TIRANË

Vazhdon furtuna nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Burime për News24 e “BalkanWeb” bënë me dije se është shkarkuar drejtori i KESH Agron Hetoja. Ndërkohë po të njëjtat burime pohojnë se Benet Beci emërohet drejtori i ri i KESH. Nga viti 2005 deri më sot, Beci mbante postin e Drejtorit Ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ai ka qënë gjithashtu edhe Anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë për periudhën Shtator 2005–Janar 2008.

Z. Benet Beci ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për periudhën Shkurt 2008 – Tetor 2012. Aktualisht ishte drejtori i fondit te zhvillimit

Beci me kryeministrin Rama

Beci Rama
Beci Rama

Kush është Benet Beci?

Benet Beci është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës, dega Ekonomi Politike, në vitin 1987. Në vitin 2003 përfundon programin dy vjeçar “Master në Administrim Biznesi” (MBA) duke mbrojtur tezën “Sistemi bankar në tranzicion, tronditjet dhe mësimet”, pranë Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me Universitetin Nebrasca-Lincoln.

Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh te tjera brenda dhe jashtë vendit. Fushat e specializimeve janë kryesisht në sistemin bankar dhe funksionet e institucioneve të kredidhënies, analizës financiare, manaxhimin e riskut dhe përcaktimin e normave të interesit, manaxhimin efikas të institucioneve mikrofinanciare, buxhetimin, planifikimin dhe menaxhimin e projekteve, si dhe modelimin e institucioneve financiare dhe të kreditimit.

Gjatë karrierës së tij, Benet Beci, numëron detyra të rëndësishme duke filluar nga ajo në Ministrinë e Transporteve, ku për 5 vite ka mbajtur detyrën e inspektorit të tarifave dhe standardeve. Më pas, në vitin 1992 ka punuar në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Bankën Kombëtare (sot Banka e Shqipërisë). Nga viti 1993 deri në vitin 2005 Beci ka punuar në institucione financiare të ndryshme si Banka Kombëtare Tregtare, Fondi i Financimit Rural, dhe Unioni i Shoqatave të Kursim Kredisë. Po ashtu ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së  Kreditit të Shqipërisë. Aktualisht ishte drejtori i Fondit të Zhvillimit.

Kujtojmë se java e kaluar pati disa lëvizje të tjera në këtë Ministri dhe institucionet varësisë. Me urdhër të kryeministrit Edi Rama u largua nga detyra zv/Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enis Aliko. Në vend të tij u emëruar zv.ministër ish-deputeti Ilir Bejtja. Bejtja ishte drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës, kur drejtohej nga Damian Gjiknuri.

Po kështu Drejtori i OST dha dorëheqjen pas publikimit të skandalit me kompaninë “DH Albania” e cila kishte fituar tenderin e Unazës së Madhe me dokumentet të falsifikuara. Ndërkohë edhe kreu i ARRSH Afrim Qendro u shkarkua nga detyra. Lëvizja tjetër ishte ajo e kreut të Autoritetit Portual Durës, Afrim Bakaj, i cili u shkarkua nga kjo detyrë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb