TIRANE- Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve për kreun e ri të Bashkisë së Kavajës. Kur nuk kanë kaluar as 24 orë nga zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të Elvis Rroshit, Kreu i Shtetit me dekret të posaçëm ka vendosur që qytetarët e Kavajës t’i drejtohen kutive të votimit më 7 maj.

Elvis Rroshit iu hoq mandati si kryetar i bashkisë së Kavajës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Nuk dihet pas këtij hapi se cila do të jetë lëvizja e PD­-së, e cila prej 18 shkurtit është në protestë dhe bojkot të Kuvendit, duke kërkuar largimin e Ramës dhe qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme.

DEKRETI

DEKRET PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KRYETAR BASHKIE, BASHKIA KAVAJË, QARKU TIRANË
Në mbështetje të nenit 92, gërma “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 10, paragrafi 3 të ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,

Dekretoj

Neni 1
Caktimin e datës 7 Maj 2017, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë Kavajë, qarku Tiranë.

Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekreti 10098
Tiranë më 24.03.2017

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb