Deputetja Mesila Doda, një nga protagonistët e Lëvizjes së dhjetorit ka folur mbi aktin e dhunës ndaj Sali Berishës dhe deklaratat e tij në lidhje me një revolucion të mundshëm.

Sipas saj partitë e djathta nuk besojnë në revolucion por në mënyra të tjera për të ardhur në pushtet, ndërsa shtoi se sulmi ndaj Berishës është një nga pikat më të ulëta në historinë e politikës shqiptare.

Doda shtoi se politika shqiptare e ka bërë kundërshtarin shumë të prekshëm duke e fyer e përbuzur me përplasjet e vazhdueshme verbale, duke sjellë sipas saj edhe situata dhe episode të tilla.

“Partitë e djathta nuk besojnë në revolucion, nuk është ky verb i një partie të djathtë. Nuk besoj se flitet për një revolucion kur besojmë në mënyra të tjera për të ardhur në pushtet. Sulmi ndaj Berishës ishte një nga pikat më të ulëta në historinë e politikës shqiptare. E kanë bërë aq të prekshëm kundërshtarin duke e fyer e ulur me përbuzje. Një njeri që ka qenë kryeministër dhe sot paraqet pjesën më vitale të opozitës. Me këtë lloj mënyrë nuk duhet të trajtohet asnjë njeri, janë disa ngjarje që duhet t përjashtohen nga mentaliteti ynë.

Ne kundërshtarin e konsiderojmë armik, kjo nuk është vlerë e demokracisë. Shumë mendje duhet të gjejnë të mirën e përbashkët për vendin. Nuk funksionon unë kam 71 vota, ju të tjerët ngrohuni në diell. Sot vijmë me dhunën e kartonit, unë kam votat dhe do eci para. Nuk ka mentalitet më totalitar se ky. Kjo ngjarje edhe mund të përsëritet nëse ndodhin këtë përbuzje dhe fyerje”, tha Doda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: