Liria e mohuar për 110 mijë dosje të zvarritura pafund. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e ankesave për zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe veçanërisht rekomandimi i saj se situatat e jashtëzakonshme kërkojnë zgjidhje të jashtezakonshme, është mjaft pozitiv dhe shpresëdhënës.

Për ta bërë më të qartë analizën në reformën në drejtësi, nuk po fokusohem tek gjysma plotë gotes se reformes kur përfshihet ngritjen e SPAK-ut dhe dhënien fund të kulturës së mosndëshkimit.

Që në fillim më duhet të theksoj se funksionimi i shtetit ligjor është një e mirë publike nga e cila duhet të përfitojnë të gjithë shqiptarët njëlloj. John Locke- filozof i shekullit te XVII do te theksonte se : “Thelbi i ligjit nuk është të shfuqizojë apo të frenojë, por të ruajë dhe zgjerojë lirinë”. Sepse aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri” Shembuj të të mirave publike përfshijnë mbrojtjen kombëtare dhe sundimin e ligjit. Sipas Bankës Botërore, mosfunksionimi i shtetit ligjor pengon rritjen e besimit të publikut në institucionet kombëtare. Po kështu, Banka Botërore arrin në përfundimin se dhënia fund e varfërisë ekstreme dhe rritja e prosperitetit në një planet të jetueshëm është i lidhur pazgjidhshmërisht me sundimin e ligjit.

Disa nga efektet kryesore negative nga drejtesia e mohuar për rreth 110 mijë raste perfshijne : Besueshmëria publike e qeverisë në tërësi dhe e sistemit gjyqësor në veçanti është dëmtuar ndjeshëm.Pa kredibilitet publik, qeveritë janë të dobëta dhe problematike; rënia e besueshmërisë së reformës në drejtësi. Qytetarët ndjejnë efektet pozitive dhe negative të reformës në drejtësi bazuar në rastet e tyre konkrete; kostot social jane te renda, jane rreth 300,000 persona (109,000 raste x 3 persona për familje) qe po paguajnë kosto të rënda për shkak të vonesave të zgjatura; tensionet sociale mes palëve në gjykim priren të rriten, deri në konflikte dhe vrasje mes palëve; efekti ekonomik nga vonesat e ketyre dosjeve jane qindra miliarda leke të paangazhuara në ekonomi dhe për një kohë të gjatë; efekti social nga zgjatja e çështjeve gjyqësore, duke vonuar dhe penguar investimin e tyre në ekonomi, prodhon papunësi dhe varfëri; dobësimi i qeverisjes eshte nje kosto qe vjen nga zgjatja e proceseve gjyqësore, pasi vonesat krijojne rrezik real për rritjen e korrupsionit.

Politikat e mira publike në luftën kundër korrupsionit duhet te reduktojnë faktorët korruptues, jo thjesht ndëshkimin e të korruptuarve.

Fundi i mos ndershkueshmerise është arritja më e madhe e reformës në drejtësi. Por pa funksionimin e shtetit juridik në të gjitha aspektet reforma ne gjyqesore mbetet e paplotë dhe e paqëndrueshme; dobësimi i administratës publike eshte nje kosto tjeter negative. Vonesat në gjykata kanë prekur rëndë administratën publike. Shumë shkarkime nga puna në administratë që aktualisht janë në gjyq janë bërë për motive personale apo edhe partiake. Shumica e largimit te tyre janë përdorur për të krijuar vende të reja pune dhe për t’i përdorur ato për nepotizëm dhe shitje korruptive të vendeve të punës.

Janë rreth 70 milionë euro ose 7 miliardë lekë që u mbingarkohen taksapaguesve shqiptarë të varfër për shkak të pagesës së vendimeve gjyqesore te largimeve jo ligjore nga puna.

Eshte koha të vendoset barazi para ligjit për të gjithë personat vendas ose të huaj. Më konkretisht, bazuar në kushtetutën e vendit tonë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të paguhen me prioritet. Por kjo e bën të vështirë respektimin e të njëjtit status për vendimet e gjykatave shqiptare.

Ne nuk mund të ndryshojmë kushtetutën sepse ai parim synonte rritjen e sigurisë juridike për investitorët e huaj. Por në rastin konkret mijëra shqiptarë jo vetëm që nuk kanë siguri juridike, por trajtohen si të dorës së dytë.

Respektimi i të gjithëve perpara ligjit në mënyrë të barabartë do të prodhojë më shumë pozitivitet në vend dhe do të ketë efekte pozitive ekonomike dhe sociale më shumë se të huajt që fitojnë gjyqe në gjykatat ndërkombëtare.

Nuk është e lehtë të negociosh me të huajt mbi këtë parim të reciprocitetit te barazise juridike, por nuk është e pamundur.

Në vitin 2004, SIGMA, kompania e konsulences më e mirë në BE për reformat strukturore në vendet ish komuniste, në negociatat me Ministrinë e Financave per ligjin organik te manaxhimit te sistemit buxhetore, kërkoi që në kete ligj në rendin e pagesave nga Thesari duhet të vendosej e para ne rradhe, pagimi i vendimeve te gjykatave nderkombetare ne favor te bizneseve të huaja.

Nuk mund ta mbështesja atë propozim, duke i sqaruar experteve te SIGMA-s se para pagave, sigurimeve shoqërore, pensioneve dhe pagesat për të papunët dhe invalidët nuk mund të vendosim asnjë detyrim tjetër

E kemi diskutuar gjatë dhe ai kusht nuk është përfshirë në draft ligjin e paraqitur nga Ministria e Financave ne vitin 2004.

Është koha për më shumë respekt të ndërsjellë në çdo bashkëpunim.

Ne vendimin e saj Gjykata Kushtetuese duke e cilesuar te jashtezakonshme situaten ne gjyqesorin shqiptar ku jane rreth 109 mije dosje te vonuara per gjykim, sugjeron një zgjidhje të jashtëzakonshme.

Reduktimi i vonesave tepër të gjata imponon një rritje të numrit të gjyqtarëve.

Cilat mund te ishin disa hapa konkrete për të zbutur/zgjidhur këtë krizë?

Mund te përcaktohet numri mesatar i dosjeve që çdo gjyqtar mund të trajtojë në një muaj; duhet garantuar e drejta për pagesë shtesë gjyqtareve per dosjet e shqyrtuara mbi këtë numër mesatar; duhet vendosur një kufi maksimal të pranueshëm psh jo më shumë se 25% te ngarkesa mujore;

Stafi akademik në universitetet juridike publike dhe private mund të angazhohet në shqyrtimin e çështjeve të stërzgjatura, me procedura të qarta dhe me shpërblim të garantuar;

mund të angazhohen studentë të drejtësisë me master shkencor. Ne kemi ndoshta mijëra studentë me Master Shkencor në Drejtësi. Ata mund të ofrohen dhe të angazhohen me pagese për gjykimin e çështjeve të pazgjidhura.

Të gjithë të angazhuarit do të kenë kontratë për përgjegjësi morale e ligjore dhe përfitime financiare, por edhe aplikimin e bonusit për shkollën e magjistratures apo promovimin në karrierën e tyre profesionale.

Për shembull, kur u aplikua per here te pare profesioni i “kontabilistit të miratuar” me urdhër të ministrit, stafi mesim dhenes në departamentin e kontabilitetit fituan automatikisht titullin “kontabilist i miratuar” ndërsa fazat e tjera të karrierës për profesione si “auditues ligjor” do ti përfitonin përmes procedurave të licencimit.

Ne perfundim – për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, nuk duhet të ketë asnjë justifikim se kuadri aktual ligjor po na pengon.

Ligjet janë vullnet politik në përputhje me disa parime të rëndësishme dhe ne kontekstin e situatave konkrete.

Ato nuk janë ligje natyrore të pandryshueshme, të vërtetuara si të tilla.

Ndërsa ligjet që japin zgjidhje janë vullneti politik, ku sipas demokracisë deputetët kanë legjitimitetin dhe fuqinë e deleguar nga zgjedhësit për t’i përmirësuar ato dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë edhe për situatat më të vështira.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: