Në ditën e 93-të të protestës anti-qeveritare përpara Kryeministrisë, vëmendjen kryesore të sheshit e ka marrë fjala e fuqishme e një qytetareje. Me tone të ashpra dhe mjaft emocionale, ajo ka adresuar drejtpërdrejt kreun e ekzekutivit, duke përfaqësuar revoltën e protestuesve që kërkojnë me ngulm dorëheqjen e kabinetit qeveritar.
Nga podiumi i ngritur përballë godinës së qeverisë, qytetarja solli në vëmendje premtimet e dikurshme politike dhe ikjen masive të intelektualëve, shkencëtarëve e historianëve nga Shqipëria gjatë viteve të fundit. Mes brohoritjeve të turmës, ajo iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Rama: “Kur erdhe në pushtet, ti i the popullit shqiptar se do të ishe shërbëtori i tyre dhe se pushteti u përkiste atyre. Ku është ai Edi Rama sot? A ishin ato thjesht fjalë të shkruara në letër, apo i besoje me të vërtetë?”
“Dhe tani u drejtohem të gjithë shqiptarëve këtu në këtë shesh që meritojnë një duartrokitje, një dashuri nga unë dhe të gjithë shqiptarët anë. Shqipëria ka nevojë për ju. Patriot, biznesmen, oligarkë, patronazhistë, administratë, policë, mësues, mjekë, të rinj, diasporë dhe ju që me vetëdije apo pa vetëdije mund të keni kontribuar që të arrijmë deri këtu. Ejani, ndoshta e shitët votën, ndoshta ju premtuan diçka, ndoshta u dizinformuat, ndoshta ju kërkuan, ju kërcënuan, fat, ndoshta kishit frikë, ndoshta zgjodhët njeriun e gabuar, nuk mund ta ndryshojmë të djeshmën. Por mund të ndryshojmë mendësinë tonë”, shtoi ajo duke bërë thirrje për bashkim të gjerë të shqiptarëve në protestë.
E mbështetur nga thirrjet e protestuesve nga të gjitha bashkitë e vendit, ajo artikuloi qartë kërkesat politike për daljen nga kriza:
-Dorëheqja e menjëhershme: Largimi i Edi Ramës dhe shpërbërja e kabinetit të tij.
-Qeveri Teknike: Formimi i një qeverie neutrale për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të monitoruara ndërkombëtarisht.
-Stop shpopullimit: Ndalimi i largimit të elitarëve dhe rinisë, duke rikthyer meritokracinë dhe barazinë sociale.
Ajo e mbylli fjalën e saj me thirrjen për bashkim kombëtar dhe refuzimin e çdo përçarjeje politike, duke nëvizuar se drejtësia dhe dinjiteti i qytetarëve duhet të jenë prioriteti absolut i vendit.
