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet marrjen nga Shqipëria të Kryesisë së rradhës të OSBE-së për vitin 2020. Kryesimi i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë përmbush një synim të kahershëm të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Si një sipërmarrje me karakter gjithëpërfshirës, Kryesia duhet t’i shërbejë çuarjes përpara të objektivave strategjike të Shqipërisë, të cilat gëzojnë mbështetjen e të gjithë spektrit politik në vend.
Drejtimi i OSBE-së është një arritje madhore e vendit, tregues i besimit të antarësisë së OSBE-së në transformimet demokratike të Shqipërisë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit, si dhe kontributit të dhënë ndër vite nga diplomacia shqiptare për Organizatën dhe jo vetëm.
OSBE është organizata e parë shumëpalëshe në të cilën Shqipëria aderoi pas rënies së komunizmit dhe hapjes ndaj perëndimit, që ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë, si dhe në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Në këtë kuadër, Shqipëria ka përgjegjësinë dhe detyrimin përballë Organizatës, të justifikojë besimin e dhënë, duke dëshmuar se është vetë e aftë të respektojë normat, parimet dhe angazhimet e OSBE-së në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe sundimit të ligjit. KASH vlerëson dhe mbështet prioritetet e paraqitura nga Shqipëria gjatë vitit kaluar, nën moton “të zbatojmë angazhimet e OSBE-së së bashku”.
Vëmendja e pritshme e kryesisë shqiptare tek zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, është një mundësi për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal, nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pajtimit ndëretnik dhe pjesëmarrjes dhe angazhimit të plotë të Kosovës në të gjitha nismat që ndërmerren për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, përfshirë këtu edhe në kuadër të OSBE-së.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë falenderon trupën e diplomatëve që ka punuar me përkushtim për përmbushjen e këtij synimi që prej paraqitjes së kandidaturës së Shqipërisë për herë të parë në vitin 2006.
Në vitet 2000, diplomatët shqiptarë drejtuan fillimisht negociatat nën Artikullin IV të Marrëveshjes së Dejtonit, që realizoheshin nën suazën e OSBE-së, dhe, më vonë, drejtuan me profesionalizëm të spikatur Forumin për Bashkëpunim në Siguri (Forum for Security Cooperation), që menaxhon çështjet e një prej dimensioneve më të rëndësishme të Organizatës, dimensionit politiko-ushtarak.
Në vitet 2010, për herë të parë, Shqipëria u bë mikëpritëse e dy prej aktiviteteve më të rëndësishme të Organizatës, sesionit vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Takimit të Nivelit të Lartë të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut, të cilat u organizuan në Tiranë me sukses të plotë. Është edhe në këtë kontekst që Shqipëria merr Kryesinë e Rradhës së OSBE-së.
KASH fton qeverinë të angazhojë burimet më të mira njerëzore të shërbimit diplomatik dhe administratës Shqiptare për të menaxhuar me profesionalizëm dhe kompetencë dosjet e shumta që përfshihen në mandatin e OSBE-së.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron stafit të Misionit të Republikës së Shqipërisë në OSBE, grupit të posaçëm të punës, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme që, në cilësinë e Kryetarit të Rradhës do të drejtojë politikisht Organizatën, punë të mbarë dhe suksese në përballimin e kësaj sfide serioze.
(BalkanWeb)