Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Irlandë, është pritur nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian në Parlamentin e këtij vendi.
Në takim morën pjesë kryesuesi i Komitetit, Barry Ward, anëtari Rúairí Ó Murchú, sekretari Ivan Farmer, si dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore të BE-së, Frank Smyth.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti bëri të ditur se gjatë bisedës ka vënë theksin te nevoja për përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës.
Kreu i qeverisë kërkoi që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i drejtohet Komisionit Evropian për të marrë mendimin mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Sipas Kurtit, marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim janë hapa thelbësorë për të avancuar procesin dhe për të shmangur vonesat e mëtejshme.
“Për ne procesi nuk është më pak i rëndësishëm se arritja në cak, sepse me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet”, ka shkruar Kurti.
Gjatë takimit, kryeministri kosovar ka shprehur gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e këtij shteti në strehimin e refugjatëve dhe pjesëmarrjen në misionin paqeruajtës të KFOR-it.
