TIRANË

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka nënvizuar dy prej ndryshimeve në Shqipëri që ka sjellë aksioni opozitar pas 16 shkurtit. Ai tha se opozita i dha fund fasadës së regjimit duke treguar para të gjithëve se këtu nuk ka një shtet të së drejtës dhe se një nga faktorët politikë në vend ka bërë sakrificën më të madhe dhe është gati t’i sjellë vendit një ndryshim të thellë.

Ai tha se kjo betejë nuk ka nisur ‘ik ti se vij unë’ por për t’i dhënë fund tranzicionit dhe problemeve të akumuluara këto 30 vite për të pasur një Shqipëri si gjithë Europa.

“Ka ndodhur shumë, jemi në një situatë krejt të ndryshme politike se ajo që ishim para 16 shkurtit. Këtë e konstaton çdokush. Ne i dhamë fund fasadës së regjimit dhe treguam qartë para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar se këtu nuk ka më një shtet të së drejtës por ka një shtet privat dhe kriminal të Edi Ramës çka u konfirmua më 30 qershor, çka u konfirmua nga raporti i OSBE-ODIHR. Dhe së dyti duke i treguar shqiptarëve se ne jemi të gatshëm të ndërmarrim dhe sakrificën më të madhe që mund të ndërmarrë një faktor politik, një aleancë forcash politike, dorëzimin e mandateve, privilegjeve, karrigeve që sjell mandati i deputetit apo dhe kryebashkiakut, jo thjesht jemi një me njerëzit në kuptimin që jemi njësoj si ata por jemi gati që bashkë me njerëzit të sjellim një ndryshim që do të jetë jo vetëm largimi i Edi Ramës por do jetë një transformim i thellë politik, një reformë e thellë politike e vendit që ta rikthejë qytetarin në qendër të vëmendjes. Këtu përfshihet dhe një reformë e thellë zgjedhore, kushtetuese dhe padyshim një reformë e thellë ekonomike e vendit. Largimi i Edi Ramës i pamjaftueshëm. Kush mendon se kjo betejë ka nisur ik ti se vij unë e ka shumë gabim. Kjo betejë ka nisur për një transformim, për t’i dhënë fund një numri të madh problemesh të akumuluara këto 30 vite, për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të bërë realitet atë aspiratë që e keni dëgjuar të kumbojë dhe të vazhdojë të kumbojë edhe më fort në sheshet e Shqipërisë për një Shqipëri normale, një Shqipëri si gjithë Europa”, deklaroi lideri i opozitës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb