Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot një grup deputetësh të opozitës, me kërkesën e tyre, për të diskutuar çështje të reformës zgjedhore.

Në takim ishin të pranishëm deputetët Krenar Rryçi, Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Vasil Steriovski, Zef Shtjefni.

Deputetët i paraqitën Kryetarit të Kuvendit kërkesat e tyre për përfshirjen në reformën zgjedhore të sistemit proporcional kombëtar, listave të hapura, heqjen e pragut elektoral, votimin e emigrantëve, identifikimin biometrik të votuesve, ndalimin e financimit të partive në fushatat zgjedhore nga buxheti i shtetit etj.

Nga ana e tij, Ruçi i garantoi deputetët opozitarë se propozimet për nismat ligjore t’i formulojnë e t’i paraqesin dhe ato do të diskutohen në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në komisionet e Kuvendit dhe në seancë plenare.

Sipas kreut të Kuvendit, procedurat parlamentare që do të ndiqen nuk do të cënojnë aspak, por do të respektojnë plotësisht të drejtën e secilit deputet për të propozuar, diskutuar, shqyrtuar, votuar ose kundërshtuar nismat ligjore që paraqiten në Kuvend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb