FIER-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Fierit pasditen e kësaj të shtune, ku një grua është vrarë nga bashkëshorti i saj duke e hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonin.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kryengritja e Fierit”, ndërsa gruaja e identifikuar si Liliana Ruko, 43 vjeç, nënë e dy fëmijëve është hedhur nga dritarja e banjës nga bashkëshorti i saj Ferdinand Ruko.
Sipas fqinjës së çiftit e cila ishte dëshmitare, Liliana Rukon e ka hedhur i shoqi nga dritarja e banjës. “I shoqi e shtyu me këmbë nga dritarja e banjës, ndërsa ajo tentoi të mbahej. Ne nuk dimë të kenë pasur probleme”- ka thënë ajo.
43-vjeçarja është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës.
Policia ka shoqëruar si të dyshuar bashkëshortin e gruas 43 vjeçare, Ferdinand Ruko i cili do të merret në pyetje. Mësohet se çifti sapo ishte kthyer nga Gjermania ku kishin qene për azil, por iu ishte refuzuar.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe motiveve të ngjarjes.
(d.d/BalkanWeb)