Nga: OLA MITRE*TIRANE-Rreth 650 mjekë, farma cistë dhe stomatologë do të duhet të lenë vendin e tyre të punës. Pas përpunimit të rezultateve përfundimtare nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim rezulton se ata kanë marrë zero kredite gjatë ciklit 5-vjeçar (2010- 2014) të ricertifikimit e për pasojë duhet të përballen me sanksionet që parashikohen në urdhrin e muajit korrik, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Shifra e mësipërme i takon personelit shëndetësor në sistemin publik dhe atë privat, ndërkohë që me sanksione do të përballen edhe rreth 1491 të tjerë profesionistë të shëndetësisë. Kjo, pasi ata nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve sipas ciklit të parë të ricertifikimit (150 kredite mjekët dhe 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). “Ne kemi publikuar listën përfundimtare me mjekët, farmacistët dhe stomatologët që rezultojnë me status të kryer, çka do të thotë se çdokush që gjen emrin në këtë listë me rreth 8000 profesionistë të shëndetësisë, e ka të sigurt vendin e punës. Ndërkohë që sipas të dhënave përfundimtare, rezulton se 199 mjekë, 72 farmacistë dhe 379 stomatologë kanë zero kredite. Po ashtu, rezulton se 1004 mjekë, 121 farmacistë dhe 366 stomatologë nuk kanë përmbushur detyrimet për mbledhjen e numrit të kërkuar të krediteve. Në ditët në vijim, profesionistët e shëndetësisë të sektorit publik do të njoftohen nga QKEV për situatën e tyre nëpër institucionet ku ata punojnë, ndërsa ata të sektorit privat do të njoftohen nga urdhrat profesionalë përkatës”, u shpreh drejtoresha e QKEV, Entela Shehu për “Gazeta Shqiptare”. SANKSIONET Sipas vendimit me nr. 295, datë 08.07.2014, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, profesionistëve të sistemit publik, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca, ndërsa që prej ditës kur njoftohen nga QKEV, drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV.

Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Për profesionistët e sektorit privat, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, urdhri profesional përkatës pezullon licencën, pas njoftimit nga QKEV. Këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Ndërkohë që profesionistët e sektorit privat që kanë më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve iu pezullohet licenca. Ata fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.

RREGULLORJA E PROVIMIT
Ndërkaq, Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë ka miratuar rregulloren e provimit të ricertifikimit, të cilit do t’i nënshtrohen të gjithë ata profesionistë që nuk kanë mbledhur numrin e kërkuar të krediteve gjatë ciklit 5- vjeçar (150 kredite mjekët dhe nga 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). Sipas rregullores, nga ky detyrim do të përjashtohen profesionistët e punësuar në shërbimin publik shëndetësor, të cilët për 2 vjet ose më pak arrijnë moshën e pensionit. Po ashtu, përjashtohen dhe profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë 2 vjet përpara përfundimit të ciklit të ricertifikimit. Kjo do të thotë se ata mjekë, dentistë dhe farmacistë që janë licencuar pas datës 1 janar 2012 nuk do t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit. Po ashtu, rregullorja saktëson se profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: