Kuvendi i Shqipërisë, i mbledhur sot në seancë plenare, u përfshi në debate procedurale, ndërsa u diskutua edhe për protestën që zhvillohet prej ditësh në Tiranë kundër investimit në Zvërnec.
Pasi u paraqit rendi i ditës nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe më pas iu dha fjala ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për të paraqitur konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, opozita bllokoi foltoren duke kërkuar diskutim procedural.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se fjala për procedurë ishte dhënë më herët, pas paraqitjes së kalendarit të punimeve, por sipas tij ajo nuk është respektuar nga folësit, të cilët kanë folur për gjithçka dhe vetëm për çështje procedurale nuk e kanë marrë fjalën.
Ndryshe mendon Partia Demokratike, e cila bllokoi foltoren duke kërkuar që t’i jepej fjala kryetarit të selisë blu, Sali Berisha.
Në pamundësi për të vijuar seancën plenare në mënyrë të rregullt, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu punimet për 15 minuta.
Më herët gjatë seancës plenare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, debatuan mbi kërkesat e paraqitura nga protestuesit, të cilët prej 18 ditësh kanë marshuar në Tiranë kundër investimit në Zvërnec.
