NGA JETON SELIMI

Kukësi arrin një kualifikim historik duke u bërë skuadra e parë shqiptare që përmbys një rezultat në transfertë pas fitores 4-2 në Podgoricë kundër Mlladostit. Kuksianët, që ishin mundur në “Qemal Stafa” 1-0 një javë më parë, kanë arritur të shpërbëjnë kundërshtarin që në pjesën e parë. Serinë e golave do ta çelte Felipe Moreira, që lëviz bukur në hyrje të zonës dhe me një të djathtë të saktë mposht portierin kundërshtar.

As 6 minuta dhe kroati Pero Pejiç del në skenë, kur përfiton nga pritja e keqe e Raduloviçit dhe realizon golin e dytë. 2-0 për Kukësin, ndërsa në stadium tifozët malazezë fillojnë koret e turpshme raciste ndaj shqiptareve, të njëjta me ato që përdorën serbët në Beograd.

Por, për t’u dhënë një dush të ftohtë mendoi Erik Flores që në minutën e 32-të shënon golin e tretë. Pjesa e dytë do të shohë Mlladostin më të avancuar e Kukësin më të kujdesshëm, por Scepanoviç do të ngushtonte rezultatin në minutën e 62-të, duke ndezur një fije shpresë te Mlladosti dhe sërish kore raciste te tifozët.

Ndryshe nga malazezët, kuksianët e pranishëm në stadium mbështesnin vetëm ekipin e tyre dhe u shpërblyen 10 minuta më pas, kur Pejiç finalizon shkëlqyeshëm kundërsulmin e Erik Floresit. 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, është Adzoviç që shënon golin e fundit të ndeshjes, një gol sa për statistikë, pasi Kukësi arrin një kualifikimin historik në transfertë dhe të merituar.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb