Shërbimet, që anëtarët e profesionit kontabël, por edhe të profesioneve të tjera, siç janë noterët, avokatët, audituesit, këshilltarët tatimorë, etj., japin ndaj klientëve të tyre, entitete biznesi apo persona fizikë, në ditët e sotme janë të shumta.

Për më tepër, ka një prirje që profesionet të ndërveprojnë më shumë midis tyre, të zotërojnë njohuri dhe aftësi të përbashkëta dhe të “investojnë” shërbime të reja, qoftë për të diversifikuar portofolin e shërbimeve, ashtu edhe për të përmirësuar cilësinë e mbrojtjes së biznesit dhe të interesit publik.

Në kushtet e avancimit të teknologjisë së informacionit, duket se dallimet midis profesioneve të ndryshme në dhënien e shërbimeve ndaj klientëve, po zvogëlohen ndjeshëm, aq sa mund të thuhet se menaxheri dhe kontabilisti pothuajse kryejnë “të njëjtën punë”, për sa kohë, aftësitë dhe zotësitë e tyre më të kërkuara janë ato që kanë bëjnë me njohjen dhe përdorimin efektiv të mjeteve dhe instrumenteve që ofron teknologjia.

Duke iu referuar udhëzuesit për parandalimin e pastrimit të parave për kontabilistët dhe SMP-të, të publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (IFAC) në bashkëpunim me Institutin e Kontabilistëve të Certifikuar të Anglisë dhe Uellsit, për pastrimin e parave, dhe publikimit të Accountancy Europe në lidhje me një trajtim proaktiv të rreziqeve të pastrimit të parave, në vijim nisur nga një këndvështrim praktik, po trajtoj shkurtimisht disa nga rrugët e kujdesit dhe të vigjilencës që anëtarët e profesionit duhet të tregojnë për disa kategori të shërbimeve profesionale:

 

Ndihma për krijimin e shoqërive tregtare dhe regjistrimin e personave juridikë 

Asistenca në krijimin e personave juridikë konsiderohet nga shërbimet më të shpeshta të kryera nga anëtarët e profesionit kontabël, të cilët në realizimin e këtij angazhimi, kooperojnë me avokatët, noterët dhe profesionistë të tjerë.

Krijimi i entiteteve të reja është i ndjeshëm ndaj rrezikut të pastrimit të parave, pasi bizneset e krijuara mund të përdorin, si për financimin fillestar, por edhe për veprimtarinë e tyre në vazhdimësi, burime financiare që mund të vijnë nga aktivitetet kriminale.

Për këtë arsye, anëtarët e profesionit kërkohet të aplikojnë metodën që bazohet në vlerësimin e rrezikut, për të njohur dhe për të kuptuar arsyet e vërteta të krijimit dhe regjistrimit të një entiteti biznesi. Përpara se të marrin vendimin nëse do të asistojnë ose jo në krijimin e entiteteve të ndryshme, profesionistët kontabël duhet të vlerësojnë rreziqet e mundshme të pastrimit të parave.

Këto rreziqe mund të lidhen me objektin e veprimtarisë së entitetit, me pronarët përfitues të tij, me burimet e financimit të kapitalit fillestar dhe të nisjes e vijimit të aktivitetit, etj. Në varësi të nivelit të vlerësuar të rrezikut, pasi janë identifikuar dhe analizuar të gjithë rrethanat dhe kushtet e mundshme, profesionisti mund të ketë obligimin ligjor të raportimit tek autoriteti përgjegjës, kurdoherë që ai krijon bindjen se prapa krijimit të një entiteti, po synohet të fshihet një aktivitet i dyshimtë.

 

Si mund të përdoret shërbimi i profesionistit kontabël për krijimin dhe administrimin e entiteteve që mund të merren me pastrimin e parave?

Duke punuar ngushtësisht me profesionet e tjera, për të realizuar shërbimin e krijimit dhe regjistrimit të entitetit, profesionistët kontabël, përgatisin dokumentacionin e nevojshëm, përpilojnë kërkesat për regjistrimin fillestar, aplikojnë për marrjen e lejeve dhe licencave për llogari të klientit të ri, etj.

Gjithashtu, profesionisti mund të marrë përsipër të kryejë detyra specifike për entitetin e sapokrijuar, siç janë përfaqësimi, apo përzgjedhja e individëve për pozicione, të tilla si administratorët apo anëtarët e organeve të qeverisjes.

Ata mund të referojnë për entitetin edhe individë për të marrë pjesë në cilësinë e ortakëve/aksionerëve lokalë, në rastin e shoqërive të huaja, ose të ortakëve/aksionerëve të huaj, në rastin e shoqërive vendase. Një fushë mjaft e përhapur e shërbimit është edhe ofrimi i adresës së profesionistit, si rezidencë, për t’u përdorur nga personat e rinj juridikë, si adresë e aktivitetit të tyre të biznesit.

Nisur nga qëllimi kryesor, pastrimi i parave, kriminelët preferojnë anonimitetin dhe regjistrimin e entiteteve të biznesit për periudha afatshkurtra. Individëve të botës së krimit u duhen kompanitë e krijuara për të transferuar dhe për të fshehur paratë e paligjshme.

Përfshirja e tyre në pronësinë e entiteteve të regjistruara në juridiksionet offshore, bën të mundur që ata të distancohen nga shoqëria e themeluar, duke e bërë shumë të vështirë, identifikimin e origjinës së parave nga organet e zbatimit të ligjit. Format që përdoren nga kriminelët për të maskuar burimet e tyre, përmes krijimit të entiteteve të biznesit, janë të shumëllojta, që nga krijimi i bizneseve të shumëfishta dhe të ndërlidhura, të regjistruara në adresa të ndryshme, e deri te blerja e kompanive guaska, të cilat kanë histori suksesi të aktivitetit të tyre.

Parandalimi i hyrjes së parave të paligjshme në ekonomi, përmes krijimit dhe regjistrimit të entiteteve të biznesit, kërkon që profesionistët, të vlerësojnë rrezikun që ky proces të synojë pastrimin e parave. Identifikimi, vlerësimi dhe reagimi janë tre momentet më të rëndësishme të një metode efektive që bazohet në vlerësimin e rrezikut. Në radhë të parë, profesionisti kërkohet të tregojë kujdesin e duhur ndaj klientit.

Për këtë qëllim, ai duhet të kryejë procedurat e vigjilencës së duhur për të njohur më mirë individët që zotërojnë, kontrollojnë apo përfitojnë, në mënyrë përfundimtare, nga entiteti që krijohet. Kjo ndihmon të vlerësohet rreziku që entiteti të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme, ose rreziku që profesionisti të ndihmojë për kryerjen e veprimeve jo të ligjshme. Në çdo rast që ka shqetësime apo dyshime ndaj individëve zotërues ose përfitues, profesionisti duhet të angazhohet në një proces vigjilence më të rreptë sa i takon njohjes së identitetit dhe aktivitetit të tyre.

Një shkallë e zgjeruar e vigjilencës do të ushtrohet veçanërisht kur individët kërkues, ose përfitues, janë persona të ekspozuar politikisht, pasi ka rrezik të lartë që shumat e parave për krijimin e entitetit të jenë produkt i ryshfetit dhe korrupsionit.

Në radhë të dytë, profesionisti duhet të kuptojë pse individët përfitues të klientit të ardhshëm po i kërkojnë atij asistencë për krijimin e entitetit të biznesit ose për ofrimin e shërbimit të rezidencës apo të administrimit. Për të njohur arsyet dhe qëllimet e vërteta të krijimit të një biznesi, për t’u siguruar se nuk do të përfshihet qoftë dhe pa dashje në një veprim ilegal, kur ka dyshim të arsyeshëm për burimin dhe qëllimin, profesionisti kontabël duhet të përdorë gjykimin dhe skepticizmin profesional.

Në radhë të tretë, profesionisti kontabël duhet të verifikojë burimin e parave që investohen. Kur profesionistit i kërkohet të ndihmojë me krijimin dhe regjistrimin e një entiteti, pavarësisht nëse ai është një shoqëri tregtare apo një organizatë jofitimprurëse; ose për kryerjen e një transaksioni, ai duhet të sigurohet se e njeh, në mënyrë të mjaftueshme, burimin nga vijnë paratë që investohen apo transferohen.

Për shembull, fondet mund të vijnë nga kursimet familjare ose trashëgimia; nga shitja e aktiveve të ndryshme; nga investimet afatgjata; nga pronësia në biznese të ndryshme, etj., sikurse mund të vijnë edhe nga burime të paligjshme.

 

Shërbimi i asistencës për transferimin e aktiveve ose parave.

Rruga kryesore që përdorin grupet kriminale për pastrimin e parave është shtresëzimi dhe integrimi i të ardhurave nga veprimtaritë kriminale në ekonominë legjitime, përmes transferimit të aktiveve, në formën e pronave të luajtshme dhe të paluajtshme dhe të vlerave të mëdha.

Marrëdhëniet e profesionistit me klientin, në këto raste, kufizohen në ndihmën për transferimin e aktiveve dhe mund të jenë afatshkurtra. Për të mos u përfshirë në mënyrë të vullnetshme në veprimtaritë joligjore të pastrimit të parave, profesionistët kontabël duhet të zbatojnë në mënyrë efektive metodën që niset nga vlerësimi i rrezikut.

Grupet kriminale i lëvizin shumat e fituara nga veprimtaritë kriminale në individë të ndryshëm dhe në vende të ndryshme, duke blerë, duke shitur ose duke shkëmbyer aktive me vlera të larta. Mund të ndodhë që ata të shtresëzojnë të ardhurat e tyre të paligjshme, duke i përfshirë ato në transaksione të lidhura me njëra-tjetrën, siç mund të jetë, për shembull, shkëmbimi i një autoveture luksoze me një apartament banimi në një zonë bregdetare.

Apartamenti në një kohë të dytë mund të shitet me çmim më të lartë, një fakt që synon të mbulojë burimin e parave të përdorura, pasi individët thjesht shohin që një veturë e shtrenjtë shkëmbehet me një apartament, dhe nga shitja e apartamentit krijohen të ardhura në para në dukje të ligjshme.

Duke kaluar në disa operacione, tentohet të mbulohet origjina e parave, pasi zbulimi do të kërkonte që të merrej përgjigjja për pyetjen “Po paratë me të cilat është blerë autovetura nga e kanë burimin?”, e cila mund të tregojë shumeë nëse kemi të bëjmë me të ardhura të ligjshme ose jo.

Shlyerja e detyrimeve të firmave të ndërtimit ndaj furnizuesve të ndryshëm të mallrave dhe shërbimeve me produkte, për shembull apartamente banimi, në kushtet e mungesës së burimeve financiare, mund të jetë një rrethanë “justifikuese” e veprimeve maskuese që synojnë pastrimin e parave. Sidoqoftë, pavarësisht nga forma apo strukturimi i transaksioneve, qëllimi final i pastruesve të shumave të veprave kriminale është fshehja e lidhjes së tyre me veprimtaritë kriminale.

Përveç sa më sipër, mund të ndodhë që, në mënyrë të pavullnetshme, profesionistët kontabël, të ndihmojnë grupet kriminale, për të lëvizur të ardhurat e krimit, nëpërmjet asistencës që ata japin për strukturimin dhe “justifikimin” e transferimit të aktiveve, ose duke dhënë këshilla tatimore për kryerjen e transaksioneve.

Profesionistët kontabël mund dhe duhet të luajnë rol të rëndësishëm për të parandaluar pastrimin e parave, përmes transferimit të aktiveve. Duke zbatuar qasjen e bazuar në vlerësimin rrezikut, ata do të jenë në gjendje të zbulojnë fenomenin dhe të kontribuojnë në parandalimin e tij.

Anëtarët e profesionit kërkohet të bëjnë analiza të thelluara, kurdoherë që shërbimi i tyre përfshin këshillimin e klientëve për shitjen ose blerjen e aktiveve. Është me rëndësi që nga kjo analizë të sigurohen informacionet e nevojshme për pronarin përfitues të aktivit, të kuptohet nëse ky, apo këta persona, janë të njëjtë me personat në emër të të cilëve aktivi është regjistruar.

E njëjta gjë kërkohet të bëhet edhe për zotëruesin e aktivit pas transferimit. Rendësi të madhe ka edhe verifikimi apo vlerësimi i burimit të parave të blerësit të aktivit. Profesionisti duhet të përdorë gjykimin profesional për të vlerësuar nëse blerja ka kuptim dhe i shërben objektit dhe qëllimit të biznesit.

Në rastet kur transferimet bëhen për entitete jofitimprurëse, ose për qëllime bamirësie, rëndësi të veçantë merr vlerësimi se sa i arsyeshëm apo racional është transferimi. Në praktikë mund të ndodhë që transaksionet e transferimit të mos jenë të shkëputura, por pjesë e transferimeve të tjera, të cilat mund të jenë kryer me ndihmën e profesionistëve të tjerë.

Një tjetër vlerësim i nevojshëm i profesionistit mund të lidhet me gjeografinë ose juridiksionin nga i cili iniciohet transferimi, pasi mund të ndodhë që juridiksioni të jetë me nivel të lartë të rrezikut për pastrimin e parave, për shkak se standardet e FATF-së mund të mos kenë gjetur përfshirjen e duhur në aktet ligjore e rregullatore të vendit përkatës, ose për shkak se shkalla e zbatimit të ligjit në atë vend është e ulët. Kujdesi i duhur dhe masat e vigjilencës do të jenë më të forta, në rastet kur rreziku i pastrimit të parave është i lartë.

 

Shërbimi i këshillimit për tatimet dhe taksat 

Këshillimi tatimor është një nga shërbimet tradicionale dhe më të zakonshme që kryejnë profesionistët kontabël. Për shkak se kuadri i zbatueshëm ligjor dhe rregullator në fushën e tatimeve dhe taksave ndryshon shpesh, dhe gjithashtu është i ndryshëm nga njëri vend në tjetrin, për shkak të mundësive për evazion fiskal, fusha e taksave dhe tatimeve konsiderohet me rrezik të lartë për pastrimin e parave dhe krijimin e të ardhurave të paligjshme, të cilat mund të përdoren për të stimuluar veprimtaritë korruptive.

Ndryshimet më të fundit në Direktivën e BE-së për parandalimin e pastrimit të parave, përfshijnë në mënyrë specifike si subjekt të kuadrit rregullator profesionin kontabël, veçanërisht në rastet kur ai jep shërbime për taksat dhe tatimet.

Anëtarët e profesionit kontabël duhet të jenë të vetëdijshëm dhe vigjilentë për mënyrat e shumta, në të cilat shërbimet tatimore mund të “kontribuojnë” në pastrimin i parave. Ristrukturimi i tatimeve e taksave mund të përdoret për të fshehur të ardhurat kriminale, ose për të shmangur tatimin mbi të ardhurat e ligjshme.

Profesionistët kontabël, të cilët kryejnë shërbimin e pajtueshmërisë me kërkesat tatimore, siç është përgatitja e deklaratave tatimore, duhet të tregojnë kujdes, sidomos kur nga klientët kërkohet të keqinterpretohen fitimet ose aktivet reale.

 

Si mund të përdoren këshillat tatimore nga grupet kriminale? 

Firmat kontabël të specializuara në fushën e taksa-tatimeve mund të përdoren nga grupet kriminale për të transferuar aktive ose para, të cilat mund të vijnë nga vepra të ndryshme të paligjshme. Duke u paraqitur si “biznesmenë” që kërkojnë këshilla tatimore për investimin e parave, ata, në të vërtetë, kërkojnë të ulin ose shmangin detyrimet e ardhshme tatimore.

Edhe veprimtaria profesionale e ligjshme e strukturimit për qëllime të minimizimit të taksave, mund të kthehet në një aktivitet të evazionit fiskal. Duke qenë se të ardhurat nga evazioni janë të paligjshme, përfshirja e profesionistëve në këtë proces, rrit rrezikun që ata të kryejnë në fakt një vepër penale, pasi ndihmojnë direkt apo indirekt në krijimin e shumave të paligjshme dhe potencialisht në pastrimin e këtyre shumave në të ardhmen.

Jo rrallë ndodh që profesionistët të shfrytëzojnë sistemin tatimor për të legjitimuar shumat nga veprat penale. Pavarësisht se sistemi tatimor dhe aspektet aplikative të tij kanë pësuar e pësojnë vazhdimisht përmirësime, sistemi në vetvete nuk mund të jetë plotësisht imun.

Ai mund të ketë anë të dobëta, ose trajtime të paqarta, të cilat mund të shfrytëzohen për t’ju dhënë legjitimitet parave me burime të dyshimta. Deklarimi i këtyre shumave përmes pagesës së tatimeve, shërben për të krijuar përshtypjen se ato janë të ardhura nga veprimtaritë tregtare normale.

Prandaj, shmangia e rrezikut të përfshirjes në veprime të tilla të paligjshme, do të kërkonte që profesionistët kontabël, të cilët angazhohen në kryerjen e shërbimeve tatimore për klientët e tyre, të përdorin metodën e analizës të bazuar te rreziku. Në çdo rast, profesionisti kontabël duhet të përdorë gjykimin profesional dhe skepticizmin, për të kuptuar nëse kërkesa e klientit për planifikimin tatimor, apo shtyrjen në kohë të pagesës së tatimeve, ka një bazë logjike tregtare apo individuale.

Gjithashtu, ai duhet të vlerësojë përfituesin real të këshillës që kërkohet, të analizojë nëse klienti ka një histori të evazionit dhe shkeljeve tatimore, e cila mund të jetë evidentuar nga kontrollet tatimore të mëparshme, periodike apo të rastësishme. Një element i rëndësishëm i vlerësimit është edhe fakti nëse suksesi i mundshëm i planifikimit tatimor do të kërkonte që profesionisti të bënte interpretime të pambështetura, të cilat shkojnë përtej kërkesave të ligjit tatimor, me rrezik evazioni dhe shkelje të tjera.

Një çështje me shumë rëndësi është natyrisht vlerësimi nëse përfituesit e shërbimeve janë individë rezidentë të vendeve apo juridiksioneve që konsiderohen me rrezik të lartë të pastrimit të parave (FATF publikon listën e vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave).

Natyrisht, gama e shërbimeve tatimore është e gjerë, kështu që edhe rreziku i përfshirjes së profesionistit në veprimtari në kundërshtim me ligjin, është i madh. Në çdo rast, që vlerëson një rrezik të shtuar dhe kurdoherë që profesionisti nuk është në gjendje ta zvogëlojë rrezikun në nivelin e kërkuar, mundësia përfundimtare e shmangies së rrezikut sipas kodit IESBA, është tërheqja nga angazhimi, e cila nuk përjashton obligimin ligjor dhe profesional për raportimin konfidencial të aktiviteteve të dyshimta tek autoriteti përgjegjës. I gjithë procesi duhet të dokumentohet në mënyrë të arsyeshme dhe të përshtatshme.

 

Shërbimet për bizneset në vështirësi financiare, ose në prag falimentimi

Kategoria e entiteteve në vështirësi financiare, apo në prag falimentimi, paraqesin rrezik të shtuar për pastrimin e parave, pasi ato janë atraktive për grupet kriminale. Këto të fundit, duke parë nevojën e ngutshme për mjete financiare, mund të investojnë paratë e tyre të paligjshme tek kjo kategori e entiteteve dhe në këtë mënyrë “shpëtojnë” bizneset nga falimentimi.

Kompleksiteti i situatave të bizneseve në vështirësi rrit rrezikun që profesionistet kontabël të ndihmojnë në mënyrë të paqëllimshme në pastrimin e parave. Prandaj, anëtarët e profesionit kontabël, të cilët kryejnë shërbime dhe detyra në kapacitete të ndryshme për këtë kategori të bizneseve, duhet të ndërgjegjësohen për rreziqet, t’i vlerësojnë dhe të marrin masa për t’i zvogëluar ato deri në një nivel të ulët të pranueshëm.

Një individ mund të arrijë të bindë një pronar biznesi në vështirësi, se po e ndihmon përkohësisht me burime financiare, për shembull, duke investuar me pjesëmarrje në kapitalin e entitetit në vështirësi. Këto para, të cilat mund të vijnë nga burime kriminale si droga, prostitucioni, korrupsioni, etj., nga individi prezantohen thjesht si burime të lira financiare, të gatshme për t’u investuar.

Praktika gjerësisht e përhapur midis entiteteve të biznesit në vendin tonë, ku vetë ortakët ose pronarët “furnizojnë” biznesin e tyre me mjete financiare, sa herë që biznesi i tyre ka mungesë të përkohshme mjetesh financiare për të shlyer detyrimet afatshkurtra, tregon se kushtet për këtë formë të pastrimit të parave ekzistojnë. Furnizimet me para të pronarëve për biznesin zakonisht përfshihen në llogarinë kontabël “Marrëdhënie me ortakun/aksionerin”, e cila ka njohur rritje në vite.

Frytet e “investimit” të parave me burime kriminale, i kthehen “investitorit pastrues” në formën pagesave nga biznesi, të cilat duken si të ardhura legjitime nga investimi dhe, për më tepër, mund të transferohen përmes kanaleve bankare. Pra lëvizja e parave, duke përdorur bizneset në vështirësi, ose në prag falimentimi, mund të përdoret nga grupet kriminale për të maskuar gjurmët kriminale të të ardhurave të tyre.

Si mënyrë më e lehtë për pastrimin e parave, për grupet kriminale mund të jetë më atraktive blerja e bizneseve në vështirësi financiare, që kryejnë arkëtime dhe pagesa me para në dorë. Bizneset me intensitet të lartë të hyrje-daljeve të parave fizike, janë mjaft të lakmuar nga pastruesit, pasi ofrojnë mundësi për të integruar volume të mëdha të parave në sistemin financiar. Maskimi i të ardhurave të fituara nga tregtia e paligjshme e drogës, krimit dhe korrupsionit, duke i paraqitur ato si të ardhura nga aktiviteti, konsiderohet një mënyrë e lehtë për integrimin e mëtejshëm.

Bizneset me probleme financiare dhe me një klime të brendshme jo-etike, e cila reflektohet në individë me sjellje mashtruese, kanë rrezik të lartë që në aktivitetin tyre të “integrojnë” shuma parash me burim veprimtaritë kriminale.

Prandaj, profesionistet kontabël duhet të tregojnë kujdes maksimal kur japin shërbime të ndryshme, siç janë ato për gjetjen e burimeve të financimit, ristrukturimet e aktiviteteve, në kuadër të garantimit të vijueshmërisë së veprimtarisë, administrimin e përkohshëm të procesit, etj..

Për këtë arsye, kur japin shërbime për shoqëritë tregtare në prag falimentimi, profesionistët duhet të vlerësojnë rreziqet që shërbimet e tyre mund të kontribuojnë në pastrimin e parave. Ata duhet të sigurojnë informacionet e nevojshme në lidhje me identitetin e investitorëve “shpëtimtarë”, apo të individëve që janë përfituesit realë të të ardhurave të investimit.

Kur mbështetja financiare për biznesin në vështirësi, jepet nga persona juridikë, profesionistët kërkohet të njohin identitetin e pronarëve dhe të menaxherëve të entitetit investues dhe faktin, nëse individët zotërues kanë burime të ardhurash të tjera veç atyre të biznesit.

Në fokus të njohjes, vigjilencës dhe kujdesit të profesionistit duhet të jetë edhe objekti i veprimtarisë së entitetit që blihet, me qëllim që të vlerësohet rreziku i pastrimit të parave për shkak të natyrës së aktivitetit, përfshirë rrezikun për evazion fiskal apo të lëshimit të faturave me shifra fiktive. Sikurse edhe në rastet e tjera, kujdes i veçantë duhet të tregohet për entitetet që vijnë nga juridiksione me histori pastrimi të parave.

Profesionistët që asistojnë klientët në blerjen e bizneseve në vështirësi financiare, apo për bashkimet dhe përthithjet, duhet të vlerësojnë nëse blerja apo bashkimi që propozohet kanë bazë logjike dhe janë të arsyeshme. Në mënyrë të posaçme, ata duhet të njohin individët që marrin pjesë në blerje.

Kur rreziqet që biznesi do të përfshihet në veprimtari të paligjshme, janë të larta, profesionistët do të shikojnë mundësinë e tërheqjes nga kryerja e këtyre shërbimeve, përfshirë obligimet e tyre profesionale për të raportuar, nëse rastet vlerësohen mjaftueshëm të dyshimta për t’u raportuar pranë autoriteteve përgjigjes. Dokumentimi i identifikimit, vlerësimit dhe adresimit të rreziqeve, është një detyrë e vazhdueshme e profesionistëve kontabël.

Anëtarët e profesioneve që mbulojnë fushat kontabël, të taksave, ligjore, etj., të ngjashme, luajnë rol të pazëvendësueshëm për mbrojtjen e interesit publik, në veprimtaritë e tyre të shumëllojshme, duke respektuar ligjet, rregullat dhe standardet, por edhe parimet e etikës profesionale dhe standardet e pavarësisë, profesionistët mund dhe duhet të bëjnë më shumë kujdes dhe të tregojnë më shumë vigjilencë edhe ndaj pastrimit të parave.

Respektimi prej tyre i parimit të sjelljes profesionale kontribuon drejtpërdrejt në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe një ekonomi konkurruese, e cila në analizë të fundit, stimulon potenciale të reja dhe garanton drejtësinë sociale, që është baza për bashkëjetesën dhe zhvillimin ekonomiko-social.

Prof. Dr. Hysen Çela, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës/Monitor