KOSOVË

Për vetëm tre vjet në një shtëpi jo fort larg nga qendra e Prishtinës erdhën në jetë 13 mijë fëmijë kosovarë. Brenda vitit në ambulancën e parë shqiptare që u ndërtua në lagjen ‘Kodra e Trimave’, në kryeqytet dhe që u quajt ‘Nënë Tereza” kryheshin jo më pak se 6 mijë lindje brenda vitit.

Ky spital i krijuar nga një person që nuk e njihte aspak fushën e mjekësisë u bë strehë e shumë nënave kosovare gjatë kohës kur okupatori mbante Kosovën e izoluar. Gazeta Express sjell të plotë rrëfimin nga Vranjevci, aty ku në shtëpinë e kthyer në spital erdhën në jetë shumë foshnje kosovare e që gjatë dy dekadave nuk pati asnjëherë mungesa të ilaçeve ose medikamenteve të tjera mjekësore.

Dikur shumë jetë filluan e u shpëtuan në një vend i cili në pamje të parë nuk i ngjasonte një vendi ku mund të shpëtoheshin jetë. Pas dëbimit nga puna të mjekëve kosovarë me shumë dhunë nga ekupatori në një shtëpi në lagjen ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë në vitin 1992 u hap ambulanca e parë shëndetësore e cila u emërua në emrin e humanistes shqiptare ‘Nëna Terëzë”, e që në krye të saj u emërua doktori Gani Demolli.

Stafi i mjekëve në Shoqatën ‘Nëna Terezë’

Ky institucion i hapur në kohën kur ndaj popullatës shqiptare po bëheshin shumë presione, qëndroi  hapur për gati dy dekada duke iu ofruar shërbime shëndetësore mijëra grave kosovare që po sillnin në jetë shumë foshnje.

Gazeta Express, ka qëndruar në shtëpinë e kthyer në ambulancë. Nga aty iu sjellë rrëfimin e drejtorit të kësaj shoqate si dhe të personit i cili e ndërtoi shtëpinë e cila më vonë u bë strehë shëndetësore për mijëra persona.

Për një vit në shoqatën ‘Nëna Terëza”, kryheshin rreth 6 mijë lindje

Ndërtimi i shtëpisë e cila më vonë u kthye në maternitet filloi gjatë vitit 1992 për tu finalizuar puna tre vite më pas, atëherë kur në vitin 1995 edhe filloi që t’i kryente shërbimet e para shëndetësore.

Fëmijët që u linden në këtë qendër

Por vlugu i punës në shoqatën e quajtur ‘Nëna Terëzë”, filloi në vitin 1996, atëherë kur u hap materniteti. Doktor Zejdullah Hoxha, ishte ai i cili e mori mbi vete barrën për ta udhëhequr këtë maternitet.  Ai pas ditsa viteve ka kujtuar me nostalgji kohën kur po kryente shërbime shëndetësore.

Ai e shpjegon kohën kur në shoqatën ‘Nëna Terëzë’, po kryheshin me dhjetëra  lindje brenda ditës.

“Me mbylljen e maternitetit për shqiptarët nga okupuesi, ne e kemi pa që ka nevojë për një maternitet alternativ ku do të lindnin nënat tona, motrat, e ku do të jepej trajtimi për të gjithë”, shpjegon doktor Hoxha.

Ai thotë se në këtë maternitet, garë nga e gjithë Kosova shkonin për t’i kryer lindjet.

Mjetet e punës

“Materniteti kryesisht e ka pas për qëllim që të kryen lindjet. Ato nuk kanë qenë vetëm spontane, por ka pas edhe lindje me ndërhyrje të tjera. Mund të ju them se brenda këtyre viteve nga  8 korriku 1996 e deri më 31  mars 1999 kur ka  funksionu ky maternitet, pra edhe gjatë kohës së bombardimeve  janë kryer afro 13 mijë lindje, mni 1000 mijë ndëryrje operative”,  shpjegon doktori.

Doktor Zejdullah Hoxha

Ai tregon se lindja e parë në këtë maternitet parë ka qenë më 8 korrik, 1996. “Ka qenë një pacientë me mbiemrin Krasniqi. Ka vendosë që lindjen me e kry në këtë maternitet”, rrëfen me emocione doktori.

Ai thotë se raportet me kolegët e tjerë mjek i ka pasur të shkëlqyera.

“Me kolegët kemi funksionuar për mrekulli. Po të mos kishin qenë ata, ne nuk do të funksiononim. Ky maternitet ia ka dhuruar Kosovës 13 mijë lindje, 1 mijë ndërhyrje operative. Ka qenë edhe bazë arsimore për shkollat e mesme, fakultetin e mjekësisë. Ne këtu i kemi edukuar mjekët, qoftë edhe specializantët”, thotë doktor, Zejnullah Hoxha.

Ai shpjegon se punën e kanë kryer edhe gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë. thotë se asnjëherë nuk e kanë ndier mungesën e barnave.

“Lufta jonë ka qenë këtu. Me i kryer lindjet. Ne mburremi që mortalitetin e kemi pas  shumë të vogël. Vetëm një grua na ka vdekur në mesin e këtyre 13 mijë lindjeve. Këtu ne brenda vitit i kemi kryer 6 mijë lindje. Ne nuk kemi ditë mungesë të barnave. Ne kemi pas gjithnjë.  Kam emocione tash kur e gjejë vetën këtu”, vazhdon rrëfimin e tij, mjeku i cili mori pjesë në mijëra lindje.

Avirca: Në maternitet, kam pa vetëm fytyra të gëzueshme

Materniteti nuk i mbylli dyert për askënd, shërbeu për çdokënd që e kishte jetën në rrezik. Shaban Svirca ishte personi i cili e kishte lëshuar shtëpinë në maternitet. Ai ndjehet i lumtur që kishte dhënë kontribut në atë kohë e që përurimin e shoqatës e kishte bërë Anton Çeta. Svirca për Express ka shpjeguar për kohen kur një mjek i kishte kërkuar atij që t’ia lëshonte dy dhoma të shtëpisë për t’i kuruar pacientët.

“Në vitin 1992 ka ardhur një mjek këtu i lagjes sonë. Ka ardhë edhe më ka lut nëse mundem me ia lëshu nja dy dhoma të shtëpisë për disa mjekë, që të punojnë për lagje”, shpjegon Svirca.

Ai tregon edhe se çka i tha Anton Çeta në momentin kur u hap shtëpia për spital.

“Kur ne e hapëm ambulanten, doktor nderi ka qenë Anton Çeta. Kur ma dorëzuar falënderimin Anton Çeta, më ta që e ka një porosi për mu. Më tha ‘mi ndërto edhe dy dhoma aty në fund të oborrit. Që ta kem një repart për gjinekologji. Unë i kisha mundësitë. Edhe i përfundova”, tregon ai.

Ai  tregon edhe për momentet më të gëzueshme që i kanë pasur.

“Temelin e maternitetit e kam nisë në krye të një muaji prej që i kam premtua. Në vitin 1995 u krye ndërtimi. Në vitin 1996 u funksionalizuar materniteti. Unë këtu, në këtë maternitet, kam pa vetëm fytyra të gëzueshme. Edhe në kohën e okupimit serb kam pa njerëz të gëzuar këtu. Në fund, Svica tregon se e ka liruar shtëpinë e tij për maternitet e bashkë me familjen për vite të tëra ka jetuar në një shtëpi me 8 fëmijë në 77 metra katrorë.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb