“Laboratori Intermedica” ka vendosur të kryejë katër analiza falas për të gjithë personat e infektuar me koronavirus, që janë shtruar te Spitali Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”. Pronari i “Intermedica”, mjeku Vasil Llajo, sqaroi këtë nismë në një lidhje me “Skype”, në News24.

Duke e cilësuar COVID-19 një virus tinëzar, mjeku Llajo tha se duhet koordinuar puna për mposhtjen e tij. Ai theksoi se “Intermedica” do të kryejë falas katër analiza, 1. Prokalcitonina ( PCT), 2. D-Dimeri, 3.Ferritina, 4. Proteina C Reaktive.

Sipas tij, mostrat do të merren tek Infektivi dhe do të analizohen në laboratorë, ku përgjigjja pritet të dalë për një orë ose një orë e gjysmë.

Pjesë nga intervista:

Sa do e lehtësonte punën e mjekëve kjo që po bëni?
Me siguri që do ta lehtësonte punën. COVID-19 është një virus tinëzar, që ne do ta luftojmë.

Sa kohë duhet për të marrë përgjigjen e analizave?
Nga momenti që do shkojmë ne t’i marrim mostrat tek Infektivi, duke e nxjerrë jashtë spitalit, dhe do vijë mostra në laborator, përgjigjja do të jetë për një orë, një orë e gjysmë maksimumi.

Keni menduar ta zgjeroni asistencën tuaj?
Ne themi deri më 30 prill, por nëse virusi do jetë ekzistues edhe në maj, natyrisht që do të vijojmë edhe gjatë këtij muaji.

Nëse situata do të agravonte, do ishit të gatshëm si laborator të kryenit testimet?
Kemi një personel tejet të profesionalizuar për të kryer testime. Nuk do të isha partizan i bërjes së analizave në privat me PSR, do doja që këto analiza të bëheshin nga ISHP. Në Itali ndoshta nuk lejohet fare, edhe në Greqi shumë pak. ISHP duhet të koordinojë të gjithë punët dhe të ndihmojë në këtë rast të vështirë. ISHP ka një laborator shumë të mirë.

Ju jeni pro testimit?
Testimi të bëhet vetëm te simptomatikët, jo me PSR. Mendoj se duhet vepruar si në Gjermani me testimet, por vetëm nga ISHP. Privat duhet angazhuar, vetëm kur ISHP nuk ka më kapacitete.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb