Kur dihej publikisht se ishte pushkatuar për tradhti ndaj atdheut dhe veprimtari agjenturore, Teme Sejko, ish-komandanti i Flotës Detare, ruhej i izoluar në një banesë sekrete në periferi të Tiranës.

Fakti i panjohur është zbuluar për herë të parë nga Kadri Hazbiu, ish-ministri historik i ministrisë së Brendshme 20 vite më vonë në procesin gjyqësor ku akuzohej si pjesë e grupit komplotist që do të përmbyste pushtetin popullor.

“Para se të ekzekutohej sipas vendimit të gjyqit, Teme Sejko është marrë dhe është çuar për t’u pyetur jashtë burgut. Aty është torturuar për t’i marrë rezervat që fshihte. Në dhunë e sipër ka ndërruar jetë. E shpërnguan me litar në fyt dhe vdiq”. Ka qenë janari i vitit 1983 kur ish-kreu i Policisë sekrete, tashmë në bankën e të pandehurit, ka zbardhur një nga historitë më të tmerrshme të regjimit komunist. Djalli ka qenë më i zi nga sa dukej! Pak a shumë këtë pohonte para ish-kolegëve shefi i shërbimit të fshehtë.

Në fakt, Kadri Hazbiu këtë dëshmi rrëqethëse më herët e ka bërë para Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike vetëm pak muaj para se ta arrestonin. I thirrur në raport nga shefi i tij, ai është befasuar me mënyrën me të cilën Hoxha i kërkonte të dhëna për një histori të hershme. Fillimisht njeriu që kishte ndjekur nga afër hetimet dhe dënimin e ish-kreut të Flotës Luftarake në vitet ’60, është munduar të shtjellojë rrethanat që i kujtoheshin aty për aty nga ai proces.

Mirëpo kreu i regjimit nuk ia ka vënë veshin dhe ka dalë menjëherë tek informatat e fundit të siguruara në rrugë agjenturore, duke i kërkuar llogari pse e kishte mbytur Teme Sejkon dhe nuk e kishte pushkatuar sipas vendimit të gjykatës. Pjesa që shpjegon Hazbiu në hetuesi, në vija të përgjithshme, është një mbivendosje e përgjigjeve të tij para Enver Hoxhës, me të vetmin ndryshim saktësimin e vendit të krimit dhe mjeteve me të cilat i morën jetën barbarisht ish-komandantit të Flotës Luftarake në majin e vitit ’61.

Gazeta “Panorama” ka siguruar dokumentet me dëshmitë e zyrtarëve të lartë të Sigurimit që kanë organizuar operacionin makabër ndaj Teme Sejkos.

Në numrin e sotëm gazeta boton të plotë rrëfimin e kolonelit të Sigurimit, Qemal Birçe, i cili ka qenë i pranishëm gjatë periudhës kur ish-komandanti i Flotës merrej përdhunshëm në pyetje në një shtëpi të fshehtë në periferi të Tiranës, ndërkohë që procesi i tij ishte mbyllur dhe gjykata e kishte dënuar me pushkatim…

Qemal BirÇe NjË Muaj Roje I Teme Sejkos NË VilËn Sekrete 3

QEMAL BIRÇE: NJË MUAJ ROJE I TEME SEJKOS NË VILËN SEKRETE

Kur u arrestua Teme Sejko, mua më sollën me shërbim në burg, përgjegjës për grupin e oficerëve që siguronin të pandehurit në dhomat e izolimit. Në këtë detyrë kam qëndruar deri në fund, pra, deri në kohën kur u dënua Teme Sejkoja dhe grupi i tij.

Pas gjykimit të çështjes e dënimit të tyre, shkova përsëri në ministri, në vendin ku kisha qenë më parë shef i Komandaturës në ministri. Si qëndrova 5-6 ditë në ministri, një ditë rreth orës 18:00 pasdite më thirri në zyrë Mihallaq Ziçishti. Kur shkova atje, vura re që ishte edhe Kadri Hazbiu dhe persona të tjerë, si Rexhep Kolli e Nevzat Haznedari.

Mihallaqi më dha urdhër që të heqësh rojet e Policisë që janë te burgu i vjetër, sepse atje do të dërgojmë Teme Sejkon dhe Tahir Demin, që të mos na i shikojë njeri kur të shkojnë atje. Në këtë kohë, Temja dhe Tahiri ishin dënuar me vdekje, por dënimi s’kishte marrë formë të prerë. Unë shkova dhe e zbatova porosinë. Pas pak më mori Mihallaq Ziçishti në telefon dhe më pyeti a je gati. Unë i thashë:

“Po, jam gati”.

Pak më vonë, Mihallaqi erdhi me një “Gaz” 7 vendësh. Në gaz Mihallaqi kishte marrë Teme Sejkon e Tahir Demin. E shoqëronte edhe Nevzat Haznedari. I morëm Temen e Tahirin dhe i futëm në dy dhoma të veçanta në katin e dytë të burgut të vjetër, të përgatitur që më parë me krevat me susta, batanije, dyshekë e çarçafë. Aty Teme Sejkoja e Tahir Demi janë mbajtur rreth një muaj.

Nevzat Haznedari vazhdimisht iu binte si Temes dhe Tahirit letër për të shkruar dhe u merrte ato që ata shkruanin. Se ku i çonte këto letra Nevzati, nuk e di. Bashkë me mua bënin shërbim edhe tre oficerë të tjerë, Qemal Xhaferri, Luto Beqiri dhe Islam Gjondeda.

Të katër ne rrinim në dy dhoma në katin e parë dhe bënim roje me radhë. Tahiri me Temen aty hanin ushqim, për nevoja personale i binin derës që ne ua mbyllnim nga jashtë me çelës, u jepnim brisk e makinë dhe rruheshin vetë…

Më kujtohet se rreth 10 ditë pasi kishim shkuar te burgu i vjetër, më mori në telefon Kadri Hazbiu rreth orës 1:00 pas mesit të natës dhe më tha: “Jam Kadri Hazbiu, dil e më prit se do të vij aty”.

QEMAL BIRÇE NJË MUAJ ROJE I TEME SEJKOS NË VILËN SEKRETE (3)

Dola aty tek oborri i burgut dhe pa kaluar as pesë minuta Kadri Hazbiu erdhi vetëm. Pasi më takoi, më pyeti se ku rri Teme Sejkoja. Unë i thashë në një dhomë në katin e dytë.

“Më shoqëro deri te dhoma”, tha Kadriu. Të dy u ngjitëm në katin e dytë. I hapa derën e dhomës ku rrinte Teme Sejkoja. Temja u ngrit nga krevati dhe qëndroi në këmbë. Kadriu më vështroi, për të më lënë të kuptoja që të largohesha. Dola jashtë duke tërhequr pas vetes edhe derën dhe qëndrova në mes të shkallëve. Kadriu qëndroi brenda me Temen rreth një orë dhe pastaj doli. Unë u ngjita dhe mbylla derën e dhomës së Temes me çelës.

Kadriu zbriti e doli jashtë në oborr e pas tij dola edhe unë. Atje më hodhi dorën në sup e më tha:

“Ki kujdes se Partia thotë që këta armiq janë në duar të sigurta”.

Unë i thashë: “Mos ki merak, shoku ministër”.

Se çfarë bisedoi me Temen, nuk di asgjë. Pas këtyre fjalëve që shkëmbyem bashkë, Kadriu u largua. Pasi i mbajtëm te burgu i vjetër një muaj, një natë pas mesit të natës vjen aty Mihallaq Ziçishti së bashku me Nevzat Haznedarin, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës së Hetuesisë. U hapa derën, u futëm të tre bashkë brenda në dhomën ku mbanim Teme Sejkon dhe Mihallaqi me Nevzatin i hodhi Temes hekurat në këmbë e duar.

Aty qëndruam deri në mëngjes. Në mëngjes herët i zgjidhëm këmbët Temes, e mbështollëm me një batanije dhe e hipëm në një “Gaz” 7 vendësh. Tahir Demin e lamë aty në vend. Me shërbim si roje mbeti Luto Beqiri. Pas kësaj, në “Gazin” 7 vendësh hipëm edhe unë, Nevzati, Islam Gjondeda dhe Qemal Xhaferri. Shofer ishte një kushëri i Mihallaq Ziçishtit, oficer, emrin nuk ia kujtoj, di që ka vdekur.

Mihallaq Ziçishti ishte me makinën e tij dhe u nis para nesh. U nisëm edhe ne në drejtim të Vorës. Makinën tonë e drejtonte Nevzati, i cili duhet të kishte biseduar me Mihallaqin, se e dinte ku po shkonim, por neve nuk na tha asgjë. Rrugës Mihallaqin nuk e pamë. Kur shkuam në Maminas, qëndruam në mes të vreshtit ku është një shtëpi e vetme që quhet “Pallati i beut”.

Aty e zbritëm Temen. Sa zbritëm ne, erdhi edhe Mihallaqi me makinën e tij. Me të ishte edhe Rexhep Kolli. E futëm Temen në një dhomë. Pas kësaj, Mihallaqi dërgoi Qemal Xhaferrin për të prerë 20 shkopinj shkoze. Pasi i pruri shkopinjtë, vetë Mihallaqi në prezencë të Rexhepit e Nevzatit filloi ta rrihte Temen me shkop.

E godiste Temen me shkop, që ishte sa tre gishtat i trashë në gjithë pjesët e trupit, përfshi edhe kokën, me gjithë forcën sa thyheshin shkopinjtë. Si lodhej Mihallaqi, vazhdonte Rexhepi e pastaj Nevzati. Kjo vazhdoi gjithë ditën deri në mbrëmje sa hyri dielli. Temja nga të rrahurit gati kishte mbaruar, sa merrte frymë. Nga gjithë pjesët e trupit që i ishin nxirë e çarë, në fytyrë, kokë, brinjë, kofshë, këmbë etj. i dilte gjak.

Pra, ishte në një gjendje të tillë që ai nuk mund të shpëtonte. Kur ai nuk ndiente më asgjë, erdhi Kadri Hazbiu. Unë gjatë gjithë ditës tërë ngjarjen e pashë me sytë e mi, sepse isha në korridor dhe dera e dhomës ku rrihnin Temen ishte e hapur dhe unë vetëm atë shikoja.

Dy shokët e tjerë ishin caktuar larg si roje që mos të na afrohej njeri. Kur erdhi Kadriu, më dha dorën, më pyeti ç’kemi. Unë i thashë se Temja po vdes nga të rrahurit. Kadriu shkoi dhe u fut në dhomë, ku u takua me Mihallaq Ziçishtin, Rexhep Kollin dhe Nevzat Haznedarin. Ishte vetëm kur erdhi aty, ndërsa shoferi me shoqëruesin qëndruan te makina rreth 15-20 metra larg shtëpisë. Dua të shtoj se në atë shtëpi, në atë kohë nuk banonte asnjeri. Kadriu qëndroi rreth 5 minuta dhe u largua.

Si u largua Kadriu, e mbështollëm Temen me batanije e me duar të lidhura nga mbrapa me hekura siç i kishte kur e rrihnin, e hipëm në “Gazin” 7 vendësh e bashkë me të, edhe unë, Nevzati, Islami e Qemali dhe u nisëm në drejtim të Tiranës. Unë nuk e dija ku do të shkonim, detyrën e kishte marrë Nevzati. Pa kaluar Vorën, unë dhe Islam Gjondeda, që ishim me makinën mbrapa, i hodhëm në fyt Teme Sejkos që ishte i shtrirë në mes nesh një litar në formë laku dhe duke e tërhequr secili në krahun e vet, e mbytëm.

Pra, Temja nuk kishte asnjë shenjë jete. Për mbytjen e Temes me litar, ne na urdhëroi Nevzat Haznedari. Vazhduam rrugën dhe shkuam deri te kodrat karshi Linzës. Ishte natë. Ne qëndruam në një vend ku kishte qëndruar edhe Mihallaqi me makinën e tij, i cili kishte shkuar atje para nesh. Rexhep Kolli nuk ishte me të, se ku qe kthyer, nuk e di. Na urdhëroi, nxorëm kufomën ashtu të mbështjellë me batanije. E mbanin Qemal Xhaferri, Islam Gjondede dhe shoferi që ishte kushëri i Mihallaqit.

Unë qëndrova lart me Mihallaq Ziçishtin, ndërsa shokët e tjerë e çuan kufomën rreth 20 m poshtë xhadesë, kur që gjatë natës ishte bërë gropa gati. Gropën e bëri shoferi që na çoi ne në Maminas, i cili porsa na çoi, u largua dhe u kthye në mbrëmje, që na mori.

Këtë detyrë ai e kishte marrë nga Mihallaq Ziçishti. Si e zbritën kufomën te gropa, shkova dhe unë. Për t’u siguruar për vdekjen e Temes, unë me një kazmë që gjeta aty pranë i rashë Teme Sejkos në kokë disa herë derisa iu prish fare koka. Më kazmë e qëlluan edhe shokët e tjerë. Pasi e hodhëm në gropë, e mbuluam me baltë dhe e larguam./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb