Kryebashkiakët e Berlinit, Vjenës dhe Madridit kanë rënë pre e një mashtrimi në internet, teksa kanë marrë një telefonuesi që pretendonte se ishte kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Dikush që dukej në pamje dhe zë si kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas thirri kolegët e rëndësishëm evropianë, të cilët e kuptuan se kishin të bënin me mashtrim vetëm pasi kishin komunikuar për disa minuta me hakerin “hokatar”.

Më pas vetë kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko pranoi se dikush që dukej dhe tingëllonte në zë si ai, ka kryer video-telefonata me kolegët e tij.

“Është një aktivitet “kriminal. Duhet të hetohen urgjentisht autorët”, tha ai pasi lajmi për skandalin mori dhenë.

Kryetarja e bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey, tha se ajo mori pjesë në një video-call në platformën Webex me dikë që dukej, në të gjitha aspektet si Klitschko.

“Nuk kishte asnjë shenjë se nuk ishte një person i vërtetë që fliste”, tha zyra e saj në një deklaratë.

Por, pas 15 minutash, biseda mori një kthesë të dyshimtë pasi “Klitschko i rremë” filloi të kërkonte kthimin e refugjatëve ukrainas në Gjermani për t’i regjistruar. Duke përfituar nga një ndërprerje në lidhje, kryebashkiaku kontaktoi ambasadorin ukrainas në Gjermani, i cili konfirmoi përmes një sërë telefonatash në Kiev se ai në video nuk ishte kryetari i vërtetë i kryeqytetit ukrainas.

“Ne besojmë se kemi të bëjmë me një falsifikim të thellë”, tha zyra e kryebashkiakes.

Giffey gjithashtu e konsideroi teknikën e përdorur “një instrument të ri lufte”.

Një dinamikë e ngjashme përfshiu edhe kryetarin e bashkisë së Madridit, José Luis MartinezAlmeida.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Vjenës, Michael Ludwig, postoi në Tëitter të mërkurën se kishte biseduar gjerësisht me kryebashkiakun e Kievit, por postimi u fshi të shtunën, pasi zyra e kryetarit të kryeqytetit austriak lëshoi ​​një deklaratë duke shpjeguar se kryetari i bashkisë ishte viktimë e “një episodi të rëndë të krimit kibernetik”.

“Fatmirësisht nuk jemi marrë me çështje veçanërisht të ndjeshme”, tha kryebashkiaku.

Sa i përket Klitschko, ai kërkoi që liderët europianë t’i kushtojnë vëmendje mënyrës si përcaktojnë takime dhe biseda me të.

“Kushtojini vëmendje se si përcaktohen takimet me mua. Bisedat zyrtare bëhen vetëm përmes kanaleve zyrtare”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb