TIRANE– Seanca e parë plenare për këtë sesion parlamentar ka filluar, ndërsa është vënë re mungesa e opozitës, e cila ka udhëtuar drejt Shkodrës, ku do zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme si mesazh kundër krimit.

Në nisje të seancës, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të ndajnë “betejën” e brendshme politike, nga “beteja” e përbashkët e vendit në rrugën drejt integrimit europiane.

“Ftoj të gjitha grupet politike që të ndajnë luftën për betejën e pushtetit të radhës, nga beteja jonë e përbashkët për integrimin në Europë. Ky proces do të jetë objektiv i Kuvendit, dhe mbetet i pandryshuar. Të gjithë së bashku duhet të mësojmë nga përvoja e parlamentit kroat, i cili ka mundësuar të gjithë kuadrin e përafrimit me ligjet e BE me konsensusin e të gjitha palëve”, u shpreh Gramoz Ruçi.

FJALA E PLOTE
Sot hapim sesionin e ri parlamentar.

Me këtë rast dëshiroj të ndaj me ju disa këndvështrime të miat mbi detyrat e Kuvendit përballë sfidave të vendit.

Ky sesion, së bashku me atë pasardhës, do të kenë një mision: kurorëzimin e procesit për çeljen e negociatave në qershor 2019.

Të gjitha kontributet tona, përfshirë luftën politike, tia kushtojmë Shqipërisë europiane.

Prandaj, ftoj të gjitha forcat politike të ndajmë betejën për pushtetin, nga lufta e përbashkët për integrimin e Shqipërisë në Europë.

Fuqizimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit në çështjet e integrimit Europian do të jetë objektivi ynë i pandryshuar.

Veprimtaria legjislative do të sigurojë përputhshmërinë në përmbajtje e cilësi të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.

Të mësojmë nga përvoja e parlamentit kroat, i cili miratoi me konsensus gjithë kuadrin ligjor të përafrimit; jo pak, por 683 ligje.

Arritjet e reformës në drejtësi janë suksesi më i madh i sesionit të kaluar.

Shtyllat kryesore të reformës do të vazhdojnë të jenë vetting-u, parandalimi e ndëshkimi i korrupsionit në të gjitha nivelet dhe lufta kundër krimit të organizuar.

17 nga 27 projektligjet e paketës së reformës kanë hyrë në fuqi e veprim.

Reforma në drejtësi po pastron sistemin e dekompozuar të drejtësisë dhe i hap rrugën ndërtimit të një sistemi të pastër. Ky pastrim u përgjigjet etjes dhe urisë së shqiptarëve për drejtësi.

48 seancat e para provuan nevojën jetike të vettingut: konfirmuan 21 dhe nxorrën jashtë sistemit 27 gjyqtarë e prokurorë.

Fakti që 56 përqind e të shqyrtuarve u shkarkuan tregon se “katharsisi” i vettingut është ekzistencial për sistemin.

Por angazhimi për reformën nuk ka sjellë gjithmonë produktin që prisnim.

Këshilli për Legjislacionin nuk e përmbushi detyrën për shqyrtimin e ndryshimeve për zbatimin e pesë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Mosmiratimi i Ligjit për Magjistraturën tregoi se dakortësia për nevojën e pastrimit nuk u mbështet nga konsensusi për ndërtimin e arkitekturës së sistemit. Kemi rast ta korrigjojmë këtë në sesionin e ri.

Cilatdo qofshin kostot e reformës, jemi “të dënuar” të rindërtojmë degën gjyqësore, shtyllën e demokracisë, e cila po sfidonte të drejtën dhe dëmtonte interesin publik.

Reforma nuk pretendon të drejtën hyjnore, por drejtësi të pakushtëzuar nga paraja e pushteti; drejtësi të kushtëzuar nga qytetarët, Kushtetuta dhe interesat e vendit.

Nuk është në dorë as të Kuvendit, as të Qeverisë të krijojmë apo tu japim të drejta qytetarëve. Të drejtat burojnë jo nga foltoret, fuqia e bujaria jonë, por nga liria njerëzore.

Qëllimi sublim i reformës është garantimi i ushtrimit të të drejtave të qytetarëve.

Përgatitja prioritare e ligjeve për zbatimin e reformës në drejtësi do të vazhdojë të jetë objektiv e sfidë kryesore e sesionit të ri parlamentar. Këtu kam parasysh:

* Miratimin e akteve të reformës në proces

* Konsensusin për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, si ndryshimet në ligjin për Shkollën e Magjistraturës etj.

* Miratimin e ndryshimeve ligjore, në reflektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi reformën në drejtësi, si:

* projektligji Për statusin e gjyqtarëve;

* projektvendimi Për ngritjen e komisionit të pavarur për zbatimin e ligjit Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, depozituar në maj 2018.

* Ndryshime të tjera për përmirësimin e kornizës ligjore të sistemit.

* Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, për të reflektuar ndryshimet kushtetuese.

* Finalizimin e ngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Funksioni ligjbërës i Kuvendit gjatë sesionit të kaluar u fuqizua dukshëm.

Miratuam 55 ligje, nga të cilat me shumicë të cilësuar (absolute) 26, me shumicë të thjeshtë 29 dhe me konsensus 8 ligje.

Po nënvizoj dy arritje të procesit ligj-bërës:

Së pari, rritjen e numrit të ligjeve të miratuara me konsensus: prej shtatorit 2017 janë miratuar me konsensus 17 ligje ose mbi një e pesta e ligjeve të votuara.

Së dyti, një e pesta e 101 akteve ligjore të depozituara prej shtatorit 2017 kanë ardhur prej deputetëve, duke mundësuar një rol më proaktiv të Kuvendit në ligjbërje.

Reforma zgjedhore do të jetë angazhim prioritar i këtij sesioni. Ajo do tu paraprijë zgjedhjeve vendore.

Konsolidimi i sinergjisë legjitimitet-integritet-moralitet i legjislativit mbetet gjithashtu prioriteti ynë.

“Kodi i Sjelljes në Kuvend”, miratuar në prill 2018, po mbështetet nga ndryshimet e Rregullores dhe “Udhëzuesi i Detajuar Për Sjelljen në Kuvend”, i cili po konsultohet me OSBE-në.

Opozita do të ketë të gjitha kushtet për të ushtruar plotësisht pushtetin legjislativ, për të kontrolluar shumicën qeverisëse.

Gjatë 25 seancave plenare të sesionit të kaluar, opozita zhvilloi 54 përqind të 673 diskutimeve, kërkoi 3 nga 4 interpelancat urgjente dhe iu plotësuan 91 nga 111 kërkesat për informacion.

Gjatë sesionit të ri do ketë më shumë akses.

Gjithashtu do të vazhdojmë të ngushtojmë asimetrinë midis funksionit ligjbërës e kontrollues të Kuvendit.

Gjatë sesionit që kaloi kontrolli parlamentar u fuqizua nga përmirësimi i mekanizmit të monitorimit Kuvend-Qeveri-Institucione të pavarura, i cili po jep rezultatet e para.

Së shpejti do të ndërtohet platforma online e rekomandimeve, duke e bërë këtë instrument efikas dhe konkret.

Duke ndaluar shkeljen e mëtejshme të nenit 103 të Rregullores, vendosëm standardin thelbësor për kontrollin parlamentar, që mungonte prej vitesh:

19 drejtues të institucioneve të pavarura paraqitën raportin vjetor në seancë plenare dhe Kuvendi miratoi 19 rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së tyre.

Gjatë këtij sesioni do të organizojmë tryezën e dytë të Mekanizmit Ndërinstitucional me Qeverinë dhe institucionet e pavarura.

Kalendari i Kuvendit ka qenë dhe do të jetë i hapur për agjendën e ekzekutivit, por në përputhje me priroritetet legjislative dhe interesat jetike të Republikës.

Kuvendi nuk kontrollohet, por kontrollon Qeverinë. Prandaj, dëshiroj të bëj të qartë që asnjë ministri dhe institucion nuk do të mbetet jashtë monitorimit parlamentar.

Kuvendi do të vazhdojë të ngushtojë defiçitin demokratik, nëpërmjet rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve e shoqërisë civile në procesin legjislativ.

19 seanca dëgjimore, me pjesëmarrjen e 294 grupeve të interesit dhe shoqërisë civile, qindra rekomandime të paraqitura dhe 555 të miratuara, janë dëshmi e këtij kontributi.

Kuvendi, komisionet dhe ekspertët tanë po ndjekin me vëmendje sensibilitetet qytetare, publike e mediatike mbi ngjarjet e zhvillimet në vend, disa prej të cilave mund të kërkojnë ashpërsim të dispozitave ligjore në fuqi.

Garantoj të gjithë shqiptarët se ndjeshmëritë e tyre legjitime do të shqyrtohen me kujdes nga ligjvënësit, do të “përkthehen” në dispozita ligjore, në çdo rast që do të gjykohet e nevojshme për interesin publik.

Parimi jetësor i demokracisë është se askush nuk mund të qeverisë, pa i dëgjuar, pa konsensusin dhe pa bashkëpunimin e zgjedhësve.

Dëgjimi i qytetarëve përmirëson performancën dhe rrit fuqinë e besimin publik të Kuvendit.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb