Italia ka marrë masa sot për situatën nga koronavirusi, duke bllokuar në masën 100 për qind zonat e kuqe.

Edhe pse në Shqipëri ende nuk ka rast zyrtar me koronavirus, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për të parandaluar çdo lloj situate të mundshme.

Burime për “Balkanweb” bëjnë me dije se pritet që për këtë situatë të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve të Ministrisë të Shëndetësisë.

Kujtojmë se Këshilli i ministrave të Italisë mori masa më drastike për koronavirusin. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte firmosi gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, një dekret që detyron menjëherë masa të reja shtrënguese për lëvizjen e njerëzve.

Kështu, deri më 3 prill, për shkak të emergjencës nga koronavirusi, në Lombardi dhe në disa provinca: Veneto, Emilia Romagna e Piemonte është ndaluar hyrja dhe dalja e njerëzve. Hyrja apo dalja nga këto zona janë të lejuara vetëm për arsye serioze dhe “të provuara”, për punë ose familje.

Ata që janë në karantinë nuk mund të lëvizin në asnjë mënyrë. Provincat në fjalë, tha kryeministri, janë: Parma, Piacenza, Rimini, Reggio-Emilia, Modena, Pesaro dhe Urbino, Venecia, Padova, Treviso, Alessandria, Verbano-Cusio-OSSOLA, Novara, Vercelli dhe Asti. Në total, këto masa do të prekin mbi një të katërtën e popullsisë italiane. Rajonet në fjalë janë të banuara nga rreth 15 milion banorë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Numri i rasteve në Itali u rrit me 1,247 në 24 orët e fundit, tha agjencia e mbrojtjes civile në Itali. Kjo e rrit numrin e të prekurve në 5,883 raste. 36 persona të tjerë vdiqën në rajon, duke e çuar në total numrin e të vdekurve 233.

Dekreti thotë ndër të tjera se duhet të “shmangni absolutisht çdo lëvizje brenda territoreve, përveç lëvizjeve të motivuara nga nevoja të punës ose situata emergjente”. Ata që kanë “simptoma të infeksionit të frymëmarrjes dhe temperatirë më të madhe se 37.5 ° C”, këshillohen të qëndrojnë në shtëpi dhe të kontaktojnë mjekun e tyre, duke kufizuar menjëherë të gjitha kontaktet sociale. Pushimi i zakonshëm i personelit shëndetësor dhe teknik, si dhe i “stafit, veprimtaritë e të cilit janë të domosdoshme për të menaxhuar aktivitetet e kërkuara nga njësitë e krizës të ngritura në nivelin rajonal” pezullohen.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb