Futja e terapive hormonale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka ndezur debate të ashpra në opinionin publik, duke pasuar edhe një protestë të mbajtur një ditë më parë në kryeqytet. I ftuar në studion e News24, këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Jonathan Pano, ka lëshuar akuza të forta ndaj kësaj nisme, duke e cilësuar si një sulm të hapur ndaj familjes tradicionale shqiptare dhe një rrezik të madh për të miturit.

Sipas Panos, ndërhyrja e ideologjisë në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor po bëhet në mënyrë graduale, por me pasoja shkatërruese për brezat e rinj.

Këshilltari i djathtë ngriti alarmin se fëmijët po përballen me presione ideologjike që në sistemin parashkollor e deri në gjimnaze, gjë që sipas tij mund të sjellë një rritje artificiale të këtyre rasteve në të ardhmen.

“Kur ideologjia futet në sistemin shëndetësor bëhet problem, sidomos kur prek edhe të miturit. Me futjen e ideologjisë nga parashkollorët deri në gjimnaze është si pika e vogël e ujit që bie mbi gur për një kohë të gjatë. Nëse e lëmë, numri i këtyre personave do jetë në rritje. Le t’i lëmë fëmijët të jenë fëmijë. Në moshën 13-14 vjeç ke shpërthime emocionale, nuk e di çfarë do, jo më të kesh një person në sistemin shkollor që të thotë mbase je djalë i burgosur në trupin e një vajze apo anasjelltas”, tha ai.

Pano sqaroi se nuk bëhet fjalë për të cenuar lirinë e askujt që në moshë madhore zgjedh të jetojë si dëshiron, por theksoi se vija e kuqe mbetet mbrojtja e fëmijëve dhe e modelit tradicional të familjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb