Policia e Fierit bën me dije se është vënë në kërkim të një personi, pasi ai ka qëlluar me armë zjarri në ajër, teksa lëvizte me makinë.

Uniformat blu të qytetit jugor shprehen se kanë mundur të identifikojnë autorin dhe po punojnë për kapjen e tij.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për “Balkanweb” se burime jozyrtare kanë thënë se një person, i identifikuar tashmë nga policia e rendit në Fier, ka dalë nga mjeti privat dhe ka qëlluar në ajër, duke ia prerë rrugën një autobusi të linjës së plazhit në zonën e Semanit, i cili ishte i mbushur përplot me pasagjerë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.30 të ditës së sotme, në vendin e quajtur “kulla e ujit”, Topojë e Fierit.

Sipas banorëve të zonës, personi mësohet të ketë debatuar me drejtuesin e autobusit të linjës, i cili ishte i ndaluar në rruge, duke i kërkuar që të hapë rrugën. Në debat e sipër për hapjen e rrugës, drejtuesi i makinës private, ka hyrë në automjetin e tij, ka marrë armën dhe ka gjuajtur në ajër para autobusit.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Fierit, të cilët kanë identifikuar personin dhe automjetin e tij. Po punohet për kapjen e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Fier

Informacion paraprak

Sot rreth orës 19:00, në fshatin Topojë, nga 1 automjet është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb