Mirjan Aliaj, aktivist në protestat qytetare përballë Kryeministrisë i ftuar në News 24 foli për demonstratat që po vazhdojnë edhe pas më shumë se tre muajve, kundër keqqeverisjes.
Aliaj shprehet se pushteti i Ramës i ka ditët e numëruara. Ai shtoi se qytetarët janë duke i dalë përballë kokës së korrupsionit, që është kreu i qeverisë. Sipas Aliajt, qytetarët nuk ndalen deri në rrëzimin e këtij pushteti.
“Jam përpjekur që të jap kontribut për vendin tim, duke protestuar kundër padrejtësive që ndodhin në Shqipëri. Ne po ballafaqohemi me kokën e korrupsionit, që është Edi Rama.
Rama e pa se ne jemi të gatshëm që të qëndrojmë dhe përballë, prandaj dhe del edhe nga dyer të fshehta të Kryeministrisë. Tani është një çështje qëndrese dhe mendoj se Edi Rama edhe për disa javë, nuk do të ketë më hesap të qëndrojë në pushtet”, u shpreh Aliaj.
Kanë kaluar 95 ditë që nga nisja e protestave kundër pushtetit në vend, teksa mijëra qytetarë mbushin sheshet kundër korrupsionit e keqqeverisjes. Shtatori pritet të jetë një muaj i mbushur me aksione qytetare ndaj keqqeverisjes.
Aktivisti Aliaj nënvizoi se Edi Rama është bërë si Enver Hoxha, ku ai duket sikur është lideri që nuk gabon, por se ata poshtë tij, vetëm bëjnë gabime.
Shtoi se platformat që bën qeveria e Ramës janë aq të komplikuara sa nuk kuptohen as nga mazhoranca e tij e jo më nga qytetarët.
“Kryeministri Rama tashmë me protestat e fuqishme qytetare është zënë në çark. Tashmë e sheh që protestat janë një pengesë serioze për keqqeverisjen e tij. Administrata është skandaloze sot, madje shumë nuk shkojnë as në zyra dhe i shërbejnë patronazhimit. Tani askush nuk e beson më Ramën. Edi Rama bën ligjërime koti, sepse dihet se çfarë do të thotë. Është njësoj sikur ti e di rezultatin e një ndeshjeje dhe e sheh prapë. Është e njëjta kasetë që vendoset për të ushqyer propagandën.
Edi Rama po sillet si Enver Hoxha. Ai sillet sikur lideri suprem nuk ka asnjë faj, ai nuk paska faje pra, por fajin e paskan këta poshtë. Por problemi është tek koka, sepse peshku qelbet nga koka. Duhet të largohen e duhet të vendoset para drejtësisë një politikan si Edi Rama. Ata janë e shkuara, ne jemi e tashmja dhe e ardhmja. Kryeministri na jep ca platforma, që dhe ai vetë nuk i mban mend e jo më ta mbajnë mend qytetarët. Po përpiqet që të shmangë vëmendjen nga protesta”, deklaroi Aliaj.
