Këshilltari ligjor i Presidentit Ilir Meta ka folur sot për publikun, teksa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin ose jo të Kreut të Shtetit. Ai solli disa dokumente dhe foli për ndërhyrje apo manipulim nga Kuvendi. Bëhet fjalë për një shkresë të dorëzuar si provë për të rrëzuar pretendimet e Presidentit, por që ndryshon nga dokumenti real i publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Në seancën e orës 10:00 i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese, kemi kundërshtuar vërtetësinë e një prove, të depozituar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë, të depozituar në datën 4 shkurt 2022 nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili i përcjell Gjykatës Kushtetuese disa prova të reja shtesë, ku përfshihet dhe urdhri 19, datë 5.5.2021 i kryetarit të Kuvendit që ka të bëjë me mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 7.5.2021, pra ditën që Kuvendi do të miratonte sipas tij, ngritjen e Komisionit Hetimor për miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve.

Gjatë shqyrtimit të këtyre provave të reja që na u vunë në dispozicion nga Gjykata po të njëjtën ditë, na rezultoi në konsultim me vetë përmbajtjen e praktikës së dërguar nga vetë Kuvendi dhe me praktikën e publikuar online po nga Kuvendi na rezulton, një ndërhyrje apo manipulim prove të depozituar. Ia parashtruam Gjykatës në mënyrë të detajuar. I është parashtruar gjykatës dhe në përgjigjet sepse lidhje dhe me një nga pyetjet që kishte bërë relatori i çështjes, pyetja numër 3 lidhur me këtë ndërhyrje.

Konkretisht urdhri që Kuvendi i depozitoi si provë Gjykatës Kushtetuese mban datën 5.5.2021 për mbledhjen e Kuvendit datë 7.5.2021. Ndërkohë që sipas urdhrit të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë dhe që u pranua dhe nga përfaqësuesit e Kuvendit në gjykim, ky urdhër mban datën 6.5.2021. Kjo është ndërhyrja e parë. Edhe ky urdhër në faqen e Kuvendit është me të njëjtin format dhe nënshkrim të kryetarit të Kuvendit. Pse bëhet kjo ndërhyrje, ose të paktën u parashtrua nga përfaqësuesit e Kuvendit. Që provat e reja sillen për të rrëzuar pretendimin e Presidentit lidhur me shkeljet që ne kishim konstatuar në caktimin e seancës plenare dhe rendit të ditës”, tha Dervishaj.

Ai theksoi se kjo nuk është e vetmja ndërhyrje. “Ndërhyrje ka dhe tek pika 20 e këtij urdhri, ku përfshihet projektvendimi për raportin dhe propozimin e komisionit të ligjeve për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Kështu thuhet në këtë urdhër të depozituar në formë shkresore, por që ndryshon nga po pika 20 e rendit të ditës, të sjellë po në formë shkresore nga Kuvendi në cilësinë e provës në Gjykatë Kushtetuese. Rendi i ditës përcakton që urdhri është 19, datë 6.5.2021 dhe jo 5.5.2021, siç thotë dhe siç ka depozituar Kuvendi. Ndërhyrja e parë. Rendi i ditës thotë pika 20 përmban këtë përmbajtje që duhej të shqyrtohej. Projektvendim për miratimin e raportit dhe propozimit të Komisionit të Ligjeve për ngritjen e një komisioni hetimor me kërkesë të një numri të caktuar deputetësh për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Po të shikojmë me vëmendje nga përmbajtja e rendit të ditës e urdhrit të publikuar në faqe dhe urdhrit të depozituar në formë shkresore na rezulton se tek ky urdhri që ka depozituar Kuvendi më 4 shkurt është hequr fjala ‘miratim’, nuk ekziston më. Fjala raportit është zëvendësuar me fjalën raportin. Pas fjalës ngritje është shtuar fjala ose mosngritjen dhe togëfjalëshi ‘bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh’ është hequr. Ndërkohë që edhe rendi i ditës i depozituar bashkë me urdhrin e kryetarit të Kuvendit ka përplasje me vetë urdhrin e kryetarit të Kuvendit.
Pikërisht për këto shkaqe, këto ndërhyrje në prova është vlerësuar dhe është kërkuar nga ana jonë si përfaqësues të Presidentit që gjykata të çmojë vërtetësinë e kësaj prove pasi duket qartë që ka ndërhyrje në të me qëllimin e vetëm dhe që u pranua që kjo provë sillet nga ana e Kuvendit për të rrëzuar pretendimet e Presidentit… me qëllim që të rrëzohen pretendimet e Presidentit të Republikës. Ndërkohë që qoftë në këtë formë siç e ka depozituar Kuvendi, qoftë në këtë formën tjetër, siç është realja që është publikuar qëndrimet e Presidentit rezultojnë të bazuara, seanca plenare është caktuar në më pak se 24 orë kohë, ndërkohë që detyrimi është 48 orë. Në rendin e ditës nuk kanë qenë të përfshirë dy aktet, por vetëm një akt, një shkelje tjetër kjo më shumë e Kuvendit të Shqipërisë vetëm e vetëm të diktuar përmes vullnetit politik që të arrihej në ngritjen e një komisioni që nuk mund të funksiononte sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit për komisionet hetimore. Ky është prononcimi në funksion të transparencës dhe asaj që ndodhi në Gjykatë”, deklaroi Dervishaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb