Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka reaguar në rrjetet sociale për një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Bibliotekës, brenda godinës së Muzeut të qytetit në Lushnje.
Sipas Korreshit, gjatë aktivitetit është glorifikuar figura e diktatorit Enver Hoxha, ndërsa të pranishmit kanë kënduar dhe duartrokitur.
Deputeti thotë se aktiviteti është zhvilluar në prani të kryetares së Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa, e cila sipas tij ka mbajtur edhe fjalën, siç shihet edhe në videon e publikuar nga vetë deputeti.
Korreshi e ka cilësuar ngjarjen si “një turp të madh” dhe “një skandal bashkiak”, duke kërkuar reagim publik nga kryetarja e Bashkisë.
View this post on Instagram
“Kryetarja e Bashkisë Lushnjes, shoqja Eriselda Sefa, duhet të dalë e të kërkojë ndjesë publike përballë qytetarëve dhe të përndjekurve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk gjejnë dot eshtrat e familjarëve të tyre nga bëmat e diktatorit”, shkruan Korreshi.
Ai ka kërkuar gjithashtu marrjen e masave ndaj organizatorëve të aktivitetit, duke argumentuar se bëhet fjalë për persona që paguhen nga taksat e qytetarëve.
“Dhe me një akt duhet të shkarkojë të gjithë organizatorët publikë që paguhen nga taksat tona, të cilët kanë lejuar glorifikimin e diktatorit”, vijon reagimi i tij.
Korreshi e ka shoqëruar reagimin me kritika ndaj Bashkisë Lushnje dhe drejtimit të saj, duke kërkuar që institucionet vendore të mbajnë përgjegjësi për aktivitetin e zhvilluar në ambientet e muzeut.
