Është shpallur fituesi i konkursit ndërkombëtar për “Tirana Fountaine Tower”.
Fituese është shpallur kompania “Bjarge Ingels Group”.
Gjatë një konference u nënvizuan aspektet pozitive të tij dhe pse ishte zgjedhja mes pesë emrave që prezantuan këtë të enjte propozimet e tyre për zhvillimin tek gjurma ku sot ndodhen Tajvani dhe Parku Rinia.
Ja çfarë parashikon projekti i “Bjarge Ingels Group”
Studio daneze BIG – Bjarke Ingels Group ka propozuar një ndërtesë tridimensionale të ngritur mbi nivelin e tokës, me volume që synojnë të lirojnë sa më shumë hapësirën e parkut dhe ta mbajnë atë të aksesueshme për publikun.

Koncepti mbështetet te ideja e një “reje”, me hapësira për banim dhe punë të ngritura mbi tokë. Poshtë tyre krijohen zona të mbuluara, hije dhe hapësira publike, të menduara edhe si një hyrje e re e Parkut Rinia në raport me qytetin.
Kullë te Tajvani, kompania “Bjarge Ingels Group” shpallet
Projekti parashikon ruajtjen e ujit dhe të shatërvanit si pjesë të identitetit të zonës, por i trajton ato në një formë të re. BIG propozon ngritjen e ujit në strukturë, në mënyrë që ai të rikthehet në park me efektin e një “shiu vere”. Sipas studios, ky element synon të ndikojë edhe në mikroklimën lokale dhe në përdorimin e hapësirës publike gjatë muajve të nxehtë.
Gjatë prezantimit, studio e përshkroi Parkun Rinia si një hapësirë ku ndërthuren disa rrjete — gjelbërimi, uji dhe aktiviteti social — dhe propozimi është ndërtuar mbi idenë që ndërtesa të shtojë funksione të reja pa marrë më shumë sipërfaqe nga parku. Studio synon gjithashtu krijimin e një pike të re të identifikueshme në qytet, jo përmes lartësisë, por përmes formës dhe mënyrës se si ndërtesa lidhet me hapësirën publike. Sipërfaqet e projektit janë ndarë mes rezidencave, hotelerisë dhe zyrave, ndërsa rreth 10% e programit parashikohet për një komponent kulturor dhe funksione të hapura për publikun.
Ndërsa kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se projekti synon transformimin e një prej hapësirave historike të kryeqytetit, duke e përshtatur me nevojat dhe ambiciet e Tiranës.
Po ashtu, theksoi se bëhet fjalë për një sipërmarrje private dhe se përzgjedhja e projektit po bëhet përmes një konkursi ndërkombëtar me pjesëmarrjen e arkitektëve dhe profesionistëve të njohur.
Kryeministri u shpreh se procesi duhet të sjellë një zhvillim me ndikim për kryeqytetin dhe të ardhmen e tij. Kreu i qeverisë theksoi se në Shqipëri nuk ndërtohet pa rregulla dhe se projektet private nuk janë shoqëruar me nxjerrje me forcë të banorëve nga shtëpitë.
Rama deklaroi gjithashtu se ndërtimi i kullave kërkon ekspertizë të specializuar dhe se konkursi synon të sjellë në Shqipëri arkitekturë dhe përvojë ndërkombëtare.
