TIRANE- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka reaguar lidhur me debatet në media e më gjerë për çmimin që iu dha librit “Vrima”. Duke shprehur keqardhje që nuk ka patur reagime nga publiku për vepra të mëdha të botuara në vendin tonë, Kumbaro tha se “bëhet ngjarje një libër që u vlerësua për libërlidhjen më të mirë”.

Sipas ministres së Kulturës, tha se kritikën për librat me vlerë e “kanë dominuar llafet e historitë e fshatit të madh, ku për fat të keq jetojmë”.

Gjatë “Shih programin” në TVSH, ministrja Kumbaro iu përgjigj pyetjes “Ju e dhatë vetë çmimin për librin “Vrima” dhe këtu u bë nami apo jo?”.

“Nuk u bë nami për botimin e plotë të veprës së De Radës që u bë për herë të parë në Shqipëri, e kuruar nga dy profesorët arbëreshë, Mandala dhe Altiomari, ndërkohë që ia vlente të bëhej nami, sepse ishte një botim me vlerë. Nga ana tjetër u bë ngjarje, për çmimin “Lumo Skëndo”, një çmim i cili është dhënë nga Biblioteka Kombëtare dhe është çmim bibliofilie, që do të thotë është çmim për libërlidhjen më të mirë të librin. Unë sapo kam marrë detyrën i kam dhënë fund një historie qokash, si kanë qenë çmimet vjetore të letërsisë, aq sa edhe kur ka patur libra me vlerë kritika është tretur, sepse e kanë dominuar llafet e historitë e fshatit të madh, ku për fat të keq jetojmë. Ndaj unë i reduktova nga dhjetë çmime në dy të tillë, me juri krejt të pavarur nga Ministria e Kulturës. Çmimin “Lumo Skendo” Ministria e Kulturës ia kaloi Bibliotekës Kombëtare, e cila ka dhe ekspertë të libërlidhjes”, u shpreh ministrja Kumbaro.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: