Nga: ERION KRISTO*
Pas një aktiviteti të rëndësishëm të organizuar nga Forumi Civil 2010, drejtuar nga Presidenti Alfred Moisiu, me pjesëmarrjen e gjerë të shumë juristëve, kostitucionalistëve, deputetëve, politikanëve dhe figurave të tjera të shoqërisë civile, konkluzioni i gjithë këtyre mentarëve ishte: Kushtetuta jonë ka nevojë për ndryshime. Jo se ka kaluar ndonjë kohë shumë e madhe nga referendumi i Kushtetutës, porse nga disa amendime që i janë bërë asaj, janë cenuar disa ekuilibra, cenime që janë pranuar edhe nga kreu aktual i mazhorancës. Por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse Kushtetuta nuk është plastelinë që mund ta tërheqësh nga njëra anë, ta shtrembërosh dhe pastaj ta tërheqësh nga ana tjetër, me idenë për të rregulluar gabimet. Ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen aspak për të mbuluar ndjenjat e fajësisë së liderëve tanë jolargpamës. Ky do të ishte një dhunim i dytë, më i rëndë i Kushtetutës. Gjithashtu, gabim do të ishte të ndërhynim në Kushtetutë për cic-mice, si psh. për dekriminalizimin e Kuvendit apo të administratës, e madje më qesharake do të ishte të ndërhynim në Kushtetutë për t’u dhënë të huajve rezidentë të drejtën e votës në vendin tonë.
Sot është e qartë që jemi në një “kohë kushtetuese”. Së pari, sepse nuk mund të ketë Rilindje, nëse nuk rilind vetë politika dhe marrëdhënia e saj me publikun dhe institucionet, pra nëse nuk rregullohen disa parametra kushtetues që kufizojnë pushtetin e politikës. Së dyti, nuk mund të ketë Rilindje pa një reformë të mirëfilltë të sistemit gjyqësor dhe për këtë jemi shumë, shumë vonë. Dy vjet po kalojnë, pa diçka konkrete në tavë. Së treti, nuk mund të ketë Rilindje pa stabilizuar rolin e institucioneve, si p.sh. roli i Presidentit, apo pa lejuar krijimin e disa institucioneve të reja, ose të hapësirave të reja për institucione të reja, të nevojshme. Së fundi, jemi në kohën kur reforma të mëdha do të ndërmerren në kuadrin e përafrimit të legjislacionit dhe të integrimit evropian. Duam apo nuk duam, do të ketë një ndikim nga burime të jashtme për të sanksionuar në Kushtetutë elementë që kërkohen për integrimin. Po do të ishte e turpshme që ne ta prekim Kushtetutën vetëm sepse na e kërkojnë të huajt, të cilëve nuk mund t’u themi dot ‘jo’.
Ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën, sepse ajo është një kontratë sociale që ka nevojë të rishikohet, për t’i dhënë disa dimensione të reja, për të shtuar hapësirat demokratike dhe mundësinë për prosperitet. Megjithëse, arsyetimi më i rëndësishëm është që më mirë të ngushtohet politika, se sa të zgjerohet Kushtetuta. Ka qenë një element i dukshëm i politikës shqiptare, që në rast mosmarrëveshjeje, kanë rënë dakord që më parë të prekin Kushtetutën, se sa të gjejnë një mirëkuptim mes palëve. Pra, tensioni mes palëve është shkarkuar te Kushtetuta. Por në fakt, Kushtetuta duhet të jetë gjëja e fundit që duhet të preket. Madje, e mira do të ishte të mos prekej. Por vetë koha e kërkon.
A duhet të kemi një Kushtetutë të re, apo duhet të amendojmë këtë që kemi? Është një pyetje e rëndësishme. Themelore. Nëse do vendoset të preket, duhet të ketë jo thjesht një retushim, as një korrigjim gabimesh, por duhet të jetë një paketë e plotë. Madje, ndryshimet kushtetuese nëse do të jenë esenciale, duhet të kërkojnë edhe një miratim referendar. E mira do të ishte që Kushtetuta të mos ndryshohej vetëm me vullnetin e një pale, që ka edhe numrat e nevojshëm në Parlament, madje mund të ketë edhe më tepër se sa duhet në disa raste. Nëse Kushtetuta duhet të ndryshohet, duhet të ketë një mega-konsensus. Kjo nuk duhet të përfshijë vetëm dy palët politike, por duhet të ketë edhe garantë: trupën e mrekullueshme të juristëve shqiptarë, grupet e interesit dhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Vetëm me një tryezë pesëpalëshe do të mund të garantohej një transparencë dhe një operacion kirurgjikal i saktësisë së lartë, sepse me komisionet bipartizane, shoqëria shqiptare është zhgënjyer së tepërmi.
Kështu, në tryezën shumë serioze të shoqërisë civile shqiptare u hodhën shumë amendamente rregullatore, të cilat duhet të merren në konsideratë nga klasa politike. U kërkuan gjithashtu edhe institucione të reja: si Gjykata e llogarive. Kjo e fundit tejet e nevojshme, kur dihet saktësisht se në një vit Kontrolli i Lartë i Shtetit gjen abuzime në masën 100 milionë euro. Nuk jemi një vend kaq i pasur sa të kemi abuzime të rendit të qindra milionë eurove çdo vit. Në dhjetë vjet bëhen 1 miliard euro abuzim i certifikuar, që lejon të mendojmë se sa mund të jetë në vetvete abuzimi, duke ditur me saktësi se KLSH nuk arrin të kontrollojë dot të gjitha financat e shtetit, po thjesht një pjesë të institucioneve.
Por edhe një Avokat Populli për Fëmijët do të ishte i nevojshëm të gjente vend në Kushtetutë, jo për të shtuar një institucion më tepër, por për të treguar botërisht se ky vend i adhuron vërtet fëmijët, siç pretendon; se ky vend arrin nivelin e ndërgjegjësimit të shumë e shumë vendeve të tjera, që e kanë këtë institucion prestigjioz; se ky vend e ka kuptuar më në fund se edukimi dhe mbikëqyrja e të drejtave të fëmijëve nuk mund të delegohen askund tjetër, sepse pikërisht për këtë arsye fëmijët kanë një Konventë të veçantë të drejtash.
Edhe propozime të tjera mund të duken me interes për debatin publik: shkrirja e Gjykatës së Lartë me atë Kushtetuese; shtimi i numrit të gjyqtarëve apo të gjykatave të posaçme; reformimi i sistemit që monitoron zgjedhjet në Shqipëri; nëse duhen dy dhoma të Kuvendit apo vetëm një; reformimi i KLD; etj. Po të gjitha këto ide që qarkullojnë lirshëm në mjedise jovendimmarrëse kanë nevojë të shtrohen për diskutim vendimmarrës dhe këtë atribut e ka vetëm klasa politike. Dhe nëse kjo klasë politike e zhurmshme nuk prodhon një situatë më të mirë juridike për popullin e vet, natyrisht që jemi në kufijtë e censurës dhe censura, të mira nuk ka sjellë. Politika duhet t’i dëgjojë intelektualët, madje jo vetëm t’i dëgjojë, po edhe t’ua besojë atyre gjithë këtë sipërmarrje që kërkon angazhim maksimal dhe mirëkuptim maksimal. Me zhgënjime dhe shpërfillje jemi ngopur. Ka ardhur koha për rilindje juridike.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
