Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot 6 projektligjet dhe ndryshimet përkatëse të propozuara nga maxhoranca të cilat ishin të parashikuara në rendin e ditës. I pari ishte projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik’, të ndryshuar”. Ky projektligj u miratua në tërësi me 84 vota pro, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut’, të ndryshuar” u miratua në tërësi me 106 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndryshimet në këtë ligj bëjnë që të përfshihet për herë të parë elementi i gjurmueshmërisë së kripës në të gjitha etapat e prodhimit, shpërndarjes, deri në mbërritjen te konsumatori, për të patur konsum 100% të kripës së jodizuar

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për të huajt”, të ndryshuar” u miratua në tërësi me 89 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim.

Sa i përket projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar”, u miratua në tërësi me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim. Me ndryshimet, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të betohen tek noteri nëse nuk pranohen nga Presidenti.

Sipas maxhorancës, “qëllimi i projektligjit është ofrimi i një mekanizmi efektiv, për të mospenguar në të ardhmen punën e Gjykatës Kushtetuese, duke siguruar që betimi përpara Presidentit të Republikës të bëhet brenda një kohe të mjaftueshme, pa cenuar fillimin e ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit Kushtetues”.

Me ndryshimet presidenca ka një afat 10-ditor për të organizuar ceremoninë e betimit dhe nëse ky afat kalon, atëherë anëtarit i lind e drejta për t’u betuar në një tjetër vend dhe mund t’ia dërgojë me postë presidencës.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar” u miratua në tërësi me 87 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenime.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për ushqimin” të ndryshuar””, u miratua në tërësi me 85 vota pro, 10 kundër dhe 4 abstenime.

Ndërsa projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, u miratua në tërësi me 87 vota pro, 1 kundër dhe 6 abstenim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb