Nëse në Shqipëri nuk kanë ndër mend të ndalen polemikat dhe problematikat e shumta që shoqërojnë çdo vit komunitetin e sportit në vend, Kosova vijon të bëjë hapa galopantë, strategjikë dhe konkretë në sport.

Dardanët tashmë kanë paraqitur kandidaturën që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Kjo është një e arritje e jashtëzakonshme për Kosovës, që është gati për të pritur organizimin e një prej evenimenteve më të rëndësishme sportive ndërkombëtare. Lojërat Mesdhetare siç dihet janë ngjarje shumësportëshe, ku marrin pjesë sportistë nga dhjetëra vende nga Evropa, Azia e Afrika. Ato mbahen çdo katër vjet, ndërsa organizohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG). Ky Komitet ka konfirmuar kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

“Komiteti Olimpik i Kosovës ka shfaqur interesim për të organizuar Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë, kryeqytetin e vendit. Komiteti Olimpik i Portugalisë ka shfaqur interesim për të organizuar Lojërat Mesdhetare në Plazh në vitin 2027, në qytetin Portimao. Dy Komitetet Olimpike duhet të dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të ketë vizita inspektuese në të dy vendet”, shkruan në njoftimin e ICMG-së. Më 8 shtator, në Heraklion të Greqisë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, pritet që Kosova të zyrtarizohet si pritëse e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare.

ICMG-ja në njoftim e ka bërë thuajse të kryer mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë: “Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare mirëpret me shumë kënaqësi interesimin e dy Komiteteve Olimpike, që janë anëtaret më të reja të familjes mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të ngjarjes, por edhe përhapjen e vlerave dhe idealeve të lojërave në gjithë pellgun e Mesdheut”, shkruhet në tej në njoftim. Pjesë e ICMG-së janë vende si Shqipëria, Algjeria, Andorra, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Qipro, Egjipti, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Libani, Libia, Malta, Monako, Mali i Zi, Maroku, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia, Spanja, Siria, Tunizia dhe Turqia.

Pra, plot 26 shtete. Një pjesë e këtyre vendeve nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe mbetet të shihet nëse kjo do të paraqesë problem për të fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare. Organizimi i kësaj ngjarjeje kërkon investim të madh, milionësh, ndërsa përfitimi më i madh pritet të jetë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb