Kurt Kola, i ndarë nga jeta vetëm pak ditë më parë, ishte një korife qëndrestar i shtresës së përndjekjes së madhe, përgjatë një gjysmë shekulli absurd. I ka provuar të gjitha sprovat e ferrit në lëkurën e tij, dhe në këto vite të hapjes së madhe të çlirimit të shoqërisë shqiptare, me sens kritik dhe intuitë të hollë, ka përcjellë herë pas here qasje, ide dhe kauza, me anë të botimeve të tij të pritura me kërshëri e vlerësim nga lexuesi dhe kritika. Kështu e përshkruan Dukagjin Hata, Kurt Kolën, ish i përndjekur politik i regjimit komunist dhe një nga personalitetet më të spikatura të kësaj shtrese në demokraci.

Në parathënien e librit “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”, botim i “UET Press”, “Kola shënjestron mbrapshtinë e një pjese të klasës politike, e cila i ka humbur thuajse të gjitha fijet lidhëse me realitetin e jetës së gjallë njerëzore dhe në vend të ideve e kauzave reale, vë në veprim retorikën e shpëlarë të podiumeve dhe mashtrimet e radhës. Në vend të alternativave në shërbim të progresit kombëtar, vë në veprim flirtet e keqpërdorura me gjithkënd, qoftë dhe me armiqtë tanë historikë, për interesa të ngushta klanore pushteti”. Me metoda dhe psikoza neo-jakobine, pohon autori në rrëfimin e tij, duke na sjellë dhjetëra episode ilustruese, PD-ja krijoi kultin e individit dhe bunkerizimin e saj të trishtë, aq sa erdhi duke u rrudhur dhe elektorati i saj i zhgënjyer, bashkë me hapësirën e alternativave.

BalkanWeb nis sot botimin e momenteve kryesore të këtij libri.

“Përballja” e Enverit me Çajup Rusmali
Në Shqipëri, goditjen e kultit të Stalinit e mori përsipër vetë diktatori komunist, i singjashmi, i cili kishte qarë e derdhur lot në vdekjen e tij. Hoxha, në këtë veprim ishte i pavetëdijshëm, nuk e kuptonte se duke goditur kultin e Stalinit, godiste drejtpërdrejt veten e tij që ishte mot à mot kopja e Stalinit. E nisi goditjen në Elbasan, në mbledhje me komunistët e rrethit, për të vazhduar në gjithë Shqipërinë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në fund të fjalës së tij në këtë mbledhje pyeti: “A ka ndonjë vërejtje a sugjerim?”.
Diku nga fundi i sallës, u ngrit dikush, dhe me zë të lartë e me dorën përpjetë bërtiti: “Unë! Unë shoku Enver, dua të flas!”.
Enver Hoxha pa hezitim i dha fjalën. Treqind burra në sallë mbajtën frymën të dëgjonin, se çfarë do të thoshte ky njeri.

– Shoku Enver, – ia nisi pasionanti i kultit të individit, – ka plot dy orë që shoku Enver na flet kundër Enver Hoxhës, i cili udhëhoqi LNÇ, dëboi pushtuesin e tradhëtarët e vendit dhe po rindërton jetën e lumtur të popullit shqiptar. Jo shoku Enver! Unë nuk jam dakord me Enver Hoxhën që sulmon Enver Hoxhën, strategun e luftës dhe ideatorin e ndërtimit të socializmit në Shqipëri! Po deklaroj drejtpërdrejt para jush, se nuk jam dakord me fjalimin që mbajtët para kuadrove të partisë së rrethit.

E. Hoxha, teksa dëgjonte komunistin përballë, po rikalonte në mendje tërë fjalimin, çfarë kishte thënë për Stalinin e kultin e tij dhe, i ndërgjegjshëm se përkonin pikë e presje me bëmat e tij, i drejtohet sallës:
– Shokë, 10 minuta pushim! Ti, shoku që fole, qëndro këtu!
Salla u boshatis…Të gjithë kuadrot e partisë dolën jashtë në pritje të rifillimit të mbledhjes. Por ajo nuk rifilloi. Nuk u diskutua kurrë më pas atij rasti, kulti i individit në komunizëm, që në Shqipëri arriti të zëvendësojë perëndinë me diktatorin.
– Kush je ti? – e pyeti komunistin, kur ky zuri vend pranë tij.
– Jam Çajup Rusmali, sekretar partie i ndërmarrjes së përpunim drurit, shoku Enver.
– Që nesër do të shkosh në Tiranë. Do të jesh kandidat i Komitetit Qendror dhe drejtor i Televizionit Shqiptar. Ti je besnik i idealeve të partisë, të çmoj shumë e të besoj sektorin më të rëndësishëm të propogandës së partisë, shoku Çajup.

Nga ky moment fatzi i vitit 1959 e deri në vitin 1992, Shqipëria u vetizolua në një burg 28 mijë kilometra katrorë, me tre milionë skllevër, të rrethuar nga gardhi i telave me gjemba që përshkohej prej rrymës elektrike; i gjithë kufiri tokësor me Jugosllavinë e Greqinë u rrethua me posta ushtarake në çdo 100 metra largësi dhe me një ushtri të tërë, vetëm për të ruajtur shqiptarët që të mos iknin nga burgu Shqipëri. Përpos pozicionit strategjik, Shqipëria nuk kishte kurrfarë peshe dhe nuk luante ndonjë rol në politikën globale, kështu që as Perëndimit e as Lindjes nuk i interesonte çështja shqiptare. Vetizolimi hermetik kishte qëllim të mbronte diktatorin dhe diktaturën e tij antinjerëzore, ndonëse tre milionë skllevër i kërcënonte vdekja e paralajmëruar nga uria.
E solla në shprehje shembullin Çajup Rusmali, për të parë rolin e madh pozitiv a negativ të individit të thjeshtë dhe se sa dominon ky rol, në dëm apo dobi të shoqërisë në sisteme diktatoriale ose gjysmë diktatoriale.

Si nisi ndryshimi në Shqipëri
Shefi komunist shqiptar R. Alia, edhe pse në rrugë diplomatike përmes ambasadës jugosllave në Tiranë, ishte ftuar në mbledhjen e Katovicës në Poloni, nuk pranoi të merrte pjesë. Sigurisht, nuk e dinte axhendën e as qëllimin e mbledhjes, sepse ajo ishte top-sekret dhe do mbetej e tillë, deri kur të konkretizohej në praktikë ndryshimi i sistemit. Por në rrugë diplomatike sekrete, përmes ambasadës, ia solli diplomati jugosllav i cili na përfaqësoi atje. Ramiz Alia pati kohë të mjaftueshme të studionte dhe të përgatiste skemën, si edhe njerëzit e duhur që do t’i vinte në krye të subjekteve politike që do dilnin nga ndarja e partisë së vetme moniste – PPSH-së.

Ministri i Jashtëm R. Meile, kur u kthye, deklaroi në aeroport vizitën e planifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s, z. Peres De Kuellar, që shënonte një ngjarje të jashtëzakonshme.

R. Alia bëri ndryshimin e statusit të të burgosurve politikë të Burrelit, zbuti luftën e klasave, deklaroi se hoqi nga Kodi Penal nenin 55 të Agjitacionit e Propagandës, por e gjitha kjo qe një mashtrim, thjesht një alibi për konsum të jashtëm. Ai bëri një lëshim qesharak në ekonominë e fshatit. Këto veprime i ndërmori me maturi dhe ngadalë, deri kur erdhi Perez de Kuellar, i cili e urdhëroi të shpejtonte me reformat politike dhe ekonomike. Alia, si mjeshtër i demagogjisë dhe mashtrimit, e mbuloi urdhrin e Perez de Kuellar me sloganin: “Ne nuk jemi as me Lindjen, as me Perëndimin”; përgjigje standarde, por thjesht për konsum politik, sepse pas dy muajve inicioi hapjen e ambasadave në mes të ditës.

Me 8 korrik 1990, mbi tetë mijë shqiptarë u përcollën nga vetë qeveria me autobusë për në portin e Durrësit, drejt Italisë, Gjermanisë, Francës e vendeve të tjera Perëndimore. Një ditë pas largimit, diktatori Alia organizoi një miting në Tiranë, ku derdhi vrer ndaj atyre që i nisi zyrtarisht vetë.

Me taktikën “një hap para, një hap pas”, nisi dhe përfundoi kalimin nga diktatura në pluralizëm, pa gjakderdhje. Për të mos shkaktuar përplasje mes nostalgjikëve, komunistëve, fanatikëve dhe turmave të irrituara, vepronte me aksione dhe kundër-aksione. I kishte gati edhe skemat, edhe njerëzit. Sapo kalonte në epërsi revolta popullore, i nxirrte përballë detashmentin komunist. Kur qyetarët e Tiranës rrëzuan bustin e diktatorit Hoxha në sheshin “Skënderbej” dhe revolta popullore u bë kërcënuese, hodhi në veprim “Shoqatën për Mbrotjen e Figurës së Enverit”.

Strategjinë “aksion-kundëraksion” e përdorte me dy qëllime radikale: mospërplasje në luftë civile dhe ruajtja e bllokmenëve. Përveç kësaj taktike që funksionoi perfekt, kishte vënë në krye të demonstrimit të revoltës popullore Gardën e Pardesyve të Bardha për ta kontrolluar, frenuar e menaxhuar situatën. Garda përbëhej nga intelektualë komunistë, të konvertuar në antikomunistë, të cilët do të drejtonin pushtetin e ri që u jepte R. Alia.R. Alia dhe Byroja Politike kishin frikë nga studentët, sepse ata ishin të paideologjizuar dhe radikalë në kërkesa deri në hakmarrje për krimet e bëra. Fillimisht testoi intelektualët se çfarë mendonin për pluralizmin politik dhe, kur kuptoi se qenë të kënaqur me pluralizëm mendimi, nuk i vlerësoi si kërcënim. Kur testoi studentët në takimin me një grup të vogël të tyre, dhe dëgjoi kërkesat politike e reformat radikale, e kuptoi se nuk mund t’i zbuste me lajka. Mendoi përçarjen dhe marrjen e partisë së sapokrijuar, duke futur në mes tyre profesorët. Disa studentë të pabindur, Sigurimi i kërcënoi duke i detyruar të largoheshin në Amerikë, të tjerëve u uzurpoi partinë nëpërmjet Gardës që i shërbente atij.

Gjatë ditëve që shqiptarët ishin të ngujuar në ambasada, ne të burgosurit politikë të Burrelit i shoqëruam me revoltë, duke vënë parulla kundër qeverisë dhe diktatorit R. Alia. Komanda rrethoi burgun me ushtri e armatim të rëndë.

Kupola e shtetit u trondit dhe na sulmoi në mes të natës, me mbi 300 forca policore të komanduar nga zv/Ministri i Brendshëm. Më arrestuan mua si organizator dhe më dënuan për herë të katërt për agjitacion, ku u vërtetua mashtrimi i R. Alisë, se kishte hequr nga Kodi Penal këtë nen.

Procesi i ndryshimit, i detajuar me kujdes nga R. Alia, po i afrohej fundit. Partia e parë opozitare e drejtuar nga ish-sekretari i PPSH, Sali Berisha dhe garda e intelektualëve të përzgjedhur nga R. Alia, po formësohej e organizohej në mbarë vendin. Ndërkohë, qe iniciuar në protesta kërkesa për lirimin e të burgosurve politikë dhe pati filluar lirimi në grupe të vogla për të dënuarit për agjitacion-propagandë. Më 10 janar 1991 u lirua një grup prej 12 vetësh, ndër të cilët edhe unë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb