Aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në kryqëzimin e Vajkanit në autostradën Fier-Lushnje. Ka mbetur e vdekur bashkëudhëtarja e mjetit me targa AB 556 UD e drejtuar nga vajza e saj.

Mjeti tip Citroen me targa AB 664 OB i drejtuar nga një shtetas i huaj ishte duke kryer manovër për të hyrë në kryqëzimin e Vajkanit ndërsa mjeti tip BMV ka ardhur nga ishulli i trafikut dhe e ka goditur. Nga goditja nuk janë lënduar dy udhëtarët në mjetin tip Citroen, ndërsa mjeti tip BMV ka përfunduar tek barrierat e hekurta të kryqëzimit të autostradës dhe për pasojë ka gjetur vdekjen nëna e drejtueses së mjetit. Policia dhe zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje, për të hequr trupin e viktimës, pasi hekurat e barrierave anësore kishin hyrë në mjet dhe kanë shkaktuar vdekjen.

Ekspertët e policisë shkencore janë në vendngjarje për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe për t’a dokumentuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: