Demokratët Europianë kanë reaguar sërish ndaj kryeministrit Edi Rama, këtë herë lidhur me plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestave studentore në Tiranë.
Në një deklaratë publike, ata kërkojnë hetim të pavarur për incidentin, nxjerrjen përpara përgjegjësisë të personave të përfshirë dhe ndalimin e përdorimit joproporcional të forcës nga policia.
Në reagim thuhet se Vishkulli është qëlluar në sy me plumb gome nga policia dhe se shikimi i tij është tashmë në rrezik.
“Në Tiranë, 28-vjeçari Erjon Vishkulli u qëllua në sy nga një plumb gome i policisë. Shikimi i tij tani është në rrezik. Ne kërkojmë një hetim të pavarur, përgjegjësi dhe fundin e dhunës joproporcionale të policisë”, thuhet në deklaratë.
Demokratët Europianë kanë kritikuar gjithashtu kryeministrin Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të marrë meritat personale për organizimin e trajtimit mjekësor të të riut të plagosur.
Sipas tyre, pretendimi i kryeministrit është kundërshtuar publikisht nga familjarët e Erjon Vishkullit.
“Dhe çfarë bën Edi Rama? Përpiqet të marrë meritat personale për organizimin e trajtimit mjekësor të të riut, një pretendim që është kundërshtuar publikisht nga vetë familja e Erjonit”, theksohet në reagim.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë për kreun e qeverisë shqiptare, Demokratët Europianë nënvizojnë se mbrojtja e qytetarëve dhe garantimi i kujdesit shëndetësor janë detyrime të shtetit dhe jo favore personale të një politikani.
“Zoti Rama, mbrojtja e qytetarëve është detyra juaj, jo një akt bujarie personale. Kujdesi mjekësor është një e drejtë, jo një favor nga kryeministri”, thuhet më tej.
Në përfundim, Demokratët Europianë kërkojnë përgjegjësi për plagosjen e 28-vjeçarit dhe kritikojnë atë që e cilësojnë si përpjekje për përfitim politik nga ngjarja.
“Shqipëria ka nevojë për përgjegjësi, jo për vetëpromovim politik në kurriz të një të riu të plagosur”, përfundon deklarata.
