Kursi i këmbimit Euro-Lek i është kthyer përsëri rënies në dy javët e fundit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro u këmbye me 103.29 lekë, niveli më i ulët që prej 20 dhjetorit të vitit të kaluar.

Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fillim të marsit, kursi i këmbimit të Euros ishte i qëndrueshëm pranë nivelit të 104 lekëve. Megjithatë, me afrimin e fundit të tremujorit të parë, tendencat e mbiçmimit të Lekut po përtërihen përsëri. Kursi i këmbimit Euro-Lek aktualisht paraqitet në rënie vjetore me 9.7%.
Në fakt, një tendencë e ngjashme ndodhi edhe vitin e kaluar, por rënia e kursit të Euros nisi pak më vonë, në javën e fundit të marsit dhe u theksua më tej gjatë muajit prill.

Nëse tendencat e vitit të kaluar do të përsëriten, është e pritshme që rënia e kursit Euro-Lek të vazhdojë më tej gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Dalja nga sezoni dimëror pritet të sjellë një efekt në rritje të turizmit në ekonomi dhe kursi i këmbimit është një nga treguesit që pritet të jetë më i ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve.
Sipas të dhënave të INSTAT, për muajin janar numri i hyrjeve të shtetasve të huaj u rrit me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe për janarin, buxheti i shtetit ishte në suficit, në vlerën e 15 miliardë lekëve. Duke parë ritmin e ulët të shpenzimeve në fillim të vitit, veçanërsisht të atyre kapitale, gjasat janë që suficiti buxhetor të vazhdojë të zgjerohet për muajt në vazhdim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: