Nga: Fatmira Nikolli*
TIRANE- Misioni i tij është të institucionalizojë besën, ndaj ka një monolog para Kryepeshkopit, ku thotë se Doruntinën e solli besa: s’ka rëndësi se kush vajti, flokët e kujt u përbaltën, mbi supet e kujt binte pluhuri rrugës. Kjo nuk ka rëndësi, as gurët e varrit, as besa. Rëndësi ka që e solli besa, ose fjala e dhënë”.
Shfaqja hapet me një violinë të vetmuar në skajskenë, ndërsa një re e madhe mjegulle çlirohet sapo perdja i lë vendin skenografisë: një tokë varresh e kryqesh. Zonja Mëmë është e ulur në zinë e saj, e prej aty, kumti i saj drithëron. Kulla e Vranajve është mbyllur pas humbjeve të bijve, ndërsa principata e Arbrit është në zgrip.
Mes mjegullës, zisë e tymnajës së ëndrrave mesjetare, Kapiteni Stres del në skenë me flokë të pluhurosur e rroba me baltë. Nën një varr të ri, gropos një rrobë.
Doruntina e kthyer pas tri vitesh nga Bohemia e largët, ka mësuar se vëllezërit janë shuar, ndërsa e ëma është tronditur nga pohimi i saj se atë e solli Kostandini. Kapiteni ka marrë urdhër të zbulojë “Kush e solli Doruntinën”, mbasi i ka pëshpëritur një varri të fshehtat e tij. Nga skena e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, regjisori (që interpreton kapitenin Stres) Laert Vasili me aktorët Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Zhusti, Suela Bako, Luli Hoxha, Eralda Çaushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia, Xhejni Fama dhe Mimoza Marjanaku sjellin shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në novelën e Ismail Kadaresë. Ajo u shfaq në datat 18, 19 dhe vihet edhe në datat 20 dhe 21 shkurt, ora 19:00. Përtej kujës së zonjës Mëmë të Xhepës, madhështisë së Lakos si ‘ushtar i kishës’, udhëtarit të pafajshëm e mandej ‘dashnorit’ që mishëron Zhusti, e qoftë edhe çmendurisë së Stresit që ka veshur vetë Laerti, shfaqja na rikthen vëmendjen te toka e Arbrit dhe mësimet që sekush mbase do të marrë prej saj. Kjo “Doruntinë” endet mes incestit, besës dhe Arbrit në një tokë kur një ‘Krisht i dytë’ duhet ngjallur për të bashkuar rreth vetes si një bari i mirë, ‘delet e humbura’.
Vasili shpjegon më poshtë për “GSH” disa grimca të shfaqjes. Shumëçka që Kadare e ka shkruar, regjia e Vasilit, e shfaq me veprime, duke kërkuar me të tërën, të kthejmë sytë nga Rilindja, jo kjo e politikës, por ajo e rilindësve. Besën, cilado qoftë ajo, mund ta sjellim ne të gjithë. Doruntinën mund ta ketë sjellë besa shqiptare, incesti i pakryer, ose sikundër donte kisha, një aventurier – ajo që sjell me vete Doruntina është nevoja për një rilindje.
– Skena e shfaqjes është një skenë varri a varresh. A është kjo një gjetje e juaja për të futur publikun në atmosferën e asaj kohe, në mjegullën e vetë legjendës?
Nuk kam bërë unë ndonjë gjetje, thjesht i kam qëndruar besnik gjithë atmosferës që të përcjell në subkoshiencën tënde leximi i Kadaresë. Atje shpeshherë është elementi i shiut, i baltës, i pluhurit, ka mjegull, ka një izolim. Sepse bëhet fjalë si për Kullën e Vranajve, edhe për atë konte të izoluar. Principata e Arbrit përballej me një luftë me ushtritë nomade. Në këtë mënyrë e deshifrova shkrimin e Kadaresë.
– Ju sillni një incest mes Kostandinit dhe së motrës…
E thotë Kadareja. Është një pjesë e madhe në roman që flet për zbulimin e arkivit të familjes Vranaj dhe letërkëmbimin që zonja Mëmë kishte me kontin Topiaj, ku ajo shprehte shqetësimin e saj dhe përshkruan madje çastin kur Kostandini në ditën e dasmës, shtyn dhëndrin dhe merr Doruntinën ndërsa thërret se “është e imja”.
– Kjo pjesë u prit mirë nga publiku. Mendonit se mund të ndodhte e kundërta?
Jo, isha i sigurt për këtë. Jetojmë në vitin 2016, domethënë, nëse do kishte frustrim nga publiku për këtë çështje, nuk do të kishte ndryshim me vendet ku femrave u pritet klitori që të mos kenë kënaqësi.
– Në shfaqje vjen edhe roli i kishës, në kohë herezish, ku “edhe nëse nuk ka një të vërtetë tjetër, ajo duhet krijuar”. Vetë kryepeshkopi, veç zhgunit të fesë, ka veshur edhe një rrobë ushtarake.
Të mos harrojmë se jemi në kohën e kryqëzatave, principata përballet me nomadët, e paralelisht kemi kalorësit e Tryezës së Rrumbullakët, Mbretin Artur, është lufta për të pushtuar qytetin e shenjtë. Jemi para Skënderbeut, kryqtarit të fundit. Jemi në kohën kur sapo ka filluar një luftë e cila ishte e drejtuar nga kisha, nga Patriarkana e Kostandinopojës, që në atë kohë qe shumë e fuqishme. Prandaj kam zgjedhur edhe figurën e Bujar Lakos, i cili veç mantelit të kryepeshkopit mban edhe parzmoren ushtarake. Kjo ndërthurje që bëhet në rolin e Bujar Lakos, ku besoj se s’ka nevojë të them se ka interpretuar në mënyrë mjeshtërore(ai mori çmimin “Aktori më i mirë” në Gjilan), tregon se ka një rrezik të lartë: në një principatë të vogël të Arbrit, po na del një Krisht i ri, një Kostandin i ri. Është i njëjti emër, si perandori Kostandin, i cili konvertoi perandorinë romake në të krishterë. Edhe ai ishte nga viset e Ilirisë. Sërish ky vend po nxjerr një Kostandin që sfidon dhe kërkon të paralelizohet me një Krisht të ri.
– Megjithatë, Kostandini ngrihet nga varri për shkak të besës, jo prej dashurisë?
Edhe besa, dashuri është. Edhe në vargjet popullore, kur një djalë e një vajzë martohen, thonë i dhanë besën njëri-tjetrit, shkëmbyen unazat. Unazat janë shenjë bese.
– Pra, besa, nuk është e njëanshme?
Asgjë nuk është e njëanshme. Edhe marrëdhëniet në brezin e parë të gjakut, janë marrëdhënie dashurie. Ti e do nënën tënde, babanë tënd. Nuk bën dashuri, por e do. Edhe në këtë pjesë, është frika e incestit që Doruntina martohet larg. Ishte vetëm tërheqje ajo e Kostandinit, nuk përfundoi në marrëdhënie fizike. Por incesti njihet që në Antikitet – sindromi i Elektrës apo kompleksi i Edipit dihen.
– Por, këto morën tjetër përmasë me Frojdin?
Me Frojdin dhe me Niçen. Mirë është që edhe ne, në këtë pjesë të Ballkanit që jetojmë, të mos jemi kaq të mbyllur. Megjithatë, shoqëria jonë është e mbyllur për sa i përket vitrinës, sepse pas vitrinës janë jashtëzakonisht të hapur.
– Përmes Doruntinës, duket se shohim që është femra sërish ajo që përlyhet, në emër të imazhit të familjes, në emër të imazhit të principatës, ose edhe të imazhit të kishës. Flasim për karakterin e Viktor Zhustit, që interpreton udhëtarin që “solli” Doruntinën, madje duke e bërë të tijën atë?
Jam bazuar te vepra e Kadaresë, dhe unë nuk mund të flas për Kadarenë, se ka folur e gjithë bota, duke e vlerësuar si “Princi i Asturias” apo “Man Booker International”, viti filloi me të, pasi Franca në një farë mënyrë zyrtarizoi vitin e tij, dhe më vjen keq që me rastin e 80-vjetorit, në shfaqjen që dhashë në Akademinë e Arteve e tani në TKEKS, figurat zyrtare të këtij shteti erdhën të shohin një shfaqje që manifeston Kadarenë.
– Megjithatë, shfaqja juaj është në kalendarin e aktiviteteve për Kadarenë?
Edhe kjo na duhej, të mos ishte! Kjo shfaqje është një projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Gjeta sponsorë dhe mora Margarita Xhepën, Bujar Lakon, Viktor Zhustin, ndryshe nuk bëhej.
– Rikthehemi te gjykimi i femrës ose përlyerja e Doruntinës…
Nuk ngelet e përlyer, nuk besoj. E sakrifikuar po. Ne gjatë pjesës shohim një shoqëri matriarkale, zonja Mëmë me kë i ka lindur nëntë fëmijë dhe Doruntinën? Ku është burri? Nuk ka. Është pra një fuqi tokësore e qiellore, njëherë nga lart e njëherë nga fundi i dheut. Doruntina, është tërësisht e sakrifikuar, martohet larg për të shpëtuar nga një incest që njollos familjen, është e vetmuar, e sjell dikush. Ajo, sakrifikohet po nuk përlyhet.
– Ju sërish, e lini të paqartë se kush e solli Doruntinën: Kostandini, një i panjohur apo Kapiteni Stres siç lihet të kuptohet: dashuria, besa, ne?
Për ata që dinë ta lexojnë kuptohet. Duhet të ketë një motiv për të bashkuar principatën e Arbrit ndaj hordhive nomade. E vetmja gjë që mund ta bashkonte, ishte një fe e re, besa. Dhe për këtë duhet një mit, dhe vjen ai i Kostandinit që ngrihet nga varri.
– Ka një violinë që shoqëron dhimbjen, është një muzikë funebër?
Është funebër. Kemi një ritual, dhe siç thatë në fillim për skenën, ku përdorët fjalën ‘varr i hapur’, ata në shfaqje- përpiqen të ngrihen dhe bien përsëri, dhe sigurisht është i vetmi instrument që e shoqëron këtë melankoli dhe është i vetmi instrument që në disa adagio të vetat të egra, mund edhe të shkaktojë shqetësim “në botën e të vdekurve”.
– Në fillim, Stresi fut në një varr një rrobë, që në fund e merr prej aty dhe e vesh. Është i njëjti varr që mbulohet herë pas here, sikur fsheh diçka. A vesh ai mitin?
Kapiteni Stres merr detyrën për të zbuluar se kush e solli Doruntinën. Misioni i tij është të institucionalizojë besën, ndaj ka një monolog para Kryepeshkopit, ku thotë se Doruntinën e solli besa: S’ka rëndësi se kush vajti, flokët e kujt u përbaltën, mbi supet e kujt binte pluhuri rrugës. Kjo nuk ka rëndësi, as gurët e varrit, as besa. Rëndësi ka që e solli besa, ose fjala e dhënë, nuk e arriti Kostandinin se u vra, e solli një mik i tij, e sollëm ne të gjithë, i thotë Stresi Kryepeshkopit. Ju që jeni këtu, unë. Ndërsa pyetjes “Ku ke qenë dy javë?” Stresi i përgjigjet: “Në një shërbim të fshehtë, një nga ata që pasi i kryejmë rrekemi t’i harrojmë. Është çështje e jona e brendshme”.
– Ngjan kjo, me një thirrje për atë që kemi humbur ne shqiptarët sot, besën, fjalën e dhënë, premtimin?
Është një thirrje për shoqërinë e sotme shqiptare. Jetojmë në një kohë që përdoren terma që i kemi dëgjuar një shekull më parë: Rilindja. Shoqërisë i duhen rilindësit e dikurshëm; shoqërisë shqiptare, jo politikës shqiptare. Politika në fund të fundit është biznes, ka qenë e do jetë. Siç ka thënë Jeronim de Rada: megjithëse jam shumë i varfër, për gjithë pasurinë e botës, nuk do sakrifikoja vendin tim. Kjo është arsyeja pse unë u ktheva në Shqipëri, nga Greqia – kur m’u kërkua të mohoja çdo gjë, kur m’u kërkua të thosha se jam grek e jo shqiptar. Atëherë, unë thashë se unë e kam vendin tim. Dhe u ktheva.
– Dhe ia dolët edhe këtu?
Unë nuk i kam lënë shfaqjet e mia të vdesin, siç ndodh rëndom me projektet e Ministrisë së Kulturës, që bëhen dy shfaqje dhe ngelen aty. Kam qenë në Durrës, në Kosovë, te Universiteti e Arteve, do jemi në Selanik dhe mbase në Mal të zi. Unë nuk i vdes shfaqjet e mia.
– Në ç’moment e ke lexuar kështu veprën e Kadaresë?
Disa herë, që në adoleshencë. Kam dashur ta vë në skenë këtu e shtatë vjet. Dhe më kthehet shpesh në mendje sepse ka të bëjë me shqiptarinë: në fund sakrifikohet dikush, bëhet një fli që të mbijetojnë ky komb e kjo gjuhë. Çdo kryengritje kërkon heronjtë e saj. Përpiqem që me vëniet e mia në skenë t’i shërbej kësaj ideje që e kam trashëguar nga prindërit e mi. Artisti duhet të jetë kryengritës, të ketë sjellje të re. Unë nuk vë shfaqje se ‘duhet vënë’. Është nevoja ta bëj. Dhe tani, më tepër se kurrë, teatrit i duhet drama shqiptare e shkruar mirë. Nëse ua mban, kujtdo, le të marrin Kadarenë ose Fishtën t’i dramatizojnë. Me kolosët e vet, kështu bën bota. Kur mora këtë pjesë, më kanë thënë se është e vështirë ta vësh Kadarenë në skenë. Po, është e vështirë nëse rri në kafene e pi raki. Por, po të plasësh kokën në mur, nuk është i vështirë Kadareja.
– Në cilat skena e keni përplasur ju kokën në mur?
Që te shkronja e parë. Ku do fillosh dhe ku do e çosh. Çfarë do mbaj, çfarë do heq. Sa personazhe do zgjedhësh. Ku do e vësh si veprim skenik. Në roman, shkrimtari është i lirë që një veprim ta përshkruajë në tri faqe, e në skenë, duhet të bësh veprimin.
– Kapiteni Stres është tërë kohës i tensionuar, pothuajse në një gjendje mendore jonormale. Kjo, deri në fund, kur duket se gjen paqen, dhe shihet të qeshë, t’i ndrijë fytyra, në monologun e fundëm në cep të skenës…
Bekimin e parë e kam marrë nga Bujar Lako, që më tha se ishte dramatizimi më i mirë i bërë, në pesë që kishte lexuar ai. Ndaj, ai pranoi të ishte në shfaqje. Bashkim Hoxha, drejtori i teatrit të Durrësit, më tha të mos luaja asnjë presje nga dramatizimi. Ndërkaq, po ju citoj Tinka Kurtin që më tha mbrëmë: “Mas funmi e kam pa Stresin. Asht makth, asht makth mor bir. Hajt t’puth. Ta thotë emni mor, ta thotë emni: asht Stres”. Nuk është se Kadareja nuk gjeti emër, nuk është as Gjorgu si te “Prilli i Thyer”. Është një mënyrë interpretimi e zbërthimi i rolit në skenë, që vjen nga shkolla angleze, e cila e ka marrë nga Antikiteti: nuk ka personazhe që u vihen emrat kot, është “behind dhe name”. Personazhi në momentin që prezantohet me emrin, mbart historinë e tij. Oresti në greqisht do të thotë malësor – u fsheh në malësi për të mos u vrarë dhe kthehet për t’u hakmarrë.
Stresi – është në stres se fsheh atë që ka bërë vetë, ndërkohë që detyra ia kërkon ta hetojë. Ai e di kush e solli.
– Ndërkohë, paqja e tij vjen kur ‘mbyll’ hetimin dhe mban një fjalë para kryepeshkopit – pra kur dorëzon rrobën?
Ai gjen paqen kur ka marrë vendimin dhe ka përgatitur fjalimin – do thotë se Doruntinën e solli Besa. Ai nxjerr nga varri, rrobën që kishte veshur kur e solli Doruntinën, dhe e vesh sërish. E lë detyrën – heq rrobën e kapitenit. Në fund, kam bërë një shtesë – mijëra vjet më vonë, ne pyesim sërish – kush e solli Doruntinën. Stresi shtrin dorën dhe del Doruntina. Ka një fotografi të shkurtër.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: